Kampionë në ditën e fundit: A do të përsëritet historia sot në Premierligë dhe Serie A? - NACIONALE

Kampionë në ditën e fundit: A do të përsëritet historia sot në Premierligë dhe Serie A?

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Si rrallë herë, Premierliga dhe Serie A – dy prej ligave kryesore evropiane – do ta mësojnë kampionin e vet në ditën e fundit të sezonit. Herën e fundit kur një gjë e tillë kishte ndodhur në këto liga, ishte shkruar historia.

Manchester City dhe Milani do të futën në ditën e fundit të sezonit në Angli dhe Itali, përkatësisht, me përparësinë për t’u shpallur kampionë. Për skuadrën e Pep Guardiolës do të nënkuptonte titulli i dytë radhazi në Premierligë, e për kuqezinjtë e Stefano Piolit titulli i parë në Serie A pas plot 11 viteve.

Por të etur për ta shfrytëzuar çdo lëshim të mundshëm të tyre aty janë Liverpooli dhe Interi.

Dita e fundit e sezonit në Premierligë: Manchester City – Aston Villa, Liverpool – Wolves.

Manchester City është lider me 90 pikë, i ndjekur nga Liverpooli me vetëm një pikë më pak.

Skuadra e Pep Guardiolës e pret Aston Villën, ndërsa ajo e Jurgen Kloppit e pret Wolvesin.

Të dy ndeshjet do të luhen sot në orën e njëjtë, 17:00.

Villa dhe Wolves nuk do të ketë për çfarë të luftojnë në ditën e fundit të sezonit, pasi janë jashtë Evropës tashmë.

Megjithatë, Villa udhëhiqet nga legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, i cili – pasi ka dështuar ta fitojë titullin në Premierligë si futbollist i të kuqve, mund ta ndiejë nevojën për t’i bërë nder klubit të fëmijërisë.

Nëse City e mund Villën atëherë do ta fitojë titullin, pavarësisht rezultatit në ndeshjen tjetër Liverpool – Wolves.

Një barazim mes City dhe Villës dhe një fitore e Liverpoolit kundër Wolves do ta shpallte Liverpoolin kampion në ditën e fundit të sezonit.

Hera e fundit kur mrekullia ndodhi në ditën e fundit të sezonit në Premierligë ishte edicioni 2011/12, kur pikërisht Manchester City e mundi QPR-në 3:2 në kohën shtesë për ta fituar titullin e parë në Premierligë. Manchester Unitedi e kishte fituar ndeshjen e vet dhe po priste në një dështim të Cityt për t’u shpallur kampion. Ai sezonit ka mbetur në historinë e futbollit anglez si sezoni me përfundimin më drithërues.

Dita e fundit e sezonit në Serie A: Inter – Sampdoria, Sassuolo – Milan

Hera e fundit kur një ekip e humbi titullin nga dora në ditën e fundit të sezonit në Serie A ndodhi dy dekada më parë, në vitin 2002, dhe i kishte ndodhur pikërisht Interit.

Interi shpreson, megjithatë, se ketë herë do t’i buzëqeshë fati i mirë dhe se Sassuolo do t’i bëjë nder për t’ia mundësuar fitimin e titullit të dytë radhazi.

Por Sassuolo dhe Sampdoria nuk kanë për çfarë të luajnë më këtë sezon, pasi kjo e fundit e siguroi mbijetesën javë më parë.

Ndeshjet Inter Sampdoria dhe Sassuolo Milan luhen sot në orën e njëjtë, 18:00.

Milani e ka përparësinë, sepse është lider me 83 pikë dhe barazimi me Sassuolon e papërshtatshme do t’i mjaftonte për t’u shpallur kampion edhe me pikë të barabarta me Interin.

Në Itali shikohen takimet kokë më kokë për të vendosur fituesin nëse dy ekipet e para kanë pikë të barabarta në tabelë në fund të sezonit. Milani e ka një fitore edhe një barazim në dy përballje me Interin këtë sezon.

E vetmja mënyrë që Interi të shpallet kampion është ta mposhtë Sampdorian dhe Sassuolo ta mundë Milanin.

Më 5 maj 2002, Interi kishte udhëtuar drejt kryeqytetit italian në ditën e fundit të sezonit, si lider i ligës por në një luftë të ashpër trifrontëshe për titull.

Pavarësisht se Roma ishte në garë për titull, rivali i përbetuar i Lazios, kjo e fundit e mundi 4:2 Interin dhe si pasojë Juventusi e fitoi titullin.

Lajme të ngjashme