Katër ndeshje në qershor për Kosovën, më të rejat rreth grumbullimit, listës dhe... Leart Paqaradës! - NACIONALE

Katër ndeshje në qershor për Kosovën, më të rejat rreth grumbullimit, listës dhe... Leart Paqaradës!

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ky do të jetë muaji i dytë qershor që Kosova do t'i luajë katër ndeshje në një kalendar të ngjeshur. Diçka të tillë e bënte edhe vitin e kaluar, veçse kësaj here dallimi është se bëhet fjalë për ndeshje jetike kualifikuese dhe jo miqësore. Burimet pranë kombëtares dardane bëjnë të ditur që një pjesë enorme e ftesave janë proceduar qysh në mes të fundjavës së kaluar dhe fillimit të javës aktuale.

Tradicionalisht Kosova si kombëtare ka qenë konservatore në listat që i ka publikuar sa i përket lojtarëve që i ka përfshirë në të. Ka pasur raste kur ndeshjet në fazë vendimtare janë luajtur me më pak se 20 futbollistë në gatishmëri. Tani me afrimin e grumbullimit të radhës, nga shumë qarqe është përmendur nevoja që të rritet numri i lojtarëve në listë, për të pasur sa më shumë alternativa, duke llogaritur këtu edhe mundësinë e lëndimeve, aq më shumë kur këto ndeshje vijnë në një periudhë kohore ku lojtarët janë në kufijtë e energjive të konsumuara dhe shterruara përgjatë një edicioni rraskapitës, ku i kanë luajtur me raste deri në afro 45-50 ndeshje me skuadrat respektive.

Mirëpo, burimet brenda Kombëtares së Kosovës, deri në fazën e tanishme konfirmojnë që ka një ngurrim edhe nga përzgjedhësi i ri, Alain Giresse, që të ftojë më shumë se sa 23 deri në 25 futbollistë, pavarësisht se sa mund të jetë orari i ngjeshur dhe me çfarë vështirësish mund të përballemi.

Po ashtu, burime të ndryshme kanë bërë të ditur që një pjesë e madhe e futbollistëve që nuk janë ftuar në grumbullimin e marsit, nuk do të ftohen as kësaj radhe. Bëhet fjalë për emrat si Bersant Celina, Bernard Berisha dhe të tjerë. Lojtarët e sipërpërmendur deri në ditën e sotme akoma nuk kanë pranuar ftesë nga Kombëtarja e Kosovës.



Ndër të tjera, sulmuesi prizrenas, Celina, gjatë këtyre ditëve po e definon edhe të ardhmen e tij, pasi huazimi në Ipswich është në përfundim e sipër.

Sidoqoftë, një emër ka nxitur debat publik më shumë sesa çdo njeri tjetër: Leart Paqarada.

Një vit e pak muaj kanë kaluar që prej një shkrese të tij publike, ku bënte të qartë vendimin që kishte marrë se nuk do ta pranonte ftesën e Kombëtares së Kosovës deri në ndryshim të stafit teknik, i mllefosur dhe pakënaqur nga trajtimi që i bënte Bernard Challandes.

Nga ajo që është mësuar përmes burimeve të cilët dëshiruan të mbeten anonimë, nënkuptohet se Leart Paqarada nuk do të ftohet as kësaj radhe. Ai akoma nuk ka pranuar ftesë dhe një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as në ditët në vijim, përveç nëse bëhet ndonjë vlerësim tjetër i situatës, i cili do të pasonte me një ndryshim të pozicionit karshi tij. Duket që akoma nuk është tejkaluar pezmi i marsit dhe prillit të vitit të kaluar.

Duhet saktësuar fakti që akoma nuk është asgjë definitive dhe në ditët në vazhdim do të merren të gjitha masat, por tani për tani kështu qëndrojnë hapat e ndërmarrë.

Në çdo rast, Kosova po mendon që ta bartë mbi supe rrezikun e të paraqiturit në katër ndeshje kualifikuese pa një mbrojtës të krahut të majtë natyral. Diçka të tillë e bëri edhe në dy ndeshjet e marsit, por ato ishin të karakterit miqësor.

Gjithsesi, grumbullimi i Kosovës kësaj radhe nuk do të nisë sikurse herave tjera, ku çdoherë lojtarët fillonin të mblidheshin gjatë ditës së diel, ndërsa në ditën e hënë i fillonin stërvitjet e para. Në rastin konkret, përmes asaj që bëjnë të ditur disa burime, idea është që të përfitohet nga rasti që kampionatet në shumicën e vendeve evropiane përfundojnë në këtë fundjavë dhe për këtë arsye grumbullimi i Kosovës pritet të nisë të premten e ardhshme.

Akoma nuk dihet se çfarë do të ndodhë me lojtarë të caktuar që vijnë nga kampionatet ku sezoni veçse ka filluar, si në rastin e Astrit Selmanit, i cili nuk është e qartë se kur do të mund të grumbullohet saktësisht, meqë ka në program ndeshje me skuadrën e tij. Megjithëse, kur jemi te ky i fundit, duhet thënë se i njëjti ka krisur raportet me stafin e tij teknik në Hammarby dhe çdoherë e më shumë është afër largimit.

Sa i përket Mërgim Vojvodës, i cili u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë gjatë javës së kaluar ndaj Veronas për shkak të një lëndimi, do t'i shtrengojë dhëmbët dhe do të jetë në gatishmëri për të luajtur me Kosovën. Kështu të paktën mesohet se janë besimplotë pjesëtarët e stafit teknik të kombëtares.

Ndeshjet që Kosova ka në program gjatë muajit qershor në Ligën e Kombeve, janë përballë Qipros në udhëtim më 2 qershor, Greqisë në Prishtinë më 5 qershor, Irlandës së Veriut më 9 qershor gjithmonë në Prishtinë, si dhe Greqisë në Athinë më 12 qershor.

Pra, brenda dhjetë ditësh do të zhvillohen katër ndeshje, aty ku do të mësohet në vijë të trashë edhe fati që do ta ketë ekipi kombëtar dardan në Ligën e Kombeve në grupin 2 ku bën pjesë.

Lajme të ngjashme