<b></b> Mourinho: Shqiptarët e meritojnë organizimin e kësaj finaleje

Mourinho: Shqiptarët e meritojnë organizimin e kësaj finaleje

24.05.2022 18:27

Nesër në stadiumin kombëtar të Shqipërisë do të zhvillohet finalja e parë e Ligës së Konferencës, kompeticionit më të ri nën umbrellën e UEFA-s. Shqipëria si vend do të jetë nikoqir për herë të parë i një ngjarje të këtij dimensioni. Për më tepër, kryeqyteti shqiptar do të mbahet mend edhe si i pari ku është zhvilluar finalja e parë e kompeticionit në fjalë. Për trajnerin portugez të Romës, Josè Mourinho, me plot të drejtë i është caktuar Shqipërisë kjo finale.

Para pak çasteve përfundoi konferenca për shtyp e Mourinhos, në prag të finales të Ligës së Konferencës që skuadra e tij do ta zhvillojë ndaj Feyenoord. Ai foli për shumëçka, por vuri theksin edhe te organizatori i kësaj finaleje, shteti shqiptar, respektivisht Tirana, pasi në qarqe të ndryshme italiane u kritikua një vendim i tillë që e mori UEFA, me pretekstin që kapaciteti i stadiumit lë për të dëshiruar për ngjarje të tilla. Mirëpo, i të njëjtit mendim nuk është edhe trajneri i Romës, Mourinho.

"Kam luajtur një finale në Maqedoni të Veriut [Manchester United : Real Madrid] dhe ishte një përvojë tejet e bukur. E njëjta vlen edhe për Tiranën. Ata [shqiptarët] e meritojnë një organizim të tillë, për shkak të zhvillimit që ka pasur vendi i tyre. Ka një ndjenjë për Romën, sepse kemi një lojtar shqiptar në radhët tona dhe mendoj që kjo logjikë është normale. Nëse Roma e fiton këtë finale, atëherë një lojtar shqiptar do ta ketë kupën në duart e tij dhe kjo ka një domethënie të rëndësishme.

"Stadiumi është shumë, shumë i bukur. Mëkat për kapacitetin e ulët që nuk ia del t'i kënaqë të gjithë tifozët, por jam i lumtur që vi të luaj këtu", u përgjigj Josè Mourinho në pyetjet e gazetarëve. 

I pyetur nga gazetarët shqiptarë rreth të ardhmes së Marash Kumbullës, Mourinho ishte i qartë në përgjigjen e tij.

"Marashi më shkaktoi shumë dhimbje me lëndimin që e pësova nga ai. Pastaj, kemi të bëjmë me lojtarin që peshon më së shumti në skuadër. E gjeta veten me një këmbë që nuk e zinte më as këpuca [tha duke qeshur]. Shakatë anash, Marashi është një çun i mbarë. Ka mësuar shumë në këtë sezon dhe në sezonin tjetër ai do të jetë pjesë e jona 100%, sepse ka potencial për t'u shndërruar në lojtar akoma më të mirë", nënvizoi Mourinho.

Ai ndër të tjera komentoi edhe finalen e nesërme nga këndvështrimet tjera. Për Romën dhe Mourinhon kjo finale do të thotë shumë, pasi është vendosur si prioriteti kyç i këtij sezoni.

"Finalja e një kompeticioni evropian është gjithmonë ndeshja e fundit e sezonit. Puna është kryer dhe neve s'na ka mbetur asgjë tjetër të bëjmë. Lidershipi nuk vendoset në tavolinë ose të gjendet një defekt për dy ditë. Tashmë gjithçka ka përfunduar. 

"Nesër është dita e lojtarëve, ku ne trajnerët jemi jashtë skenës kryesore. Ne do të mundohemi që ta lexojmë rrjedhën e lojës dhe ta ndihmojmë skuadrën. Puna është bërë. Fatmirësisht, ndeshja e fundit e këtij sezoni për neve është një finnale dhe jemi të lumtur ta luajmë me qasjen e duhur", shtoi trajneri portugez.

Finalja e nesërme mes Romës dhe Feyenoord do të luhet në ora 21:00 në 'Air Albania' në Tiranë. Roma përgjithësisht ka organikën thuajse të kompletuar, ku edhe Mkhitaryan ia doli të rekuperohet me kohë. Ndërkaq, në anën tjetër, skuadra holandeze Feyenoord që rrugëtimin për të arritur deri te kjo finale e nisi nga Prishtina me sfidën përballë Dritës, nuk do të mund të llogarisë në Bassett dhe Troost

 

Gjatë ditës së sotme kanë aderuar në tokën shqiptare një numër i madhe i aeroplanëve nga Holanda dhe Italia, për ta bërë Tiranën një kryeqytet ku po mbizotëron festa sportive. Interesimi për bileta ka qenë tejet i lartë. Ato janë shitur dhe po vazhdojnë të shiten akoma edhe në treg të zi me çmime faraonike, deri në mijëra euro. Në këtë finale do të jetë i pranishëm edhe i pari i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili sot pasdite mbërrijti në Tiranë.

Një stadium me 21 mijë shikues ndoshta nuk do t'i plotësojë nevojat e të gjithë shikuesve dhe të apasionuarve të futbollit në përgjithësi, por është kartolinë e bukur për Shqipërinë si shtet dhe shqiptarët si kombas, që të jenë organizatorë të kësaj ngjarjeje me peshë të rëndësishme.

 

Tjera nga autori:
1