<b></b> Kurtulus më i fundit në listën e gjatë të lojtarëve që ia kthyen shpinën Kosovës

Kurtulus më i fundit në listën e gjatë të lojtarëve që ia kthyen shpinën Kosovës

27.05.2022 16:28

Për një futbollist të jetë në gjendje ta përfaqësojë vendin e vet dhe t’i mbrojë ngjyrat e atdheut është nderi më i madh që mund ta ndiejë, një ndjesi që shumë futbollistë shqiptarë të Kosovës duket se nuk e kanë për vendin e vet.

Kur njërit prej mesfushorëve më të mirë në botë në dekadën e kaluar iu desh të vendoste mes atdheut dhe vendit ku ishte rritur si emigrantë, Ivan Rakitic, ai zgjodhi Kroacinë para Zvicrës.

Kur u pyet pse Kroacinë e jo Zvicrën, ish-mesfushori i Barcelonës dhe fituesi i Ligës së Kampionëve kishte thënë: “Të jesh në gjendje të luash për vendin tënd dhe t’i mbrosh ngjyrat tua... nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë këtë”.

Ky është vetëm një shembull nga shumë shembuj të futbollistëve të mëdhenj që kanë refuzuar kombëtare të tjera për atdheun. Pa përmendur Kalidou Koulibaley, mbase mbrojtësin në të shtrenjtë në botë, i cili hoqi dorë nga mundësia për ta fituar Kupën e Botës me Francën për ta përfaqësuar Senegalin.

Të premten, një ditë pasi Gazeta Nacionale kishte raportuar lajmin përmes burimeve, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se Edvin Kurtulus kishte vendosur t’ia kthente shpinën Kosovës për Suedinë, pavarësisht se Kosova ia kishte besuar shiritin e kapitenit për ekipin kombëtar U21 para se ta ftonte në Kombëtaren A.

Në dy vitet e fundit, mbrojtësi 22-vjeçar i Hammaarby i mbrojti ngjyrat e Kosovës U21, por vendosi ta braktisë atë tamam kur i erdhi thirrja për ta përfaqësuar ekipin senior.

Ai madje e kishte quajtur nder përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në një postim në llogarinë e vet në Instagram muaj më parë.

Por Kurtulus, i lindur në Halmstad, nuk është i pari e as i rralli që ia kthen shpinën Kosovës papritmas.

Para tij, njëjtë kishin vepruar edhe Ardian Ismajli, Kastriot Dërmaku dhe Andi Zeqiri.

Njëlloj si Kurtulus, edhe mbrojtësi i Empolit Ismajli e kishte përfaqësuar Kosovën U21 para se të thirrej në Kombëtaren A dhe të ikte drejt Shqipërisë, të cilën e përfaqëson sot.

Në një çast në vitin 2018, legjenda e futbollit shqiptar dhe ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, kishte shkuar në Kroaci për ta vizituar Ismajlin kur ai luante për Hajkut Splitin.

Pak muaj para se të vdiste, Vokrri kishte njoftuar përmes faqes së FFK-së se “Ismajli e kishte konfirmuar se në të ardhmen do t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës”.

Pak kohë pas tij, mbrojtësi i Lecces Kastriot Dërmaku e kishte pranuar ftesën e Kosovës dhe në shtator 2018 ai e kishte udhëtuar drejt Baku për ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Azerbajxhanit. Ai kishte qëndruar në stol dhe pas asaj ndeshjeje ishte larguar nga grumbullimi duke shprehur dëshirën për ta përfaqësuar Shqipërinë.

Zeqiri, në anën tjetër, i kishte premtuar Kosovës përmes babait të vet Avdiut, para se t’i tregohej besnik Zvicrës.

"O ngoje bre ti qët’ Avdinë e keq. Andi ka me lujtë për Kosovën, edhe pikë", kishte thënë babai i tij kohë më parë.

Sulmuesi i Brighton Zeqiri madje e kishte nënshkruar një parakontratë me Federatën e Futbollit të Kosovës duke pozuar me fanellën dardane, teksa ia zgjaste dorën i buzëqeshur presidentit të FFK-së, Agim Ademit.

22-vjeçari në fund nisi ta përfaqësojë kombëtaren helvetike dhe madje u paraqit edhe kundër Kosovës në një ndeshje miqësore në mars.

Tjera nga autori:
1