<b></b> Ish-kapiteni i Rusisë: Kam frikë se do të më vrasin por çfarë po bën Putini është katastrofë

Ish-kapiteni i Rusisë: Kam frikë se do të më vrasin por çfarë po bën Putini është katastrofë

16.06.2022 13:27

Ish-kapiteni i Kombëtares së Rusisë, Igor Denisov, thotë se ndihet i rrezikuar nga vrasja apo burgu duke folur publikisht kundër, siç e quan ai, pushtimin katastrofë të Vladimir Putinit në Ukrainë.

Sipas ligjit të miratuar së fundmi nga parlamenti rus, kushdo që i kundërshton veprimet ushtarake të Rusisë përballet me dënim me burgim deri në 15 vjet.

Por kjo nuk e ka frenuar Denisovin, ish-mesfushorin i cili e udhëhoqi Rusisë si kapiten nga viti 2012 deri në vitin 2016, nga kritikat për luftën brutale të Rusisë në Ukrainë.

“Këto ngjarje janë katastrofë. Është e tmerrshme. Nuk jam i sigurt se a do të burgosem apo do të vritem për këto fjalë, por po e them atë që është”, tha Denisov për Nobel.

38-vjeçari tha se nuk ndien më krenari për vendin e vet dhe se madje i ka shkruar letër presidentit Putin për t’i kërkuar ta ndalë luftën, si pasojë e të cilës janë vrarë mijëra njerëz dhe janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre miliona të tjerë.

Denisov, i cili luajti për klubet ruse Zenit Saint Petersburg, Dynamo Moscow dhe Lokomotiv Moscow gjatë karrierës së tij si futbollist, ishte lojtar me ndikim në ekipin kombëtar të Rusisë.

Ai e përfaqësoi Rusinë në 54 ndeshje nga viti 2008 deri në vitin 2016, përfshirë në Kampionatin Evropian 2012 dhe në Kupën e Botës 2014.

Rusia është pezulluar nga çdo turne ndërkombëtar si pasojë e pushtimit të Ukrainës, ndërsa edhe klubet e saj e kanë të ndaluar pjesëmarrjen në garat evropiane, si Liga e Kampionëve.

Denisov nuk është sportisti i parë rus që flet haptazi kundër luftës së Putinit. Këtë e bëri edhe tenisti Andrey Rublev, i cili shkroi “jo luftë, ju lutëm”, në syrin e kamerës pas një ndeshjeje tenisi në Dubai kur pati nisur pushtimi në shkurt.

Tjera nga autori:
1