<b></b> Kosova e pret e mangët Irlandën Veriore sot në Fadil Vokrri

Kosova e pret e mangët Irlandën Veriore sot në Fadil Vokrri

09.06.2022 10:45

Kosova, me një skuadër goxha të mangët, do ta presë sot Irlandën Veriore në kryeqytet, e vetëdijshme se i duhet triumfi për të mbetur në binarë për ta fituar grupin në Ligën e Kombeve.  

Në 4-vjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të federatës së futbollit, Fadil Vokrri, dardanët do të kërkojnë ta nderojnë atë me një fitore të mundshme ndaj Irlandës Veriore në stadiumin që mban pikërisht emrin e tij në kryeqytet.  

Verdhekaltrit vijnë nga një humbje në shtëpi kundër Greqisë, pasi e kishin fituar ndeshjen hapëse me Qipron, dhe e kanë të nevojshëm fitimin e tri pikëve për të mbetur në garë për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C, i cili siguron promovimin në Ligën B dhe një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian 2024.

Siç qëndrojnë gjërat, Greqia është lidere e grupit me 6 pikë, e ndjekur nga Kosova me 3 dhe Irlanda Veriore e Qipro me nga një pikë.

Por Kosova do të jetë e mangët ndaj vizitorëve nga Britania, për shkak të kartonëve të kuq dhe lëndimeve.

Edon Zhegrova do të mungojë si pasojë e lëndimit, ndërsa Vedat Muriqi është në dyshim për shkaku se ndjeu një shqetësim në stërvitje.

Krahu i majtë i mbrojtjes është telashi më i madh me të cilin do të përballet trajneri Alain Giresse, sepse nuk ka mbrojtës natyral në atë pozitë. Fidan Aliti do të mungojë për shkak të kartonit të kuq nga ndeshja e kaluar me Greqinë, njëlloj sikurse portieri i parë Arijanet Muric.  

Duke folur në konferencë për media para ndeshjes të mërkurën në Prishtinë, Giresse tha: "Ndodhemi në një situatë të veçantë, si rrjedhojë e ndeshjes së kaluar, mungesa e dy lojtarëve si pasojë e kartonëve të kuq. Këta të dy lojtarë i shtohen listat e mungesave, me që rast jemi në vështirësi sa i përket pozicioneve të caktuara, duke marrë se lojtarët që mungojnë janë të rëndësishëm për pozitën e tyre".

“Mungesat që kemi do sjellin ndryshime sidomos në krahun e majtë që ishte pjesa problematike që nga fillimi i lojës. Sa i përket Muriqit do shohim situatën dhe shpresoj që të jetë gati për lojën e radhës”.

Kosova do ta mbyllë ciklin e ndeshjeve të qershorit me përballjen e dytë me Greqinë të dielën në Athinë, ku po ashtu do të përballet me disa mungesa.

Tjera nga autori:
1