<b></b> Kosovë me dy fytyra dhe me një mesfushë që prodhoi

Kosovë me dy fytyra dhe me një mesfushë që prodhoi "lëmsh"

03.06.2022 20:58

 

Kosova dje fitoi ndeshjen e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke mposhtur Qipron në terrenin e saj me rezultat 0:2. Ajo çfarë u vu re nga paraqitja e dardanëve ishte loja me dy fytyra të ndryshme në të dy pjesët e lojëve.

Burime të shumta një ditë para ndeshjes jepnin indicie që kishte shumë paqartësi rreth formacionit me të cilin Kosova do të futej në fushë përballë Qipros. Kololli është provuar si mbrojtës i djathtë në stërvitje, por në fund u zgjodh Kastrati si zgjedhje më natyrale. Në çdo rrethanë, duke e dijtur orarin e ngjeshur që do ta ketë Kosova gjatë kësaj periudhe, nuk është e thënë që lojtarët nuk do të ndryshohen në formacionin titullar me rotacion. Në fakt, diçka e tillë pritet të ndodhë me Greqinë. Mirëpo, ka akoma kohë për të ndeshje, do të diskutojmë më gjerësisht në shkrimet e radhës.

Për t'iu kthyer asaj çfarë ndodhi dje, ishte më se e vërejtshme për syrin e çdo futbolldashësi dhe ndjekësi të Kombëtares së Kosovës që jo gjithçka ishte konform pritshmërive në fillim të lojës. Zgjedhjet për t'i lënë jashtë formacionit lojtarët si Dresheviç, Zeneli dhe Muslija, ishin të diskutueshme për shumkë. 

Vështirësitë e hasura

Menjëherë u vë në spikamë një mesfushë e çakorduar dhe një presing i lartë që nuk i jepte frytet e veta. Madje, rrezikonte që në kundërsulme të pranuara të ishte vetëshkatërrues. Mu ajo çfarë e tha edhe vetë kapiteni Rrahmani në përfundim të ndeshjes.

Nëse numëroheshin gabimet e bëra në 50 metërshin e parë të gjysmëfushës dardane, atëherë rezultonin 12 topa të humbur, e që përbën shifër të lartë. Në disa raste kjo lojë e shpërqendruar e Kosovës rrezikonte që ta ndëshkonte në formën më të vrazhdë, por Sotiriou nuk u tregua mjaftueshëm klinik, veçmas në rastin që iu dha në fund të pjesës së parë. 

Edhe nëse rezultati përfundoi në shifrat e 0:2, s'duhet harruar fakti që Kosova ka humbur 72 topa, vetëm 6 më pak sesa një kundërshtar modest sikur Qipro. Me lëshime të tilla do të jetë e vështirë që t'ia dilet kundër Greqisë. Kjo e fundit, siç e dimë, me dy gjysmë raste shënimi vinte në Prishtinë në vjeshtë të 2020-ës dhe arkëtonte tri pikët e plota. Andaj, edhe përgatitja duhet të jetë e një shkalle shumë më të lartë.

Për këtë arsye, Kosova më shumë ka pranuar dje kundërsulme sesa që i ka vënë në pah vet ato. 

Në 8 raste dardanët u përpoqen ta jetësojnë presingun e lartë dhe arritën t'i rekuperojnë topat në shumicën e herave. Një tjetër çalesë që ishte e tejdukshme, ishin sulmet nga krahu i majtë. Kosova në asnjë ndeshje kur e ka formuar krahun e majtë me Alitin, nuk ia ka dalur të jetë produktive në sulm. Mirë, në rastin e djeshëm e gjitha nuk mund t'i faturohet atij. Ishte edhe vetë Rashica jo në elementin e tij më të mirë. Pasiguri, mungesë vetëbesimi, gabime të shumta, mungesë konkretizimi të rasteve e çkahmos tjetër. Vetëm 9% e aksioneve të ndërtuara nga këndi i majtë dolën të jenë efikase. Shumë pak!


Pra, ishin aksione shterrpe në shumicën e fazave të lojës.

Thuajse dyfish më i lartë ishte efikasiteti kur Kosova sulmonte nga krahët me Kastratin dhe Zhegrovën. Për hir të korrektësisë nuk është se Kastrati bëri diçka të madhe (madje la korridore boshe, për ta dëshmuar edhe një herë që nuk vinte edhe nga një sezon kushedi sa i lavdishëm me Ujpest, ndryshe nga ai paraprak). Pra, ishte meritë e Zhegrovës që vetë i krijonte dhe nxerrte situatat. Shpesh edhe nga hiçi. 

Çelësi i suksesit në pjesën e dytë 

Kosova ndryshoi fizionomi të lojës dhe në 20 minutat e para të pjesës së dytë hyri me një dinamikë krejtësisht tjetër. Ajo në pjesën e tretë të fushës, më saktësisht në repartin sulmues tonë, ia doli që të depërtojë në 39 raste. Nuk është fare pak.

