<b></b> Kosova në telashe, Mërgim Vojvoda rrezikon të mos paraqitet në ndeshjet e qershorit

Kosova në telashe, Mërgim Vojvoda rrezikon të mos paraqitet në ndeshjet e qershorit

31.05.2022 17:48

Luheshin minutat e para të pjesës së dytë mes Verona dhe Torino më 14 maj, kur Mërgim Vojvoda u zëvendësua në minutën e 54-të, pasi haste në vështirësi për të vrapuar dhe dilte jashtë fushës duke çaluar. Përkundër vetmohimit, dëshirës të madhe dhe këmbëngulsisë për të qenë i gatshëm për ndeshjet e Kosovës, burimet e shumta për gazetën Nacionale tregojnë se Mërgim Vojvoda është fare pranë që mos t'ia dalë të jetë në gatishmëri për katër ndeshjet e Kosovës që e presin në muajin qershor.

Kosova assesi të gjejë rehati. Në çdo grumbullim vijnë telashe të reja. As kësaj radhe nuk po mungojnë ato. Burime të shumta kanë konfirmuar që Mërgim Vojvoda po lufton në kundërkohë për të qenë i gatshëm për ndeshjet e Kosovës në qershor. Diçka që dihet me siguri të plotë në bazë të informatave të siguruara është se për ndeshjen ndaj Qipros nuk do të jetë në gatishmëri. Vetëm një mrekulli mund ta rikthejë atë në gatishmëri të ekipit kombëtar për ndeshjet e mbetura të qershorit. Për të qenë politikisht sa më korrekt, po kufizohemi që ta përdorim togfjalëshin se "është në dyshim", pasi indikacionet jo-zyrtare flasin për një siguri më të lartë që tashmë është më se evidente se Kosova nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e tij gjatë dy javëve në vijim.

Lëndimi në kyçin e këmbësë që e pësoi në stadiumin 'Bentegodi' ka sjellur shumë kokëçarje. Një lëndim i tillë është e vërtetuar se merr kohë nga 3 deri në 6 javë për shërim. Në rastin e Vojvodës duket që kohëzgjatja rrezikon të shkojë deri në ekstremin e fundit. 

Zyrtarë përgjegjës brenda Kombëtares së Kosovës në kushte private patën konfirmuar se ishin besimplotë që Vojvoda do t'ia dilte të rekuperohej në kohë për ndeshjet e dardanëve, pavarësisht lëndimit që kishte pësuar. Vendosmëria e Vojvodës për të luajtur njihet. Juric, trajneri i Torino, në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes së fundit përballë Romës, kishte thënë se "Vojvoda është gati të luajë edhe me një këmbë vetëm e vetëm t'i ndihmojë skuadrës, por rrethanat nuk janë të tilla që të rrezikohet". Duket që e njëjta gjë vlen edhe në rastin e Kombëtares së Kosovës.


Kjo situatë nuk e ndihmon aspak kombëtaren. Pas dezertimit të Kurtulus, i cili zgjodhi t'i braktisë dardanët për ta pranuar ftesën e Suedisë dhe arsyeve private për të cilat mungon Hadërgjonaj (e të cilat nuk kanë të bëjnë me dasmë sipas burimeve të besueshme, anipse ka hezitim të mësohet arsyeja e vërtetë, por duhet respektuar një gjë e tillë) dhe rezistencës e kokëfortësisë për të mos e ftuar Paqaradën - tanimë janë ndezur të gjitha këmbanat e alarmit, meqë Kosova do të ketë shumë të vështirë t'i mbulojë dy krahët e mbrojtjes.

Vojvoda është stërvitur në kushte inidividuale dhe jashtë grupit edhe në seancat e fundit stërvitore që i ka zhvilluar Kombëtarja e Kosovës në kampin në Hajvali.

Tani Kosova do të detyrohet t'i futet alternativave terciare për t'i mbuluar dy krahët e mbrojtjes, me Alitin, Kastratin dhe Kolollin që janë të thirrur në apel për të qenë në gatishmëri për të luajtur në ato pozita. 

Racionalisht në këto kushte pa kushte rikthimi në mbrojtjen me 3 do të ishte zgjidhja më pragmatike, por mbett në diskrecion të përzgjedhësit Giresse të përcaktohet se si do të vazhdojë tutje. 

Deri më tani nuk rezulton të jetë ftuar ndonjë lojtar nga Superliga për të qenë pjesë e Kombëtares pas këtyre problematikave të fundit që janë shfaqur. Në të kaluaren ishte ftuar Armend Thaqi, mbrojtësi i Ballkanit, por burime afër lojtarit bëjnë të ditur që një gjë e tillë akoma nuk ka ndodhur deri më tani.

Tjera nga autori:
1