<b></b> Intervistë | Enis Alushi këshillë për FFK-në: Merrni talentët e rinj me kohë, mosftesa e Paqaradës ishte gabim

Intervistë | Enis Alushi këshillë për FFK-në: Merrni talentët e rinj me kohë, mosftesa e Paqaradës ishte gabim

22.06.2022 19:48

Enis Alushi, në Mitrovicën e tij, në mars të 2014-ës, ishte pjesë e futbollistëve që shënuan historinë, duke luajtur ndeshjen e parë miqësore të Kosovës me leje nga FIFA përballë Haitit. U pensionua nga futbolli tre vjet më parë. Tani ai ka vendosur të flasë për gazetën Nacionale, për t'i komentuar zhvillimet në Kombëtaren e Kosovës. 

Për Kosovën si zëvendës kapiten dha gjithçka. Njëmend ishte kështu. Kjo fotografi që shihet më poshtë ishte shndërruar në kartolinë për shumë futbolldashës dhe përkrahës të Kombëtares dardane në 2014-en.

Gatishmëria e tij për ta ndihmuar Kosovën ishte e pashembullt. Këtë e bëri në çdo kohë, para çdo barriere - edhe atëherë kur pranimi në FIFA dhe UEFA dukej shumë larg dhe aspak si proces premtues. 

Ishte në gjendje ta digjte karrierën e tij, duke e rrezikuar atë me të vetmin qëllim për t'u paraqitur me Kosovën. Krisja e raporteve mes tij dhe Nürnberg u shpërfaq kur nuk e dëgjoi kërkesën e klubit në fjalë për të mos iu bashkuar Kosovës në ndeshjen ndaj Turqisë në vjeshtë të 2016-ës, pasi klubi pretendonte se ishte i lënduar dhe nuk mund të luante. Mirëpo, nga dëshira e madhe për të kontribuar për Kosovën (gjë të cilën e kishte prioritare), u grumbullua edhe me rrezikun për të mbetur pa klub, ashtu siç i pati ndodhur pak muaj më vonë. 


 
Enis Alushi ndër vite i ka folur të gjitha këto përvoja. Si ish-mesfushor luajti kryesisht në Bundesliga 2 me klube të ndryshme në Gjermani. Me Kosovën formoi tandemin e mesfushës me lojtarët si Rashkaj, Kryeziu dhe të tjerë. Ai ishte titullar i rregullt kur Kombëtaren e udhëhiqte Albert Bunjaki.

Alushi në një intervistë të realizuar për gazetën Nacionale, foli për Kombëtaren e Kosovës dhe zhvillimet e fundit rreth saj, me ndeshjet që u luajtën në qershor.

NACIONALE

Si ish mesfushor që dhatë gjithçka për Kosovën, duke rrezikuar karrierën e juaj, si e komentoni ecurinë e Kombëtares në vitet e fundit?

Enis Alushi:

"Kosova ka pasur një fazë kur lojtarët nuk kishin mjaft vetëbesim për shkak të rezultateve negative. Por, edhe duhet ta kuptojnë që akoma duhet kohë për zhvillim".

NACIONALE

Duke jetuar në Gjermani dhe duke punuar me futbollistë të rinj, besoj që keni pasur mundësinë t'i njihni edhe ata që janë me prejardhje nga Kosova. Pse së fundmi po vërehet një hezitim i madh për t'i pranuar ftesat e Kosovës nga lojtarët që janë të rritur në perëndim, me theks të veçantë në vendet gjermanofolëse?

Enis Alushi:

"Kjo është e vështirë për mua të përgjigjem, sepse nuk e di se në çfarë mënyre kryesia e federatës i kontakton këta futbollistë dhe çfare janë bisedat".

NACIONALE

A jeni kontaktuar nga zyrtarët e FFK-së që t'u jepet ndonjë pozitë në kuadër të rekrutimit të lojtarëve të rinj?

Enis Alushi:

"Jo, nuk jam në kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës".

NACIONALE

A do të pranonit që të ngarkohëshit me një detyrë, ku do të ishit pjesë e vendimmarrjes në përzgjedhjen e talentëve të rinj nga Gjermania?

Enis Alushi:

"Për momentin i kam projektet e mia. Kështu që, nuk kam mundësi ta pranoj një kërkesë të tillë në rast të interesimit".

NACIONALE

Si e komentoni fillimin e fushatës kualifikuese me përzgjedhësin Giresse, ku deri më tani në 4 ndeshje janë mbledhur 6 pikë, me ç'rast kemi humbur dy ndeshjet direkte ndaj Greqisë?

Enis Alushi:

"Ta them të drejtën nuk i kam ndjekur të gjitha ndeshjet. Kështu që, nuk mund ta komentoj fillimin e tij (Giresse) saktësisht. Fakti që i kemi humbur të dy ndeshjet kundër Greqisë, tregon që ende nuk e kemi arritur kualitetin e tyre".

NACIONALE

Çfarë i mungon Kosovës që ta bëjë një hap tutje? 

Enis Alushi:

"Mendoj që Kosovës i mungojnë disa lojtarë të rinj që e rrisin konkurrencën në ekip".

NACIONALE

Si e komentoni mosftesën e Leart Paqaradës në grumbullimet e fundit?

Enis Alushi:

"Mosftesa e Paqaradës është për mua gabim, sepse ka qenë në formë të jashtëzakonshme. Në sezonin e kaluar nuk kemi pasur mbrojtës të krahut të majtë më të mirë se ai".

NACIONALE

Si futbollist që në të kaluarën keni luajtur shumë vite në skuadrat gjermane, a mendoni se Paqarada ka cilësitë e duhura për të synuar të luajë në Bundesliga 1, pas një sezoni pozitiv që pati me St. Paulin?

Enis Alushi:

"Ai luan në një pozitë ku lojtarët kërkohen shumë në Gjermani, sidomos në ligën e parë. Ka zhvilluar një sezon shumë të mirë dhe besoj se ka klube të interesuara për të. Por, ka një kontratë të vlefshme me St. Paulin dhe nuk e di sa janë gjasat për t'u realizuar një transferim"

NACIONALE

Në planin personal, si po shkojnë gjërat? Cilat janë projektet me të cilat jeni duke u marrë?

Enis Alushi:

"I kam projektet me agjencinë tonë. Sidomos tani në verë jemi të zënë në fazën e transferimeve. Mirëpo, jam i zënë edhe me planifikimin e skuadrës së BFC Dynamo, aty ku jam i ngarkuar me detyrë në fjalë. I humbëm ndeshjet e play-off'it për të hyrë në ligën e tretë të Gjermanisë. Tani kemi shumë ndryshime në ekip dhe duhet të planifikojmë për ta ndërtuar një ekip të ri, i cili do të luftojë prapë për t'u ngjitur në ligën e tretë".

NACIONALE

A ka ndonjë talent të ri me prejardhje nga Kosova që ju ka lënë përshtypje të mëdha deri më tani në Gjermani? Nëse po, cili është ai?

Enis Alushi:

"Nuk është vetëm një talent. Në Gjermani ka në të gjitha ekipet lojtarë me prejardhje nga Kosova. Këta duhen të kontaktohen sa më herët prej Federatës së Futbollit të Kosovës nëse dëshirojnë t'i bindin për të luajtur për Kombëtaren e Kosovës"

 

Tjera nga autori:
1