<b></b> Inter fiton Kupën e Italisë, triumfon në dramën e gjashtë golave ndaj Juventusit

Inter fiton Kupën e Italisë, triumfon në dramën e gjashtë golave ndaj Juventusit

11.05.2022 23:36

Inter ka fituar Kupën e Italisë për edicionin 2021/22, duke mposhtur Juventusin në finale.

“Neurazzurët” ishin shumë herë më të mirë se “Bianconerët”, ku fituan me rezultat 2:4 në një derbi italian, ku ishte dramë nga minuta e parë e deri në fund.

Inter e nisi ndeshjen për mrekulli duke kaluar në epërsi pas vetëm shtatë minutave me anë të Nicolo Barellas.

Barella realizoi një eurogol nga distanca, pas një goditje fantastike, ku i la të gjithë vetëm duke e shikuar topin, që përfundoi në korner të portës së Szczesnyt (7').

Juventus disa minuta më vonë kishte rastin e artë që të barazonte rezultatin, por që Handanovic bëri një super pritje që t'ia mohoi golin Vlahovicit.

Kësisoj, pasi nuk kishte konkretizim të rasteve nga asnjëra skuadër, rezultati i kësaj pjese mbeti 0:1.

Në pjesën e dytë, Juventus doli me tjetër fytyrë, duke përmbys rezultatin për vetëm dy minuta.

Fillimisht, Alex Sandro barazoi rezultatin me një goditje nga distanca, që në shikim të parë doket sikur Alvaro Morata e ka devijuar pak topin (50').

Ndërsa, dy minuta më vonë, pas një kundëraksioni të shpejtë, Dusan Vlahovic u gjend në vendin e duhur dhe me një goditje të bukur nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë (52').

Pas përmbysjes të bërë, Inter shtoi presionin duke krijuar aksione njëra pas tjetrës dhe gjeti golin e barazimit përmes mesfushorit ofensivë Hakan Çalhanoglu, që realizoi nga pika e bardhë, pas një penalltie të fituar nga Lautaro Martinez (80’).

Kësisoj, me rezultat 2:2 mbaroi edhe koha e rregullt, prandaj ndeshja shkoi në vazhdime, aty ku Inter ishte shumë herë më e mirë dhe shënoi edhe dy herë të tjera.

Matthijs de Ligt shkaktoi një penallti brenda zonës pas një ndërhryje të rrezikshme dhe pas rishikimit të VAR-it, arbitri akordoi penallti, të cilën e konkretizoi Ivan Perisic (98’).

Ndërsa, vetëm katër minuta më vonë, Perisic vulosi fitoren me një tjetër eurogol nga distanca, në të njëjtin kënd si goditja e Barellas (102’).

Për Interin, ky trofe është i tetë në histori, duke qenë vetëm pas Juventusit, që ka fituar 14 sosh.

Tjera nga autori:
1