Kuazi-standardet mbi ftesat e lojtarëve të kombëtares dhe "gjyqi moral" rreth një individi - NACIONALE

Kuazi-standardet mbi ftesat e lojtarëve të kombëtares dhe "gjyqi moral" rreth një individi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, gjatë ditës së djeshme publikoi listën e futbollistëve për ndeshjet e qershorit. Një listë me mungesa dhe pa afrime të reja që nuk ishin paralajmëruar më herët. Ftesat dhe lënia jashtë e disa lojtarëve lanë hapësirë për shumë diskutim, njësoj sikurse edhe "gjyqi moral" mbi një individ: Leart Paqaradën.

Në gazetën Nacionale patëm marrë indikatorët e parë për listën që do të publikohej që në javën e kaluar. Burimet brenda kombëtares thonë që edhe trajneri i ri, njësoj sikurse ai paraprak, Bernard Challandes, po heziton t'i ftojë më shumë futbollistë sesa 23 deri në 25 sosh. Kjo do ishte normale në një grumbullim ku luhen një apo dy ndeshje ndeshje, por është e pakuptimtë në formatin e ri ku Kosova luan katër ndeshje brenda dhjetë ditësh. Aq më shumë që këto ndeshja luhen pas përmbylljes së sezonit në shumicën e vendeve dhe ku si rrjedhojë shumë lojtarë vijnë me energji gati të shterrura si rezultat i angazhimit intensiv gjatë gjithë stinorit. Gjithashtu, edhe për disa mungesa ishin dhënë shenjat e para ashtu siç raportuam ditëve të kaluara.

Në mos rastësore, është e çuditshme të mendohet që largohen dhe vijnë përzgjedhësit e rinj, por politika e as strategjia për ftesat nuk variojnë. Në kushte normale do të duhej të ishte në diskrecion të përzgjedhësit i gjithë procesi i ftesave të futbollistëve, por këto makinacione lënë shumë vend për dyshim. Një organ, si ai i Komitetit Ekzekutiv, duket se ka vendosur t'ia bëjë gjyqin moral një futbollisti për shkak të sjelljeve disiplinore. I njëjti organ kishte ndërgjegjën e fjetur në rastet e mëhershme, ku kanë ndodhur episode tjera me futbollistë tjerë, të cilat janë amnistuar pas pak orësh. Mirëpo, Leart Paqaradës nuk e kanë ndërmend t'a falin siç duket, mbi parimin se kombëtarja është mbi çdokë dhe çdo gjë.

Në esencë gjesti i Leart Paqaradës njëmend është për t'u dënuar. S'ka fare justifikim për dikënd që refuzon të grumbullohet me arsyen që nuk do ta bëjë një gjë të tillë deri sa në krye të shtabit teknik të jetë një "x" trajner. Sidoqoftë, precedentët janë krijuar më herët dhe janë toleruar, duke i mbyllur dy sytë. Disa prej atyre që kanë bërë shkelje disiplinore me kombëtaren dardane, sot janë edhe në listë. Kjo është një hipokrizi dhe një kuazi standard të cilin mundohen ta përdorin për raste të caktuara. Po ashtu, në aspektin sportiv, është veprim vetëshkatërrues vendimi për të lënë jashtë Paqaradën, i cili këtë vit ka zhvilluar sezonin më të mire në karrierë, që me shumë gjasë do t'i hap rrugë një lëvizjeje në Bundesligën gjermane.

Përndryshe, pjesa tjetër e listës, e atyre që u ftuan dhe u lanë jashtë listës, ishte e diskutueshme. Kriteret e ftesave nuk dihet se cilat janë. Andaj, kjo e bën edhe më të vështirë analizën.

Sido që të jetë, burimet e afërta me Astrit Selmanin bëjnë të ditur që mungesa e tij nuk është derivat i ndonjë lëndimi, por është kryekëput zgjedhje teknike e përzgjedhësit Giresse. Me disa ndeshje në kalendar të ngjeshur në periudhën më të ndjeshme të sezonit, pikërisht në fundin e tij, stafi teknik i Kosovës ka menduar t'i koncentrojë energjitë te një sulmues i vetëm. Në kushte normale çdo kombëtare e ka si normë t'i ftojë edhe dy alternativa. Kosova nuk mendon njëjtë. Prepotencë? Naivitet? Vështirë të dëshifrohet.

Me shumë gjasë, është preferuar Benjamin Kololli, i cili në ekipin e tij në ligën japoneze kryesisht aktivizohet si sulmues. Kontributi i Kolollit në kombëtaren e Kosoës është i pamohueshëm, por ftesa e tij në këtë moment dhe lënia jashtë e Selmanit ngrejnë shumë pikëpyetje. Sa për krahasim, që nga transferimi në Japoni në verën e vitit 2021, Kololli ka zhvilluar vetëm 10 ndeshje zyrtare (me një mesatare 42 minuta për ndeshje) dhe ka shënuar 2 gola. Për më keq, për shkak të lëndimeve, në dy muajt e fundit, ai ka zhvilluar jo më shumë se 20 minuta.

Në anën tjetër, Selmani këtë kampionat ka startuar në të gjitha ndeshjet, me një përjashtim, dhe ka shënuar 5 gola, ku ka bërë edhe 2 asiste (në ligë dhe kupë). Ekipi i tij Hammarby është momentalisht lider në tabelë dhe këtë javë zhvillon finalen e kupës kundër Malmos. Pra, në aspektin teknik, është fare e qartë se cili lojtar ka kuota më të larta për tu ftuar. Për të mos përmendur faktin që Kololli kishte refuzuar t'i bashkohet Kosovës vjeshtën e kaluar për Ligën e Kombeve për shkak të masave strikte anti-Covid të shtetit japonez, që në këtë rast nënkuptonte izolim pas udhëtimit.

