Kosova e mori fitoren e detyrueshme dhe tani do të udhëtojë drejt Greqisë, e mangët por plot shpresë - NACIONALE

Kosova e mori fitoren e detyrueshme dhe tani do të udhëtojë drejt Greqisë, e mangët por plot shpresë

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Kosova do të udhëtojë e mangët përsëri drejt Athinës për t’u përballur me Greqinë në atë që do të jetë ndeshja më e rëndësishme për të dy ekipet kombëtare në Grupin 2C në Ligën e Kombeve këtë edicion, por verdhekaltrit janë plot shpresë se mund të frymëzohet nga triumfi kundër Irlandës Veriore në Prishtinë të enjten për një rezultat pozitiv ndaj helenëve.

Kosova rrezikon të udhëtojë me vetëm 13 futbollistë, pa llogaritur portierët, drejt Athinës të dielën, për një ndeshje që do t’i duhet ta fitojë patjetër nëse dëshiron të mbetet në garë për ta fituar Grupin dhe për ta siguruar promovimin në Ligën B – kategorinë e dytë në këtë garë – dhe ta sigurojë një vend në play-off për Euro 2024.

Në përvjetorin e katërt të vdekjes së njeriut që e ngriti Kombëtaren, Fadil Vokrri, Vedat Muriqi e kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 9-të, më datën 9 qershor, duke e bërë edhe më të mrekullueshme fitoren e dardanëve.

Zymer Bytyqi me golin e parë në karrierë për kombëtaren e dyfishoi epërsinë, para se vizitorët të ktheheshin në lojë përmes Shanye Lavery në fund të pjesës së parë. Muriqi me golin e dytë personal, të 20-tin në karrierë për kombëtaren, e ktheu epërsinë e dyfishtë të Kosovës në fillim të pjesës së dytë.

Daniel Ballard e ngushtoi epërsinë dhe i dha shpresë për barazim Irlandës Veriore shtatë minuta para fundit, por Kosova ia doli të mbahej me vështirësi për t’i marrë tri pikët që e mbajnë në binarë për ta fituar grupin.

Ky triumf - megjithëse i kushtoi trajnerit Alain Giresse pasi ai i humbi tre lojtarë të tjerë për shkak të kartonëve sikur mos t’i mjaftonin mungesat e shumta tashmë - i jep shpresë dhe motiv dardanëve të shkojnë në Greqi për tri pikë.

Për ndeshjen e së enjtes, Giresse duhej të improvizonte, duke i dhënë një debutim të papritur mesfushorit Donat Rrudhani si mbrojtës i majtë. Për fatin e mirë të tij dhe të Kosovës, 23-vjeçari shkëlqeu në atë pozitë.

Derisa mbrojtësi Fidan Aliti dhe portieri Arijanet Muric do të rikthehet nga pezullimi që i la jashtë takimit me Irlandën Veriore, mesfushorët Ibrahim Dresevic dhe Betim Fazjili dhe mbrojtësi i vetëm i djathtë, Lirim Kastrati, do të mungojnë, sepse i morën kartonët e dytë të verdhë të përballjen e djeshme.

Për më tepër, Valon Berisha dhe Vedat Muriqi do të jenë në dyshim për shkak se i pari pësoi tërheqje muskulore gjatë ndeshjes dhe ky i fundit ishte në dyshim edhe ndaj irlandezëve veriorë shkaku i një shqetësimi në kofshë. Pa përmendur mungesat e ditura si Edon Zhegrova, Florent Hadërgjonaj dhe Mërgim Vojvoda.

Nëse Muriqi dhe Berisha mungojnë, Kosova rrezikon të ngelë me vetëm 13 futbollistë, pa llogaritur portierët.

Kosova është e dyta në Grupin 2 me gjashtë pikë, tri më pak se liderja Greqia, prandaj fitorja në Athinë është e domosdoshme për të mbetur në binarë për ta fituar grupin, i cili siguron promovimin në Ligën B dhe play-off’in për Kampionatin Evropian 2024.

Lajme të ngjashme