Igli Tare i mohon lajmet se Galatasaray ka bërë ofertë për Vedat Muriqin - NACIONALE

Igli Tare i mohon lajmet se Galatasaray ka bërë ofertë për Vedat Muriqin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka thënë për Gazetën Nacionale se klubi italian nuk ka pranuar asnjë ofertë nga Galatasaray për sulmuesin e vet kosovar, Vedat Muriqi.

Muriqi u kthye në Lazio këtë muaj pasi e kaloi një periudhë gjashtëmujore të shkëlqyer në huazim të Mallorca, duke ua zgjuar interesimin klubeve të tjera. 28-vjeçari ka kontratë me klubin italian deri në vitin 2025 por e ardhmja e tij në kryeqytetin italian mbetet e pasigurt, pas një periudhe të parë të pasuksesshme në Stadio Olympico.

Në ditët e fundit u raportua në mediat turke dhe ato kosovare se gjiganti turk i kishte bërë Lazios një ofertë prej rreth 15 milionë eurove për Muriqin.

Por ky lajm është hedhur poshtë nga Tare, i cili e solli vetë Muriqin nga Fenerbahce në Lazio për 20 milionë euro verën e vitit 2020.

I pyetur nga Nacionale nëse Lazio ka pranuar ndonjë ofertë nga gjiganti më i madh turk, Tare ishte i shkurtër dhe i prerë: “Jo”.

Muriqi i dëshmoi vlerat e veta më të mëdha pikërisht në Superligën e Turqisë, ku e arriti formën më të lartë në karrierë dhe si rrjedhojë ia siguroi vetes kalimin meritor në Serie A te Lazio.

Para se t’i bashkohej klubit nga kryeqyteti italian për 20 milionë euro në shtator 2020, Muriqi shkëlqeu në Fenerbahce duke i shënuar 17 gola dhe pesë asiste në 36 paraqitje në të gjitha garat.

Por kalimi i tij në ligën elitare italiane doli të ishte zhgënjyes pasi sulmuesi prizrenas pësoi rënie të madhe në formë dhe nuk arriti asnjëherë të zërë vend titullari gjatë qëndrimit gati dyvjeçar, duke i shënuar vetëm dy gola në të gjitha garat.

Mallorca i ofroi një mundësi Muriqin – i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Kosovës me 20 gola – për ta kthyer karrierën në binarë.

Dhe 28-vjeçari e përqafoi këtë mundësi duke shkëlqyer dhe duke ia shpaguar besimin klubit ishull, pasi e shpëtoi nga rënie prej La Ligës në kategorinë e dytë.

Muriqi i shënoi pesë gola dhe i dhuroi tri asiste në 16 ndeshje për Mallorcan. Asnjë bashkëlojtar i tij nuk kishte kontribuuar më shumë se kosovari në gola për Mallorcan në vitin 2022.

Mallorca e ka mundësinë në marrëveshjen me Lazion për ta blerë Muriqin për 12 milionë euro, por kjo shifër duket e lartë për klubin spanjoll. Ndërkohë, Lazio nuk dëshiron ta lëshojë atë për ndonjë çmim më të ulët, duke ditur se në vitin 2020 i pagoi 20 milionë euro për ta blerë atë nga Fenerbahce.

Lajme të ngjashme