Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sot seancën e parë stërvitore në vazhdën e përgatitjeve për katër ndeshjet garuese në Ligën e Kombeve në fillim të muajit qershor.
Alain Giresse mbajti ushtrime me 17 futbollistë në Kampin Nacional në Hajvali, në temperatura të larta. Pjesa tjetër e futbollistëve do t’i bashkohet kampit në ditët në vijim.
Dardanët do të stërviten sërish sot pasdite për orarin e ngjeshur të ndeshjeve në qershor, pasi në një periudhë prej 10 ditëve Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje, në sezonin e tretë të garës dytësore të UEFA-s.
Kosova është pjesë e Grupit 2 në Ligën C – kategoria e tretë në këtë garë – bashkë me Qipron, Irlandën Veriore dhe Greqinë.
Trajneri Alain Giresse, i cili listën me të 24 futbollistë të ftuar e publikoi në fillim të javës, do të debutojë zyrtarisht në stolin dardan më 2 qershor kur Kosova e viziton Qipron në ndeshjen hapëse të grupit.
Tri ditë më vonë, më 5 qershor, verdhekaltrit e presin Greqinë në Prishtinë, pastaj Irlandën Veriore më 9 qershor po ashtu në kryeqytet.
Më 12 qershor Kosova udhëton drejt Athinës për t’u përballur me Greqinë në ndeshjen e kthimit dhe të fundit për këtë grumbullim.
Trajneri francez Giresse ka bërë disa ndryshime në listën e tij të parë për ndeshje garuese, duke e kthyer Benjamin Kolollin në kombëtare, megjithëse ai nuk ka qenë shumë aktiv me skuadrën e tij Shimizu S-Pulse në J1 League në Japoni dhe vjen pas riaftësimit nga lëndimi.
Por një nga të ftuarit e tij për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës, Edvin Kurtulusin e Hammaarbay, pritet të mos vijë, pasi po mendon ta përfaqësojë Suedinë në arenën ndërkombëtare në vend të atdheut të vet.
Për herë të parë nga Kosova u ftua edhe Donat Rrudhani i Aarau.
Leart Paqarada nuk është ftuar ashtu siç pritej, ndërsa jashtë listës kanë mbetur sulmuesi i Hammaarby Astrit Selmani., Florent Hadergjonaj i Kasimpasas dhe Elbasan Rashani i Clermont.
Rikthimi i Arbër Zenelit po ashtu është një plus i madh për Kosovën, pasi sulmuesi i Stade de Reims është riaftësuar plotësisht nga lëndimi i gjurit që e kishte lënë jashtë Kombëtares në dy vitet e fundit dhe ai duket ta ketë gjetur formën tamam kur vendi i tij mund të ketë nevojë për të.