<b></b> Kosova me mungesa të shumta synon fitoren e parë në ndeshjen jetike ndaj Greqisë

Kosova me mungesa të shumta synon fitoren e parë në ndeshjen jetike ndaj Greqisë

12.06.2022 17:48

Padyshim ndeshja e sotme kundër Greqisë, do të jetë si finale për Kombëtaren e Kosovës nën urdhrat e Alain Giresse – pasi me një fitore do rimerrnim kreun, derisa me një humbje veçse do të konfirmonim qëndrimin në grupin C edhe për një tjetër edicion të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” aventurën në grupin e dytë të ligës C të Ligës së Kombeve e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar fitore fillimisht në udhëtim te Qipro me rezultat 0:2.

Pastaj nisën problemet, ku kur nuk pritej pësuam humbje nga kundërshtari i sotëm, Greqia midis “Fadil Vokrri” me rezultat 0:1. Sidoqoftë, “Dardanët” nuk humbë shpresën dhe mund të themi se pritshmeritë u rritën pas fitores së fundit, kundër Irlandës Veriore me rezultat 3:2.

Tani, djelmoshat tanë pavarësisht mungesave e problemeve të mëdha do të provojnë që në ditën e çlirimit të Kosovës të triumfojnë në Athinë dhe të rimarrin pozitën e parë në tabelë, me vetëm një synim – promovimin në ligën B, që do të na lehtësonte pjesëmarrjen për herë të parë në një Kampionat Evropian.

Por, siç duhet kjo sfidë nuk do të jetë aspak e lehtë, duke pasur parasysh problemin më të madh në këto kohët e fundit – lëndimet e njëpasnjëshme që këtë herë janë ndjekur edhe nga lojtarët e suspenduar.

Gjithçka nisi në mënyrën më të keqe në këtë grumbullim, ku përzgjedhësi Alain Giresse ftoi 24 lojtarë. Së pari, ‘dezertori’ Edvin Kurtulus vendosi ta lërë në ‘baltë’ Kombëtaren e Kosovës duke iu bashkuar Suedisë, ku sipas mbrojtësit ishte hapi i duhur për karrierë.

Ish kapiteni i Kosovës U21 harroi se “Kombëtarja e Kosovës është nder e vlerë, jo karrierë” – gjë që ia rikujtuan “Dardanët” përmes një koreografie në sfidën ndaj Irlandës Veriore në “Fadil Vokrri”.

Pas largimit të dezertorit, u shfaqen problemet siç ishin lëndimet – Mërgim Vojvoda bëri të pamundurën për t’i ndihmuar Kombëtares atë duke dal edhe kundër stafit mjekësorë të Torinos, por që nuk ia doli të shërohet me kohë, e kështu u rikthye te skuadra italiane.

Edon Zhegrova që zhvilloi paraqitje të mirë ndaj Qipros dhe Greqisë, pësoi lëndim para sfidës ndaj Irlandës dhe assesi nuk ia doli të shërohet pavarësisht dëshirës që të jep gjithçka për Kosovën, e në këtë listë më vonë hyri edhe Benjamin Kololli – i cili u lëndua gjithashtu.

Nuk janë vetëm këta që do të mungojnë ndaj grekëve, pasi lojtarët e tjerë, si Ibrahim Dreseviq, Betim Fazliji dhe Lirim Kastrati janë të suspenduar (morën nga një karton të verdhë në dy ndeshjet e fundit), kësisoj nuk do ta shikojnë ndeshjen njësoi si shumica e mbështetësve – nga televizori.

Lajmi i mirë para ndeshjes me Greqinë, është padyshim rikthimi i portierit Arijanet Muric që ishte mungesë e madhe ndaj Irlandës, gjë që u vërejt shumë me Samir Ujkanin që bëri disa gabime koti – sidomos te goli i parë i irlandezëve, dalje e panevojshme, por e kuptueshme duke marrë parasysh se nuk ka luajtur sa duhet në këto dy vitet e fundit, mirëpo prapëseprapë qëndron para Visar Bekaj.

Problemi kryesor dhe eksperimenti që mund ta përdor Giresse ndaj Greqisë

Alain Giresse disa herë na ka befasuar që kur mori drejtimin e Kosovës. Në ndeshjen e parë ndaj Greqisë, tekniku francez e përdori Arbër Zenelin në pozitën e mesfushorit ofensiv pavarësisht që ky i fundit tërë jetën ka luajtur si sulmues krahu dhe e kishte shumë të vështirë të përshtatej aty.

Pastaj, ishte roli që i dha Donat Rrudhanit – pra mbrojtës i krahut të majtë, mirëpo lojtari ishte thjesht mbresëlënës ndaj Irlandës duke bërë paraqitje të hatashme, ku në momentin kur u zëvendësua gati i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë duke e duartrokitur.

Të rikthehemi te ‘eksperimenti’ që mund ta përdor Giresse. Duke e ditur se këtë herë nuk kemi mbrojtës krahu të djathtë, siç raportoi Gazeta Nacionale në orët e mëngjesit, tekniku francez mund ta vendos mesfushorin qendror Toni Domgjoni në atë pozitë, e si do të shkojë mbetet për t’u parë – pasi mund të thuhet se është e sigurt që do të luajë me një sistem të ri që nuk e ka provuar më parë, pra 4-4-2 (Të gjitha ndeshjet që kur mori drejtimin e Kosovës i ka zhvilluar me dy sisteme te formacioneve, 4-3-3 dhe 4-2-3-1).

Për fund, kujtojmë se Greqia ka nëntë pikë në grupin e dytë të ligës C, derisa Kosova qëndron e dyta me gjashtë sosh, prandaj është shumë e nevojshme një fitore e “Dardanëve” midis Athine.

Deri më tani, Kosova ende nuk ka fituar asnjëherë ndaj grekëve, duke zhvilluar pesë takime – tre barazime dhe dy humbje. E siç tha Milot Rashica ditën e shtunë “Ndoshta ka ardhur koha që të mposhtim Greqinë”.

Tjera nga autori:
1