<b></b> Kololli 13 minuta lojë në 9 ndeshje, por prapëseprapë ftohet në Kombëtare

Kololli 13 minuta lojë në 9 ndeshje, por prapëseprapë ftohet në Kombëtare

27.05.2022 19:04

Benjamin Kololli, gjatë korrikut të vitit të kaluar, në moshë 29-vjeçe vendosi që karrierën e tij ta vazhdojë në kontinetin aziatik, respektivisht te Shimizu S-Pulse, ekip i cili bën pjesë në kampionatin japonez. Një lëvizje e tillë pas 12 vjet aktivizim në futbollin helvet u duk si vetëpërjashtim nga kombëtarja e Kosovës. Ra në formë, ra në çdo element të lojës. Kur luante titullar nuk ftohej. Në momentin kur e kaploi kriza e formës si futbollist, duke vuajtur nga lëndimet dhe mungesa e minutazhit, rigjeti ftesën e Kosovës. Histori e vërtetë, edhe pse në thelb është paradoksale.

Mesfushori sulmues, Kololli, para pak vitesh ishte ndër lojtarët kryesorë të Kosovës. Sidomos në fushatën kualifikuese të 2018-ës në Ligën e Kombeve. Ai ishte kryefjala e shumë ndeshjeve. Kujtojmë përballjet ndaj Ishujve Faroe në Prishtinë, atë ndaj Maltës, e të tjera që pastaj vijuan edhe në fushatën e rregullt kualifikuese, sikur paraqitja sublime në Sofje të Bullgarisë. 

Megjithatë, forma nuk është e përjetshme. Ajo shënon luhatje me kalimin e kohës. Në rastin e Kolollit ka shënuar një lëkundje tektonike paksa të frikshme në dy vitet e fundit. Asnjëherë më pak i aktivizuar dhe i lënë nën hije sesa në javët e fundit. Patjetër që kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, si lëndimi që e la jashtë fushave të blerta gjatë tërë muajit prill. 

Në çdo skenar, po flasim për një lojtar që po vuan shumë ambientimin në futbollin japonez. Ai në sezonin e sivjem po angazhohet në pozitën e qendërsulmuesit në skemën 4-4-2. Edhe te kombëtarja e Kosovës i kishte luajtur disa ndeshje në këtë pozitë, veçanërisht përballë Moldavisë në ndeshjen e parë të luajtur në territorin italian. Si lojtar polivalent, në fakt te ekipi kombëtar kosovar është vendosur në shumë pjesë të fushës, për t'i mbuluar shumë role: nga mbrojtësi i majtë, te mesfushori sulmues i majtë, mesfushori i djathtë, sulmuesi i dytë dhe qendërsulmues. 

Tani, kur Kosova nuk e ka dhënë asnjë arsyetim për mosftesën e Astrit Selmanit dhe ku në listën e publikuar nga Giresse për ndeshjet e qershorit nuk figuron asnjë qendërsulmues tjetër natyral përveç Muriqit, aludimet çojnë te pista që Kololli është ftuar para sulmuesit mitrovicas, Selmani, për të qenë forcë dhe alternativë shtesë e sulmit. 

Sido që të jetë, në disfavor i shkon forma momentale Kolollit. 13 minuta në 9 ndeshje janë vërtet pak për të llogaritur në sfida të nivelit të tillë çfare do t'i luajë Kosova në qershor në Ligën e Kombëve përballë Qipros, Irlandës së Veriut dhe Greqisë. 

Në çdo parametër Kololli ka shënuar rënie. Ai ka një mesatare për ndeshje ku nuk e bën asnjë gjysmë harkimi apo nuk gjuan qoftë edhe një herë në kornizën e portës. Pra, panorama e Kolollit që jemi mësuar ta shohim që përfshihet shumë në aksionet sulmuese, është krejt ndryshe nga ajo e muajve të fundit. Edhe driblimeve është gjithnjë e më pak i predispozuar t'u qaset. Ai ka një mesatare për ndeshje ku vetëm 1,6 driblime përpiqet t'i bëjë. 

Jo vetëm tani që nuk po e përjeton një formë të lavdishme, por edhe në muajt paraprakë kur luante titullar në Japoni, haste në vështirësi t'i jepte formë lojës së tij që e aplikonte kurdoherë. 

Në këto rrethana është e vështirë të kuptohet guximi për ta ftuar te Kosova para disa lojtarëve tjerë. Mandej, ka edhe raste që krijojnë përjashtime. Një gjë të tillë ta mëson futbolli dhe e kaluara e tij. Ka lojtarë që kanë bërë dallimin në kombëtare pa ardhur nga një formë e lakmueshme në klubet përkatëse. Mirëpo, nëse i referohemi refrenit të disa trajnerëve të stafit teknik të Kosovës që në daljet e tyre publike e përsërisin vazhdimisht se "nëse dikush nuk luan titullar, atëherë do të jetë e vështirë të ftohet në kombëtare" dhe se "minutazhi në ekip është parakusht për ftesë te Kombëtarja e Kosovës", atëherë lind pyetja e thjeshtë: mbi bazë të çfarë kriteresh po ftohen lojtarët? Standardet duken të dyfishta, favorizimet të njëanshme, kurse e ardhmja me këtë menaxhim ngjan gri. 

Tjera nga autori:
1