<b></b> Izraeli fundos Shqipërinë në Tiranë, fiton me përmbysje

Izraeli fundos Shqipërinë në Tiranë, fiton me përmbysje

10.06.2022 22:49
Kombëtarja e Shqipërisë ka zhgënjyer të gjithë tifozët e saj, duke shënuar humbje me përmbysje ndaj Izraelit në Air Albania.

Në fakt, fillimi i ndeshjes nuk ishte i keq për Shqipërinë. Kombëtarja kuqezi insistonte me aksionet sulmuese që ta zhbllokonte rezultatin në minutat e para të ndeshjes. Edhe ritmi i lojës nuk linte për të dëshiruar. 

Më i dalluari në pjesën e parë ishte Armando Broja, me depërtimet e tij të shpeshta dhe të sakta, duke u bërë i pakapshëm për mbrojtjen mysafire. 

Shqipëria fillimisht mori një penallti në minutën e 25-të, kur njëri nga mbrojtësit izraelitë luajti me dorë, por gjyqtari i ndeshjes, pasi e rishikoi rastin në ekranin e VAR-it, vendosi ta kthejë mbrapa vendimin e tij. 

Gjithsesi, pak para se të mbyllej pjesa e parë, Shqipërisë njëmend iu akordua penalltia. Nga pika e bardhë goditi saktë Armando Broja 45+2', për ta dërguar ekipin kombëtar shqiptar në epërsi në pauzë mes dy pjesëlojëve.

Në pjesën e dytë, Shqipëria hyri me një ritëm loje shterrpe. Në përgjithësi uli tempon e lojës. Kjo u vu re nga fillimi. Diçka e tillë u kushtoi shtrenjtë. 

Asllani dhe Bajrami nuk ishin në formën më të mirë, njësoj sikur e gjithë mesfusha. Kështu, Izraeli filloi të sulmonte dhe ta kërkonte golin e barazimit. Atë e gjeti në minutën e 57-t me Solomon, i cili finalizoi një aksion shumë të bukur, i cili u ndërtua nga kombëtarja mysafire nga krahu i majtë i fushës, me një dalje të shpejtë.

Në vazhdim Shqipëria humbi orientimin në lojë dhe ishte e paqartë në manovrat sulmuese. Organizimi në lojë i mungonte kombëtares së drejtuar nga Edy Reja. 

Izraeli përfitoi nga ky ç'orientim dhe shënoi golin e dytë në minutën e 73-të, sërish me Solomon, si sulmuesi më i spikatur që kanë në radhët e veta.

Ndeshja u luajt deri në minutën e 98-të, ku pati shumë nervozizëm e ndërprerje dhe një gol të anuluar për Shqipërinë, respektivisht i Hysajt, për shkak të një pozite jashtë loje. Ndërkaq, Izraeli me pak fat mund të shënonte edhe një gol tjetër, por nuk ishin pragmatik aq sa duhej. 

Shqipëria me këtë humbje katandiset në pozitën e tretë me 1 pikë të grumbulluar në dy ndeshje të zhvilluara. Në grupin 2 të Ligës C deri më tani prin Izraeli me 4 pikë, e pasuar nga Islanda me 2 sosh.

Kjo ishte ndeshja e fundit zyrtare që kombëtarja kuqezi e zhvilloi gjatë grumbullimit të qershorit. Ndeshjen tjetër që do ta zhvillojë Shqipëria do të jetë e karakterit miqësor, ku do të luajë kundër Estonisë më 13 qershor.

 

Tjera nga autori:
1