<b></b> Kosovë - Greqi: Statistikë, analizë, taktikat e preferuara të përzgjedhësve dhe renditja botërore

Kosovë - Greqi: Statistikë, analizë, taktikat e preferuara të përzgjedhësve dhe renditja botërore

05.06.2022 17:20

Kombëtarja e Kosovës ditën e diele do të zhvillojë sfidën e dytë në kuadër të grupit C në Ligën e Kombeve, edicioni i tretë i kësaj gare, atë kundër një kombëtare që jemi përballur shumë herë kohëve të fundit, Greqisë.

Pas një fitore të madhe ndaj Qipros, "Dardanët" janë lider në ligën C dhe më të motivuar se kurrë që të vazhdojnë më fitore, edhe pse në pozitën e dytë, renditët kundërshtari i sotëm, Greqia - që gjithashtu ka tre pikë.

Ndeshja ndaj Qipros la shumë për të dëshiruar në pjesën e parë, por që në 45-minutëshin e dytë, djelmoshat tanë u këndellen dhe fituan me rezultat 0:2, që të arkëtojnë pikët e plota.

Optimist i madh para kësaj sfide të vështirë është përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, që në konferencë për media nënvizoi se do të luajnë me stil dominues.

"Nuk do t'ju referohem ndeshjeve të kaluara. Ato që kanë përfunduar nuk kthehen pas. Veçse e kemi filluar këtë kampanjë me një rezultat të rëndësishëm ndaj Qipros dhe e kemi studiuar Greqinë se si kanë luajtur ata ndaj Irlandës së Veriut. Ne do të përpiqemi të paraqitemi me stilin dominues edhe ndaj grekëve", tha tekniku francez ditën e enjte.

Sidoqoftë, edhe përzgjedhësi grek, Gustavo Poyet ka besim të plotë te lojtarët e tij që do të arrijnë fitore në "Fadil Vokrri".

"Kosova tani e ka ndryshuar trajnerin e saj por me lojën që e shfaqi në ndeshjen e kaluar kundër Qipros, u pa që potenciali i ekipit të Kosovës është i madh. Kosova ka lojtarë shumë të mirë individual, por megjithatë unë nesër pres rezultat pozitiv”, ishin fjalët e këtij të fundit.

Statistikat e dy kombëtareve në ndeshjet e fundit

Si Kosova, ashtu edhe Greqia bën ndryshime në pozitën e trajnerit para se të niste Liga e Kombeve, prandaj të dy përzgjedhësit kanë qenë në krye të Kombëtareve në tre ndeshje.

Momentalisht, rekordin më të mirë e mban Giresse me dy fitore (ndaj Burkina Fasos dhe Qipros) dhe një barazim ndaj Zvicrës, derisa Greqia me Poyet në krye ka dy fitore (kundër Rumanisë dhe Irlandës Veriore) dhe një humbje ndaj Malit të Zi.

Në përgjithësi, Kosova dhe Greqia janë takuar vetëm katër herë në historinë e tyre, ku janë të regjistruar tre barazime dhe një fitore e grekëve, prandaj është koha që "Dardanët" t'i japin fund këtij rekordi.

Vlera e përgjithshme në "Transfermarkt" - Greqia më e shtrenjtë se Kosova

Kombëtarja greke sipas të dhënave në "Transfermarkt" është më e shtrenjtë se Kosova. "Helenët" vlerësohen në vlerë 126 milionë euro, derisa "Dardanët" me 71.4 milionë euro.

Futbollisti më i shtrenjtë nëse shohim dy kombëtaret, është kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani me 25 milionë euro, derisa pas tij vijnë lojtarët grek si Konstantinos Mavropanos (17 milionë euro) dhe Odtsseas Vlachodimos (15 milionë euro).

Si Kosova ashtu edhe Greqia preferojnë lojë ofensive

Për dallim nga ndeshjet e fundit që jemi përballur ndaj Greqisë, ku luanin me disa kundërzbritje dhe mbroheshin me shumë lojtarët, tashmë 'filozofia' e klubit është ndryshuar nga Poyet, i cili që kur ka marrë stolin e skuadrës ka nisur të luajë me formacion ofensivë.

Në miqësoret e marsit ndaj Malit të Zi dhe pastaj Rumanisë, tekniku grek hyri me formacionin 4-3-3, kurse në sfidën e fundit ndaj Irlandës Veriore me 4-2-3-1, këtë të fundit me shumë gjasë do e përdor sonte pas disa orëve.

Këtë dy formacione i ka përdorur edhe përzgjedhës Alain Giresse në tre ndeshjet e para në stolin e "Dardanëve". Tekniku francez me 4-2-3-1, 'demoloi' Burkina Fason (5:0), derisa ndaj Zvicrës (1:1) dhe Qipros (0:2) hyri me 4-3-3.

Renditja në FIFA, Greqia shumë larg Kosovës

Kombëtarja e Greqisë qëndron shumë larg Kosovës sa i përket renditjes botërore në FIFA, gjë që është normale sepse ne si shtet jemi pranuar vonë në shtëpitë e futbollit.

Greqia zë pozitën e 55-të në renditjen e FIFA-s, derisa Kosova qëndron në vendin e 107-të.

Për fund, kujtojmë se përballja që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” mes Kosovës dhe Greqisë do të nis në ora 20:45.

Tjera nga autori:
1