<b></b> Kosova U21 pëson në ‘frymën e fundit’ nga Shqipëria, i mbyll kualifikueset për Kampionat Evropian si pozitë e katërt

Kosova U21 pëson në ‘frymën e fundit’ nga Shqipëria, i mbyll kualifikueset për Kampionat Evropian si pozitë e katërt

13.06.2022 21:32

Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar gol në minutën e fundit të kohës shtesë, ndaj Shqipërisë U21 në ndeshjen e fundit të vlefshme për Kampionatin Evropian.

"Dardanët" e rinj zhvilluan lojë të bukur, por që në kohën shtesë pësuan gol, me rezultatin përfundimtar që doli të jetë 1:1.

Kombëtarja e Kosovës kaloi fillimisht në epërsi përmes talentit Erolind Krasniqi, që realizoi një gol të bukur nga afërsia, pas një asistimi të shkëlqyer nga Altin Zeqiri (32').

Krasniqi gjithashtu ishte pranë të shënonte një eurogol mbi 30 metra distanca nga porta, por që goditja e tij përfundoi tek shtylla.

Në përgjithësi, Kosova ishte shumë më agresive se Shqipëria, edhe pse kjo e fundit në përgjithësi kishte posedimin e topit.

“Kuq e Zinjtë” gjithashtu kishin disa raste shënimi – ku provonin të ndërtonin aksione apo të përfitonin nga kundërzbritjet, mirëpo mbrojtja ishte gjithmonë në vendin e duhur duke mos lejuar befasi.

Në fakt, vendasit në minutën e 84-të të takimit kishin një rast të artë që të barazonin rezultatin me anë të Marsel Ismajlgeci, mirëpo ky i fundit dështoi nga pika e bardhë me David Nreca-Bisinger që e lexoi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ia ndali gjuajtjen.

Në momentet kur askush nuk e priste dhe Kosova shpresonte në një gabim të Sllovenisë U21, që të përfundojë këtë kampanjë si pozitë e tretë në tabelë, në skenë doli Flamur Ruci që realizoi ndaj Kosovës pas një asistimi të Celhakës (90+5’)

Kështu, Kombëtarja e Kosovës i mbyll këto kualifikuese si pozitën e katërt në tabelë me 12 pikë të tubuara, ndërsa fqinji ynë Shqipëria përfundon si pozitë e pestë në tabelë me 10 pikë dhe një golaverzh negativ -8.

Tjera nga autori:
1