<b></b> Intervistë | Armand Duka: Së shpejti, kupa e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Intervistë | Armand Duka: Së shpejti, kupa e përbashkët Kosovë-Shqipëri

20.06.2022 17:04

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një intervistë ekskluzive për Gazetën Nacionale ka komentuar ndeshjet e Shqipërisë, synimet në Ligën e Kombeve dhe formimin e Ligës Unike në futboll.

“Kuq e Zinjtë” zhvilluan dy ndeshje zyrtare në ligën B të Ligës së Kombeve, duke arritur një barazim ndaj Islandës dhe pësuar humbje nga Izraeli, duke iu vështirësuar punët për t’u promovuar në ligën A.

Sidoqoftë, Duka është optimist që do të promovohen në ligën A, derisa ka komentuar edhe krijimin e mundshëm të Ligës Unike se bashku me klube nga Kosova.

NACIONALE:

Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi tre ndeshje në muajin qershor, duke arritur dy barazime dhe një humbje, a ke pritur më shumë?

Armand Duka:

“Ekipi kombëtar është rritur shumë në të gjitha këndvështrimet, por sa me lartë te shkosh aq me e vështirë bëhet dhe akoma më shumë përqendrim e përkushtim duhet. Tashmë luajmë në një kategori më lartë me pretendimin për të luajtur në mes më të mirave te Evropes (në grupin A). Që nga fillimi kemi qenë koshient se në këtë grup me këto skuadra mund të renditemi të parë por edhe të fundit, pasi diferencat kualitative ngushtohen shumë. Pretendimet dhe objektivat ishin për gjashtë pikë por të njëjta kanë qenë edhe për kundërshtarët tanë, kemi marre vetëm një barazim. Por duke parë faktin që ne të dyja ndeshjet kemi udhëhequr rezultatet në pjesët e para padyshim që duhet të merrnim më shumë. Mbase lodhja e fund sezonit, ndoshta gabimet, apo mungesa e përqendrimit apo edhe pak fati na quan në situatën që jemi me një pike në vend të trete pas dy ndeshjeve”.

NACIONALE:

2.Momentalisht Shqipëria gjendet në pozitën e tretë në ligën B të Ligës së Kombeve, a beson në kualifikim (promovimi në ligën A) duke marrë parasysh se jeni katër pikë prapa liderit, Izraelit?

Armand Duka:

“Objektivi jonë ishte dhe është vendi i parë në grup dhe ngjitja në Ligën A. Përtej dy rezultateve që arritëm këtë muaj unë besoj tek skuadra dhe tek objektivi që kemi vendosur së bashku për të arritur fitimin e grupit tonë. Duhet të shkojmë të bindur dhe të vendosur për fitore në dy ndeshjet e mbetura në muajin shtator”.

“Por si fillim me përqendrim maksimal e duke përmirësuar ato që bëmë keq të shkojmë në Izrael. Urojmë që të mos kemi asnjë mungesë. Cilësitë në skuadër janë, unë mendoj se kemi një grup shumë të mirë që i ka plotësisht kapacitetet për të fituar ndaj Izraelit në transfertë dhe Islandës në shtëpi duke na rikthyer “në normalitet’.

NACIONALE:

3.UEFA këtë vit për herë të parë i besoi FSHF-së një finale evropiane, e cila ishte sukses i vërtet - sa vështirë ishte organizimi?

Armand Duka:

“Finalja e 25 majit ishte një aktivitet historik për Shqipërinë dhe jo vetëm për futbollin. Një eksperiencë e jashtëzakonshme që reklamoi në mënyrën më të mirë vendin tonë në të gjithë botën, duke parë që ndeshja u transmetua në 155 shtete të botës. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një numër aq të lartë njerëzish që vizitojnë Tiranën në një ditë të vetme, duke na kthyer në kryeqytetin evropian dhe botëror të futbollit. Organizimi ka qenë padiskutim një sfidë më vete, produkt i një pune shumë vjeçare nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, administratës së saj. Finalja me të vërtetë u luajt në 25 maj por puna për atë ndeshje ka filluar në shtator 2021 me stafet e FSHF, UEFA-s dhe institucionet shqiptare që janë angazhuar dhe kanë punuar me orë të stërzgjatura që gjithçka të shkonte në perfeksion. Vlerësimet dhe falënderimet e qindra figurave të mëdha evropiane dhe botërore për organizimin na bëjnë krenar e konfirmojmë faktin se kemi bërë shumë të mirë, përtej sfidës që paraqiste një organizim i të tilla përmasave”.