E vetmja e metë ishte raporti me kundërsulmet e krijuara dhe efikasiteti i tyre, e që ishte i dobët. Kjo u pa edhe gjatë lojës. Ishte detaj lehtë i vërejtshëm. Vetëm 22% të aksioneve në kundërsulm ia dolën të përfundojnë konkretizime drejt portës. 
Po ashtu, më efikasë dardanët u treguan në pjesë të dytë kur ndryshuan qasje dhe shkuan me presing të ulët, me ç'rast arritëm t'i fitojmë 11 topa të rëndësishëm. 


Fazliji - Idrizi, binom që krijoi lëmsh

Jo, nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme që Fazliji të luante si mesfushor i tërhequr. Asnjë shpikje. Asgjë e re. Diçka e parë edhe me St. Gallen për ata që i ndjekin javë pas jave ndeshjet e lojtarëve të Kosovës në ekipet përkatëse ku aktivizohen. 

Megjithatë, kjo s'e zhbën faktin që për shumicën dërmuese të lojës qoftë Fazliji, ashtu si dhe Idrizi, dolën të krijojnë më shumë lëmsh sesa të zgjidhin situata në favor të ekipit kombëtar. Nëse karakterizohen që të dy për lojë luftarake, vetmohuese - as këto nuk i dëshmuan në ndeshjen e djeshme.

Në topa të dytë dhe në duele fizike, me një mesfushë të ngathtë dhe të çorientuar si ajo qipriote, nuk ia dilnin t'i fitonin në masën e dëshiruar, përkundër që cilësia ishte në anën tonë, falë një kundërshtari që lë për të dëshiruar, pa dashur ta mbivlerësojmë tani Kosovën.

Pra, po flasim për pjesën e parë kur në këto dy tipare të lojës Kosova u dominua plotësisht, ndërsa në pjesë të dytë filluan të përmirësoheshin gjërat, pasi ndryshoi edhe e gjithë qasja e lojës nga lojtarët. 

Në përgjithësi më shumë i fituan qipriotët duelet në gjysmë fushën e Kosovës sesa që ndodhi e kundërta. Një bilanc 84 me 65 nëse iu referohemi shifrave. Nga katrahura e krijuar me pasime të gabuara dhe vendosje të gabuar nga dyshja Fazliji - Idrizi (pa e harruar edhe Valon Berishën në tërësi), u krijua kjo amolli në masë të madhe, pasi Rrahmani dhe Kryeziu megjithatë arritën që ta ruajnë nivelin e përqendrimit për t'i shmangur situatat e pakëndshme. 

Edhe një herë, vetëm në pjesë të parë nëse e rishikoni ndeshjen, mund t'i numëroni mbi 8 aksione ku qipriotët në mënyrë të lehtë dhe të pasforcueshme, kanë depërtuar në brendi të zonës së rreptësisë të Kosovës. Fazliji dhe Idrizi ishin numra - vetëm kaq. 

Fazliji dje i ka fituar vetëm 38% të dueleve brenda gjysmë fushës së Kosovës. Madje, atij mund t'i faturohen dy gabime të rënda, ku e ka humbur topin në zonë të rrezikshme. 

"Parajsë" ishte Fazliji, çfarë paraqitje të tmerrshme tregoi Blendi Idrizi. Vetëm 13% të dueleve defanzive arriti që t'i fitojë. Një paraqitje horror nga ai, ku në asnjë çast të ndeshjes nuk ia ka dalur ta fitojë qoftë edhe një top në gjysmëfushën e Qipros.

Me 5 topat e humbur në një orë lojë të zhvilluar, ai ishte më shumë rrezik për dardanët sesa i dobishëm. Ai gaboi rëndë në goditjen e parë që qipriotët bënë në drejtim të portës së Aro Muric në minutën e 8-të. Idrizi gaboi në minutën e 22-të duke u shfaqur avanturier, ku në brendi të zonës së Kosovës, u mundua të pasonte në korridorin ballor, por topi përfundoi në këmbët e mesfushorit Kastanos, i cili nuk u tregua i saktë në goditjen e tij nga 25 metra, me topin që shkoi në anën e majtë të shtyllës së mbuluar nga Muriç
Për ta kurorëzuar një paraqitje tejet të dobët, u përkujdes në një çerek lojë në pjesë të dytë, ku trekëndshet me Kastratin dhe Zhegrovën i çonte në ajër, duke i shpërdoruar.

Si rikapitullim, pozicionimi i tmerrshëm i dyshës së mesfushës Fazliji dhe Idrizi e detyroi Giressen që të bëjë "rivendosje të lojtarëve në fushë", ashtu siç deklaroi në përfundim të ndeshjes.

Ata nuk ishin as të dobishëm në sulm, e as ndihmues në mbrojtje. Duke parë atë se çfarë treguan, shumë vështirë është të mendohet që do të luajnë në tri ndeshjet e radhës si titullarë nga minuta e parë së bashku. 

Ndoshta nga paraqitje e tyre dhe çalesat që i vurën në dukje, mund të jetë pikënisja e përzgjedhësit Alain Giresse drejt përgatitjes së ndeshjes kundër Greqisë të dielën me fillim në ora 20:45. 

Tjera nga autori:
1