<b></b> “Kompania e tij private i merr 8 mijë euro në muaj nga FFK” – Salihu me akuza të rënda për Taulant Hodaj

“Kompania e tij private i merr 8 mijë euro në muaj nga FFK” – Salihu me akuza të rënda për Taulant Hodaj

13.05.2022 20:42

Ish sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu thotë se Taulant Hodaj që është ushtrues detyre i sekretarit në FFK, është avokat personal i Agim Ademit dhe që kompania e tij private fiton 8 mijë euro në muaj.

Salihut iu refuzua ankesa që dërgoi disa ditë më parë në “Komisionin për Ankesa”, duke iu vlerësuar si e pabazë, vendim ky që u publikua ditën e premte.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Eroll Salihut e datës 05.05.2022 e parashtruar kundër Vendimit të Komisionit Disiplinor - shkallës së parë të datës 28.04.2022”, shkruhet në komunikatën që u publikua gjatë ditës së sotme.

Në një bisedë për Gazetën Nacionale, Salihu foli pas kësaj ankese të refuzuar, ku theksoi se gjërat që janë duke ndodhur në Federatën e Futbollit të Kosovës janë absurde.

Është more absurde kjo gjë që po ndodh, me erdhi vendimi, amo është absurde, domethënë së pari më suspenduan nga puna pastaj hapi zgjedhjet që janë plotësisht të paligjshme pastaj e pa që e ka bo bërllok dhe e mbledhi Komisionin Disiplinor të cilët më shkarkuan nga puna”.

Tutje, Salihu thotë se Taulant Hodaj është avokati personal i kryetarit Agim Ademi dhe që firma e këtij të fundit përfiton 8 mijë euro në muaj nga FFK.

Kjo gjë që po ndodh është tmerr, e ka shkatërru tërë Federatën. Shkon e paguan një avokat (Taulant Hodaj), i cili është privat vetëm për të (Agim Ademin) dhe që herë thotë që është sekretar i përgjithshëm e herë drejtor administrativ, por këto janë rrena. Paramendo firma e tij personale fiton 8 mijë euro në muaj”.

Ndërkohë, Gazeta Nacionale ka provuar disa herë që të kontaktojë me Hodaj lidhur me këto akuza të lartpërmendura, por ky i fundit nuk ktheu përgjigje.

Sa i përket Salihut, kujtojmë se ai u shkarkua me 28 prill 2022, pas një mbledhje të Komisionit Disiplinor, ku u vendos ndërprerja e kontratës, pavarësisht që ishte në suspendim për gjashtë muaj.

“KE pas shqyrtimit të shkeljeve disiplinore nga ana e Eroll Salihut, drejtor sportiv dhe Këshilltar i lartë ligjor mori vendim që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe i njëjti do të njoftohet në formë të shkuar”, ishte shkruar në atë komunikatë.

Tjera nga autori:
1