NACIONALE:

4.A është e gatshme FSHF-ja të organizojë edhe ndonjë finale tjetër më të madhe, për shembull Liga e Evropës - kuptohet nëse i ofrohet nga UEFA?

Armand Duka:

“Sigurisht që FSHF është e gatshme dhe i ka të gjitha kapacitetet për të organizuar një tjetër finale të këtyre përmasave. Pas finales së Conference League, ku verifikuam se institucioni i futbollit në Shqipëri është rritur dhe ka aftësi për organizime të mëdha ndërkombëtare, ne kemi vendosur të aplikojmë për organizimin e një Evropiani moshash në vendin tonë për faktin se tashmë kemi katër stadiume moderne. Super Kupa e Evropës është gjithashtu një tjetër finale që ne mendojmë se mund ta mirëpresim në vendin tonë. Kemi filluar punën dhe jemi shumë optimist se e ardhmja do na rezervojë të tjera organizime të mëdha”.

NACIONALE:

5.Katër skuadra në muajin e ardhshëm do të garojnë në Evropë, cilat janë pritshmeritë e tua?

Armand Duka:

“Kompeticionet evropiane janë të rëndësishme për skuadrat tona si në drejtimin sportiv, por edhe atë financiar dhe organizativ, duke parë që skuadrat përballen me klube të rëndësishëm në Evropë dhe mund të përfitojnë nga këto eksperienca për të rritur akoma më shumë kapacitetet e tyre si struktura. Unë besoj se janë të gjitha mundësitë e cilësitë të skuadrat tona që turin e parë ta kalojnë, pse jo edhe në turin e dytë nuk duhet të kenë frikë nga kundërshtarët që do të kenë përballë. Nëse imponohen maksimalisht, zbresin në fushën e lojës të përqendruar dhe me bindje te cilësitë e tyre nuk kam dyshime se do të arrijnë të shkojnë larg”.

NACIONALE:

6.Përzgjedhësi Edouard Reja shpesh herë po kritikohet për formacionin bazë dhe zëvendësimet që bënë në ndeshje, a ka besimin tënd të plotë? A do të vazhdojë ende të jetë në stolin e Shqipërisë?

Armend Duka:

“Kritikat janë normale dhe sidomos pas rezultateve që prodhuan ndeshjet e fundit. Por për një humbje në shtëpi nuk mund të nxijmë gjithçka, e të marrim vendime emocionale. Edi Reja dhe stafi i tij kanë qenë drejtues të një skuadre në rritje, kanë bërë rezultate pozitive, skuadra u rendit në vendin e parë në Nations League dhe ngjit në grupin B. U rendit e treta ne eliminatoret e botërorit me një rekord pikësh të grumbulluara 18. Vazhdoj të besoj se progresi i kësaj skuadre do të vazhdojë nen drejtimin e Rejas”

NACIONALE:

7.Që sa kohë keni lidhje të shkëlqyeshme me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, a keni menduar ndonjëherë krijimin e një lige unike në futboll mes Kosovës dhe Shqipërisë kuptohet (duke marrë shembull Ligën Unike në basketboll)?

Armand Duka:

“Ne kemi nisur projektin për Kupën Nënë Tereza e cila do të prezantohej si ide e detajuar në nëntor 2019. Por tërmeti dhe më pas pandemia sollën një ngadalësim të këtij projekti madhor. Ne kemi rifilluar diskutimet për këtë projekt, i kemi dërguar edhe një shkresë zyrtare Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ku i kërkojmë bashkëpunim dhe mbështetje për këtë Kupë. Së fundmi kemi marrë dhe një përgjigje pozitive për të pasur përfaqësues të Ministrisë në grupin e punës që do të ngremë me FFK dhe besoj se shpejt do të kemi zhvillime interesante për një trofe që do të përfshij çdo skuadër futbolli në Shqipëri dhe Kosovë”, deklaroi Duka për Nacionalen.

Tjera nga autori:
1