<b></b> KFF Mitrovica e çon FFK-në në UEFA, e akuzon për shkelje të rënda

KFF Mitrovica e çon FFK-në në UEFA, e akuzon për shkelje të rënda

01.06.2022 12:42

KFF Mitrovica i është drejtuar UEFA-s me një letër në të cilën e akuzon Federatën e Futbollit të Kosovës për shkelje të statutit dhe rregulloreve të veta dhe të rregullores së shtëpisë së futbollit evropian për licencimin e klubeve për garat evropiane.

Kampionia e Kosovës në futbollin e grave EP-Com Hajvalia u licencua nga FFK-ja dhe do të garojë në kualifikime për Ligën e Kampionëve të Grave, megjithëse kërkesa fillestare për licencim i ishte hedhur poshtë, ndërsa KFF Mitrovica si fituese e Kupës së Koosvës dhe nënkampione u licencua për të marrë pjesë në kualifikime për Ligën e Evropës.

Në letrën dërguar UEFA-s, të cilën e ka parë Gazeta Nacionale, Mitrovica e akuzon FFK-së se e licencoi klubin e Hajvalisë “pavarësisht se ajo nuk i ka plotësuar kërkesat për licencim, sepse nuk ka klub për të reja dhe nuk i ka kryer detyrimet financiare”.

Sipas rregullores 18 të UEFA-s, një klub detyrohet ta ketë të paktën një klub për të reja, përveç klubit të senioreve, për të qenë në gjendje të licencohet për garat evropiane.

Nuk ka ndonjë dëshmi për ekzistencën e ndonjë klubi të vashave të reja nën ombrellën e EP-Com Hajvalia dhe presidenti i KFF Mitrovicës Hajrullah Haxhiu thotë se FFK-ja nuk i ka dhënë qasje në dokumentet zyrtare për ta dëshmuar këtë.

Ai pretendon se EP-Com Hajvalia arriti marrëveshje me ekipin e të rejave nga Millosheva, Ardhmëria, që ajo të shkrihej në klubin e Hajvalisë në mënyrë që ta plotësojë kushtin për licencim.

“Ai klub nuk ka ekip të vetin për reja. Ata kanë bërë fuzionim të një klubi, Ardhmëria nga klubi i Milloshevës, gjë që nuk kanë drejt ta bëjnë”, tha Haxhiu për Gazetën Nacionale.

Në letër, KFF Mitrovica e akuzon po ashtu FFK-në për shkelje të rregullores së vet duke ia pranuar Ep-Com Hajvalisë aplikimin për licencim pas afatit.

EP-Com Hajvalia i dha fund mbizotërimit katërvjçar të KFF Mitrovicës në futbollin e grave, duke e fituar titullin këtë sezon. Mitrovica, megjithatë, nuk mbeti duar thatë dhe e fitoi Kupën e Kosovës.

Por Hajrullahu, i cili thotë se nuk dëshiron t’ua mohojë meritat në fushë Ep-Com Hajvalisë, këmbëngul se ajo nuk meriton të licencohet për shkak të mosplotësimit të kushteve jashtë fushës.

“Ata duhet ta bëjnë këtë një muaj pa filluar sezoni, por këta e kanë bërë fuzionimin në fund me këtë ndryshim kanë aplikuar për herë të dytë dhe i është pranuar licencimi. Por ky është falsifikim. Këto janë dokumente false. Kjo është shkelje e rregullores”, tha Hajruhall Haxhiu për Gazetën Nacionale.

Tjera nga autori:
1