<b></b> “Kjo s’është ditë hidhërimi, por ditë gëzimi” - Marcelo largohet nga Real Madridi si legjendë

“Kjo s’është ditë hidhërimi, por ditë gëzimi” - Marcelo largohet nga Real Madridi si legjendë

30.05.2022 16:02

Pesëmbëdhjetë vite pasi erdhi në Real Madrid me plan për ta pasuar Roberto Carlosin, Marcelo do të largohet nga gjiganti evropian si lojtari më i dekoruar në historinë e klubit.

Muajin e kaluar mbrojtësi 34-vjeçar e kaloi Paco Genton si lojtari me më së shumti trofe të fituar me Real Madridin, pasi e fitoi La Ligën për herë të gjashtë dhe me triumfin e së shtunës në Ligën e Kampionëve kundër Liverpoolit, ai tani ka 25 trofe në përgjithësi në karrierë për Los Blancos.

“Është një emocion i jashtëzakonshëm, sepse është ndeshja ime e fundit në Real Madrid. Të largohem me një trofe të Ligës së Kampionëve është gëzim i madh. Nuk është ditë pikëllimi”, tha Marcelo pas fitores 1:0 në Paris.

Megjithëse nuk u paraqit në finale, Marcelo ishte i zëshëm nga stoli derisa shokët e vet po e fitonin kupën e 14-të evropiane për Realin dhe ai e çoi lart trofeun, para se t’i printe festes në Plaza de Cibeles në Madrid të dielën.

“Ky është një çast i mrekullueshëm në jetën time. Këtu po e mbyll një cikël, në klubin më të mirë në botë”, shtoi Marcelo, i cili tha se kishte ëndërruar ta çonte lart këtë trofe pasi e kishte zëvendësuar Sergio Ramosin si kapiten këtë sezon.

“Sot nuk është një ditë trishtimi, por një ditë gëzimi sepse ne përsëri e fituam kampionatin më të mirë në botë. Unë jam shumë krenar me veten dhe familja ime me mua. Ne i kemi përjetuar shumë net magjike së bashku”.

Ai shtoi: “Po ju them një gjë, e ardhmja e Madridit është shumë e mirë me lojtarët e rinj. Hala Marid!”

Ish-presidenti Roman Calderon e kishte përshkruar Marcelon si “një xhevahir që gjysma e Evropës e dëshiron” kur Real Madridi e bindi 19-vjeçarin t’i bashkohej klubit nga Fluminese në janar 2007.

Carlosi kishte qenë zgjedhja e parë e Realit për një dekadë dhe ishte dikush të cilin Marcelo e konsideronte idhull. “Për mua ai ishte zot. Ta vija në ekipin ku ishte ai dhe të luaja në pozitën e njëjtë, nuk mund ta besoja”, kujton Marcelo.

Carlosi u largua drejt Fenerbahces në të njëjtën verë dhe tani thotë se Marcelo është bërë futbollist më i mirë se seç ka qenë ai.

Vërtet, Marceli i bëri më shumë se 500 paraqitje për Realin, duke e fituar jo vetëm Ligën e Kampionëve dhe La Ligën, por edhe Kupën e Botës për Klube, Superkupën Evropiane, Superkupën Spanjolle dhe Kupën e Mbretit.

Trajneri i Realit Carlo Ancelotti e ka përshkruar Marcelon si legjendë dhe mik.

Tjera nga autori:
1