<b></b> Kurtulus: Kosovën e kam në zemër, por është e rrugës ta përfaqësoj Suedinë

Kurtulus: Kosovën e kam në zemër, por është e rrugës ta përfaqësoj Suedinë

27.05.2022 20:31

 

Edvin Kurtulus, i cili deri së voni ishte kapiten i Kosovës U21, gjatë ditëve të fundit ia ka kumtuar përzgjedhësit të Kosovës, Giresse, dëshirën për t'iu bashkuar Suedisë. Kësisoj, ai në momentet e fundit refuzoi ftesën për t'iu bashkuar ekipit kombëtar për ndeshjet e Ligës së Kombeve në qershor. Lajmin se ai dëshiron ta braktisë Kosovën gazeta Nacionale e publikoi që herët sot në mëngjes. Ai para pak çastesh ka dhënë edhe prononcimin e parë për faqen zyrtare të klubit të tij.

 

"Për shkak të gjithë atyre gjërave që po qarkullojnë në media pas vendimit tim rreth cilës kombëtare vendosa ta përfaqësoj, dua vetëm të them që ndihem krenar që Kosova më dëshiron te Kombëtarja A e tyre, por në fund më përket mua ta bëj një zgjedhje. Kam nderin t'i dua dy vendet, por kam edhe përgjegjësinë ta marr një vendim, i cili thellësisht do të shihet si i drejtë.

"Për mua si Suedia, ashtu edhe Kosova - bëjnë pjesë në zemrën time. Meqë kam lindur dhe jam rritur në Suedi, është e rrugës që ta përfaqësoj atë. Kam pasur disa biseda të ndryshme me përzgjedhësin Janne Andersson dhe shpresoj që t'i definoj të gjitha procedurat për t'u bërë zyrtarisht lojtar i Kombëtares A të Suedisë. Praktikat burokratike janë në procedim e sipër dhe shpresoj që gjithçka të ecën shpejt dhe pa pengesa, në mënyrë që të mund t'i bashkohem grumbullimit të radhës", theksoi Edvin Kurtulus.

Edvin Kurtulus idetë po kaq të njëjta nuk i kishte edhe para një viti, kur gjithmonë për shtypin suedez deklaronte se krenarisht e kishte refuzuar ftesën nga Kombëtarja U21 e Suedisë për të qëndruar te Kosova. Edhe postimet e tij të pafundme në rrjetet sociale se ishte nder ta veshte fanellën e Kosovës, dhanë shije të hidhur kur sot tifozët kosovarë ia rikujtonin.

Ai nga nervoza vendosi që t'i fshehë komentet e shumta që u adresuan drejt tij në rrjetin social Instagram, ku nuk munguan edhe ofendimet nga një mori shtetasish kosovarë, të cilët e akuzonin Kurtulusin për dezërtim dhe tinëzari.

Kombëtarja e Kosovës vendosi që t'ia lehtësojë procedurat burokratike, pa i vënë pengesa, pasi të dy federatat kanë instaluar raporte të shëndosha ndër vite. 

Sot, menaxheri i Kosovës, Bajram Shala, e konfirmoi largimin e Edvin Kurtulus drejt Suedisë.

“Kurtulus ka vendosur ta përfaqësojë Suedinë, prandaj ai nuk do të vijë te Kosovë për ndeshjet e qershorit”, tha Shala.

Alain Giresse e kishte futur në planet e tij mbrojtësin e shpresave dardane. Meqë këto ishin tri ndeshjet e fundit të këtij cikli kualifikues që për shkak të moshës Kurtulus mund t'i luante me shpresat e drejtuara nga Albert Bunjaki, Kosova mendoi që ta ftonte në gjirin e kombëtares seniore, në mënyrë që ta përfshinte në skemat e Giresse që tani. 

Një zgjedhje e tillë iu kushtëzua përzgjedhësit Giresse marrë parasysh faktin që forma në ngritje e Kurtulusit nuk ofronte alternativa tjera. Ai është shndërruar në pikë referimi për ekipin e Hammarbyt qëkur iu bashkua atij gjatë këtij sezoni që sapo ka nisur në Suedi. Atij iu deshën vetëm tri ndeshje fillestare me Hammarbyn për ta bindur trajnerin e tij, Cifuentes, që ta inkuadronte si titullar të paprekshëm në vijim të kampionatit.

Kur e dimë që Hammarby për momentin udhëheq kampionatin suedez, atëherë nuk është e çuditshme pse Suedia i ka intensifikuar kontaktet me Kurtulusin. Për më tepër, edhe vetë Kurtulus sipas disa burimeve ka treguar se është tunduar nga mundësia që të luajë për ngjyrat e kombëtares nordike. Kësisoj, ai ka shprehur dëshirë ta përfaqësojë vendin ku ka lindur vetë, Suedinë. Mbase, nuk mund të konsiderohet rastësore e gjitha, meqë kombëtarja suedeze akoma nuk e ka publikuar listën për ndeshjet e radhës që do t'i luajë. Kështu, Kurtulus mund të jetë shumë shpejt pjesë e listës suedeze.

 

Tjera nga autori:
1