<b></b> “Jo, s’kam marrëveshje me Gjilanin” – Ramadani mohon raportimet e fundit

“Jo, s’kam marrëveshje me Gjilanin” – Ramadani mohon raportimet e fundit

02.06.2022 20:43

Trajneri Zekirija Ramadani ka hedhur poshtë raportimet që ka arritur marrëveshje me skuadrën e Gjilanit.

Gjatë orëve të fundit ka pasur raportime nga mediat lokale, që tekniku maqedonas ka arritur marrëveshje personale me skuadrën gjilanase, por kjo është hedhur poshtë nga vetë tranjeri.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar 44-vjeçarin, i cili theksoi se momentalisht nuk ka arritur marrëveshje me asnjë skuadër nga Kosova, por që është në negociata me dy prej tyre.

Jo, nuk kam arrit asnjë marrëveshje me asnjërën skuadër. Momentalisht jam në negociata me dy klube nga Kosova, por që ende nuk ka asnjë marrëveshje”.

Por, pastaj Ramadani theksoi se ekziston mundësia që me ndonjëren nga këto dy klube të zyrtarizohet brenda javës.

Nëse të them se kam marrëveshje, atëherë i bie që po gënjëjë. Nuk po di kah po i nxjerrin këto informata. Të shohim si do të shkojë situata. Ndoshta zyrtarizohet njëra brenda javës sepse dyjat nuk kanë mundësi (qesh)”, nënvizoi ai për Gazetën Nacionale.

Gjatë javës së fundit ka pasur spekulime që përpos Gjilanit edhe FC Prishtina është në negociata për ta rikthyer Ramadanin, por ky i fundit nuk pranoi të flet me emra të klubeve.

Zekirija Ramadani mbetet një ndër trajnerët më të suksesshëm në Kosovë, e sidomos më i suksesshmi që vije nga shtetet fqinjë, pasi ka fituar tre tituj të Superligës së Kosovës.

Tekniku maqedonas fitoi titullin e parë me Trepçën ’89, pastaj e vazhdoi suksesin me Feronikelin, derisa vitin e kaluar e fitoi me klubin nga kryeqyteti FC Prishtina.

Ai u largua në nëntorin e kaluar nga Prishtina pas një problemi me bordin kryesor, duke marrë drejtimin e klubit shqiptar Egnatia, duke iu ndihmuar që të qëndrojnë në Superligën e Shqipërisë – por që pastaj nuk e vazhduan bashkëpunimin.

Kështu, mbetet të shihet gjatë ditëve të ardhshme se cilin ‘timon’ do ta marrë Ramadani, pasi që veçse u konfirmua se do rikthehet sërish në Kosovë.

Tjera nga autori:
1