<b></b> Irlandezët në Prishtinë: Kemi frikë nëse Kosova do të luajë sikur kundër Anglisë

Irlandezët në Prishtinë: Kemi frikë nëse Kosova do të luajë sikur kundër Anglisë

08.06.2022 14:02

Derisa po e shijojnë vendin, ushqimin dhe pijet me çmime të lira nën tingujt e muzikës së vet, të cilën e sollën me vete në njërën nga kafenetë në qendër të Prishtinës, dhjetëra tifozë të Irlandës Veriore druajnë se Kosova mund ta përsëritë ndeshjen me Anglinë kundër vendit të tyre, kur dardanët dhe Irlanda Veriore të përballen të enjten në Fadil Vokrri.

Qindra tifozë të Irlandës Veriore kanë mbërritur në Prishtinë për ta mbështetur vendin e tyre kundër verdhekaltërve në ndeshjen e rrethit të tretë të Ligës së Kombeve.

Irlanda Veriore po kalon nëpër çaste të këqija në garën më të re të UEFA-s dhe takimi me Kosovën është mundësia e fundit që ajo t’i mbajë gjallë shpresat për ta fituar Grupin 2.

Disfata kundër Greqisë dhe barazimi me Qipron nënkuptojnë se Irlanda e Veriut nuk ka shënuar fitore në 12 ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Ky është një rekord negativ për të cilin irlandezët e Veriut ndihen të turpëruar dhe tifozi i tyre Dave Mac nuk e kupton formën e tanishme të vendit të vet.

Pasi ra nga Liga B në atë C, Irlanda Veriore u fut në grup me Kosovën me besimin se mund të luftojë për vendin e parë dhe një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin e ardhshëm Evropian, por shpresat e saj tani duken të vogla.

Mac, i cili ka udhëtuar drejt Prishtinës për ta mbështetur nga tribunat e Fadil Vokrrit vendin e vet, thotë se Kosova e kishte lënë shumë mbresa në disfatën 5:3 kundër Anglisë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian në vitin 2019.

Mendoj se do të jetë shumë e vështirë nesër mbrëma. Kosova bëri një fitore shumë mbresëlënëse 2:0 (kundër Qipros). E kam parë Kosovën në TV  kundër Anglisë, dhe luajti shumë mirë, prandaj edhe kam frikë për nesër mbrëma, nëse luajnë njëlloj edhe kundër neve, atëherë do të jetë tepër vështirë”, thotë Mac.

 

Greqia është lidere e Grupit 2 me 6 pikë nga dy ndeshje, e ndjekur nga Kosova me 3 pikë dhe Irlanda e Veriut e Qipro me nga 1 pikë secila.

Ai shtoi: “Besoj se do të jetë një barazim 1:1, ose një fitore 2:1 për njërën skuadër, s’e di cilën. Tani po luajmë futbollin më të keq, pas dy viteve të mira që i kishim. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me ne, nuk mendoj se është një periudhë e tranzicionit.

Paul Puffin thotë se nuk e ka parë asnjëherë Kosovën duke luajtur futboll dhe derisa e pranon se ekipi i vet kombëtar po kalon nëpër formë të dobët, nënvizon se Irlanda Veriore ka ditur të fitojë tamam kur nuk është pritur ta bëjë.

“Kjo do të jetë hera e parë që do ta shoh Kosovën duke luajtur futboll. Kombëtarja jonë është në formë shumë të dobët tani, por ne shpesh kemi ditur të fitojmë bash kur s’e kemi pritur”, theksoi Puffin.

“Kosova vend i dashur dhe me njerëz paqësorë”

Për dhjetëra irlandezë veriorë më të cilët bisedova, pothuajse të gjithë për herë të parë në Prishtinë, Kosova është një vend shumë paqësor dhe i lirë.

Ata po e shijonin birrën dukshëm kur unë mbërrita në njërën prej kafeneve në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe ndër gjërat e para që ma thanë për Kosovën ishte çmimi i lirë i saj. Natyrisht, i lirë për standardin e jetesës së një banori të Irlandës Veriore, ua kujtova.

“Hera e parë që e vizitoj Kosovën, qenka një vend i dashur dhe paqësor me qytetarë shumë miqësorë, duke u prezantuar para neve dhe duke na uruar të kalojmë kohë të mirë dhe duke na udhëzuar cilat vende t’i vizitojmë. Është vend i mrekullueshëm për çdo turist. Shpresoj se do të vijmë këtu përsëri, është ndër vendet e mia të preferuara tani. Dhe është i lirë po ashtu”, nënvizoi Mac.

Puffin e kishte sjellë muzikën irlandeze me vete në kafene përmes një zmadhuese zëri me bluetooth, i painteresuar në muzikën që ofronte lokali ku po qëndronin.

“Kosova qenka vend shumë i dashur, me njerëz miqësorë dhe të gjindshëm. Erdha të dielën dhe do të shkojë të premten. Kudo që shkojmë, shkojmë me muzikën tonë”, tregoi ai.

Ai ishte i mahnitur nga çmimi i lirë i birrës dhe pijeve e ushqimit në përgjithësi në Prishtinë: “Këtu gjithçka ka çmim të lirë, si birra për shembull. Këtu kafenetë duken gjithmonë të mbushura me njerëz, por duket se kosovarët pikan vetëm kafe dhe ujë, për dallim nga ne që na pëlqen të pimë vetëm birra.”

Tjera nga autori:
1