Kosova shkoi në Greqi për t'u mbrojtur në një përballje që duhej ta fitonte patjetër - NACIONALE

Kosova shkoi në Greqi për t'u mbrojtur në një përballje që duhej ta fitonte patjetër

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Kosova nuk e kishte mposhtur Greqinë asnjëherë në pesë përballje paraprake, duke i humbur dy dhe duke barazuar në tri të tjera, dhe ndeshja e së dielës ishte më e rëndësishmja nga të gjitha, sepse nënkuptonte gjithçka ose asgjë për verdhekaltrit. Për zhgënjimin e të gjithëve, Kosova e bëri lojën më të dobët ndër vite; zero goditje në kornizën e portës greke, zero kreativitet, zero pasion.

Dardanët e kishin çdo arsye në botë për të qenë të nxitur, sepse po luanin për vendin e parë në Grupin C2, i cili nënkupton promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe mbi të gjitha një vend në play-off për Kampionatin e ardhshëm Evropian 2024.

Megjithatë, mbase jo bash çuditërisht, trajneri Alain Giresse vendosi ta ndryshojë sërish skemën e lojës dhe për më tepër, zgjodhi një të re dhe të panjohur për Kosovën: 4-4-2.

Kjo i dha mundësi trajnerit të Greqisë Gus Poyet – i cili ka qenë shumë i qartë në idetë e tij në formacionin e pandryshueshëm 4-3-3 në këtë edicion të Ligës së Kombeve – të ketë kontroll të plotë ndaj Kosovës në Volos. Grekët ishin shumë më agresivë dhe kreativë në lojën e tyre, duke mbizotëruar posedimin e topit, 61% krahasuar me 39% të verdhekaltërve, në lojën e të cilëve s’u pa një dëshirë apo energji për fitore.

Kosova u fut në këtë lojë duke e respektuar tej mase Greqinë, sikur ajo të mos ishte rivalja e saj e drejtpërdrejt për vendin e parë në grup. Vendasit e bënë Kosovën të vuajë aq shumë në pjesën e parë saqë as superfuqitë si Spanja e Anglia s’e kishin bërë. Jo vetëm që Kosova nuk qe në gjendje të dalë përpara pothuajse asnjëherë gjatë kësaj pjesë loje, por e kishte shumë të vështirë t’i mbante larg portës së vet grekët, megjithëse ia doli të mos pranojë gol. Ylli i Trabzonsporit në Turqi, Anastasios Bakasetas – i cili e kishte shënuar golin e triumfit 1:0 në Prishtinë – ia shkaktoi të gjitha llojet e telasheve Kosovës edhe në Volos. Ai ishte i papërmbajtshëm në lojën e tij.

Dhe e pashmangshmja ndodhi njëzet minuta para fundit, kur Georgios Giakoumakis e kaloi Greqinë në epërsi me goditjen e tyre të parë në kornizën e portës kosovare, pas shumë përpjekjeve. Greqia e uli ritmin në dhjetë minutat e fundit, por ishte tepër vonë për Kosovën ta kërkojë fitoren.

Giresse e ndryshoi përsëri skemën në pjesën e dytë, duke kaluar në atë që u duk të ishte një 3-5-2, pasi Florian Loshaj zuri vendin e Donat Rrudhanit pas pushimit mes pjesëve dhe pak më vonë, Blendi Idrizi e zëvendësoi Florent Muslijan. Arbër Zeneli e fut në lojë në vend të Zymer Bytyqit dhe Emir Sahiti në vend të Milot Rashicës. Sahiti ishte fajtor për golin e dytë të grekëve duke e humbur topin si lojtari i fundit, që ia mundësoi Petros Mantalosit ta fusë topin në portën boshe, pasi Aro Muric e kishte braktisur atë për të dalë në sulm.

Mënyra se si sulmuesi i Dinamo Zagrebit e humbi topin e pasqyron më së miri egërsinë dhe dëshirën e madhe me të cilën grekët ishin futur në atë lojë dhe butësinë dhe mungesën e energjisë së kosovarëve për luftuar për fitore.

Loja e Giressit me skemën dhe taktikat

Giresse i kishte dy ndeshje miqësore për t’u njohur me Kosovën dhe ai bëri mirë në të dyja, duke e mundur Burkina Fason dhe duke barazuar me Zvicrën në mars. Në ato dy ndeshje, ai luajti me dy skema që Kosova ka ditur të luajë gjithmonë, të cilat janë edhe skemat e tij të preferuara.

Duke e parë këtë, u krijua përshtypja se Giresse nuk do të kishte telashe apo kokëçarje në përzgjedhjen e skemës së lojës së dardanëve.

Dilema e vetme ka mundur të ishte se a të luajë 4-3-3 apo 4-4-2, megjithatë francezi 69-vjeçar nuk ka mundur të përcaktohet dhe në ndeshjen më të rëndësishme ai bëri skemë të re të panjohur për Kosovën.

Në fitoren kundër Burkina Fasos ai luajti 4-3-3, para se ta ndryshonte skemën në 4-2-3-1 në disfatën kundër Greqisë në shtëpi, duke i dhënë rol të ri e të panjohur Arbër Zenelit, mesfushor sulmues. Kjo i kushtoi Kosovës dhe ai vendosi të kthehet në 4-3-3 kundër Irlandës Veriore, duke e fituar ndeshjen mezi, dhe kryesisht falë lojës së dobët të kundërshtarit.

Giresse nuk ka faj për mungesat e shumta me të cilat u përballë ai në këtë grumbullim, por ai është përgjegjës për dështimin për t’i zëvendësuar lojtarët e lënduar me thirrje të reja në kombëtare dhe për vendosjen e lojtarëve në pozita të caktuara në fushë.

Lajme të ngjashme