Ose, ndoshta në stafin teknik janë ekzaltuar nga fakti që në pjesën e dytë të sezonit Arbër Zeneli disa ndeshje i ka luajtur edhe si sulmues i dytë, duke formuar dyshën sulmuese te Reims. Njësoj edhe Milot Rashica është vendosur në disa ndeshje në pozicionin e njëjtë. Pra, në rast të ndonjë skenari ku do të kishte probleme fizike për Muriqin, do të aplikohej ky skenar. Mirëpo, sa do të ishte i frytshëm kur dihet që do të luajmë ndaj kombëtareve që aplikojnë mbrojtje të ngjeshur, kompakte dhe të organizuar - është diskutim në vete.

Për Rashanin dhe Hadërgjonajn po thuhet në disa qarqe që ka të bëjë me disa dhimbje që po ndjejnë. Gjithsesi, janë mungesa të mëdha. Veçanërisht ajo e Hadërgjonajt. Tani Kosova ka dy mbrojtës të krahut të djathtë natyralë dhe asnjë të majtë. Në këtë pozitë mund të përshtatet Vojvoda, i cili për më shumë ka luajtur si anësor sesa si mbrojtës i krahut të majtë, meqë në direktivat e Juric, si ai, ashtu edhe Singo - nga të dy krahët kanë pasur detyra hipersulmuese te Torino.

Dy ftesa që për shumkë ishin befasi përfshijnë Edvin Kurtulus dhe Donat Rrudhanin. Ftesa për Kurtulus është më se logjike marrë parasysh rritjen e sigurt të lojtarit, që edhe është kapiten i kombëtares U21. Mbrojtësi i ri i Hammarbyt shquhet për teknikën e mirë, sigurinë në mbrojtje dhe mund të angazhohet qoftë si qendërmbrojtës, ashtu edhe si anësor i djathtë.

Në anën tjetër, te rasti i Donat Rrudhanit, bëhet fjalë për një lojtar që vjen nga një sezon fantastik në ligën e dytë të Zvicrës. Është pikërisht ky fakt që ngre pikëpyetje lidhur me racionalitetin e kësaj ftese, sidomos kur shihet në dritën e mungesës së Celinës, që edhe pse ka shënuar rënie në karrierë, megjithatë ka pasur një sezon pozitiv në një ligë shumë më cilësore se liga e dytë e Zvicrës. Apo, rasti i Ylldren Ibrahimajt që ka pasur rol vendimtar në fillimsezonin e fuqishëm të ekipit të tij të ri, Lillestrom, që aktualisht është lider në Norvegji.

Sidomos vitin e fundit, duke parë avancimin në karrierë dhe formën e mirë të shumë lojtarëve dardanë, shumë ndjekës nga afër të kombëtares kanë besuar se më në fund niveli i lojtarëve që ftohen te Kosova nuk mund të kthehet nën nivelin e ligës së dytë në top 5 ligat evropiane. Kjo ftesë ngre pikëpyetje për mosftesa tjera eventuale të lojtarëve që luajnë, ta zëmë, në ligën e pare sllovene, ligën e dytë turke, suedeze etj.

Kur jemi te liga e dytë zvicerane, dy lojtarë tjerë dardanë, Eris Abedini dhe Uran Bislimi, po ashtu kanë pasur sezon shumë pozitiv duke siguruar ngjitjen në superligën zvicerane (Abedini me Winterthur) dhe barazhin për superligë (Bislimi me Schaffhausen). Marrë për bazë rolin që mbulojnë këta lojtarë (mesfushor shkatërrues/qendror) dhe mungesat që kemi në këto pozita, dikush edhe mund të argumentojë që këta të fundit është dashur të merren parasysh, sidomos duke pasur parasysh mungesën e minutave në sezonin pranveror të mesfushorëve tanë (shembull si Loshaj dhe Valon Berisha).

Gjithsesi, nëse ka ndonjë të metë këtu dhe ndonjë garë të fituar padrejtësisht, është ajo e Lirim Kastratit para Kreshnik Hajrizit. Ky i fundit thuajse në çdo parametër ka qenë më i mirë sesa i pari. Ish-përfaqësuesi i Kosovës U21 ka zhvilluar një sezon tejet stabil dhe të respektueshëm me fanellën e Luganos në ligën elitare zvicerane dhe ka fituar kupën e Zvicrës, që nënkupton pjesëmarrje në garat europiane sezonin tjetër.

Fatmirësisht shumica dërrmuese e bartësve të lojës së kombëtares së Kosovës vijnë nga një sezon shumë i mirë dhe kjo rrit shpresat për sukses në ndeshjet e ardhshme. Mirëpo, pavarësisht arsyeve teknike e personale prapa kësaj liste, problemi kryesor që kjo listë vë në pah është prania e standardeve të dyfishta apo mungesa totale të tyre, si në rastin e vlerësimit teknik të gjendjes së lojtarëve në ekipet e tyre, ashtu edhe në rastet e trajtimit të çështjeve disiplinore. Dhe, ky nuk është një ogur i mire për të ardhmen e ekipit dardan.

Lajme të ngjashme