KB Prishtina në negociata për rikthimin e Dardan Berishës, e konfirmon Edmond Azemi - NACIONALE

KB Prishtina në negociata për rikthimin e Dardan Berishës, e konfirmon Edmond Azemi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori gjeneral i klubit basketbollistik Prishtina, Edmond Azemi ka paralajmëruar rikthimin e mundshëm të Dardan Berishës, në një prononcim për Gazetën Nacionale.

Berisha para tre viteve u largua nga Prishtina, për t’iu bashkuar Pejës, mirëpo tani është në negociata për një rikthim të mundshëm në kryeqytet.

Ish basketbollisti, tani drejtor i klubit – Edmond Azemi për Gazetën Nacionale ka konfirmuar se janë në negociata me Berishën, por momentalisht nuk ka asgjë konkrete.

Po, është e vërtet që kemi pasur negociata me Dardan Berishën, por që nuk ka pasur asgjë konkrete. Ne e pëlqejmë Dardanin shumë, unë si bashkëlojtar i tij e di shumë mirë se çfarë shtytje i jep lojtarëve të tjerë. Kemi interesim për rikthimin e Berishës, kemi biseduar me të, është një prej lojtarëve që Prishtina i ka target”.

Tutje, Azemi zbulon se edhe Berisha ka interesim për rikthimin te Prishtina, por që së shpejti do të mësohet nëse do të gjejnë marrëveshje.

Dardan Berisha gjithashtu ka interesim për rikthimin te Prishtina, ka pasur interesim edhe në të kaluarën. Ende nuk kemi vendosur me objektiva që të garojmë për titull, normal e kemi marrë trajnerin e mirë sepse duam që lojtarët tanë të përmirësohen. Tash të shohim nëse Dardani dëshiron të rikthehet dhe nëse do të gjejmë marrëveshje. Me ardhjen e tij, lojtarët e tjerë do të kishin një shtyrje më të madhe e ndoshta do luftonin edhe për titull”.

I pyetur për synimet në edicionin e ardhshëm, Azemi nënvizoi se prioriteti kryesor është që lojtarët t’i përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare.

Synimi ynë nuk është të luftojmë për titull, unë shpesh herë e kam thënë këtë gjë. Objektivi ynë është që t’iu japim minuta lojtarëve të rinj, me shpresën që këtë lojtarë në të ardhmen e afërme të na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare”, përfundoi ai për Nacionalen.

Sidoqoftë, situata nuk është aq e thjeshtë për FC Prishtinën që të sigurojë shërbimet e Dardan Berishës, pasi nuk është klubi i vetëm i interesuar për lojtarin.

Gazeta Nacionale me burime të sigurta merr vesh që përpos Prishtinës, edhe kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli është duke provuar ta ‘rrëmbejë’ lojtarin. Me largimin e Erjon Kastratit që do t’i bashkohet Trepçës (ka mbetur vetëm zyrtarizimi), klubi nga Suhareka e sheh yllin e Pejës si zëvendësuesi adekuat.

Lajme të ngjashme