Kush janë ekipet me të cilat do të përballen klubet kosovare në garat evropiane - NACIONALE

Kush janë ekipet me të cilat do të përballen klubet kosovare në garat evropiane

1 vit më parë

nga NACIONALE

Katër klube kosovare do ta nisin fushatën kualifikuese për garat evropiane në përpjekje për t’u bërë klubi i parë kosovar që siguron pjesëmarrjen në një garë të madhe evropiane. Por sa të fortë janë kundërshtarët e tyre të parë.

Ballkani do të luajë për kualifikime për Ligën e Kampionëve, ndërsa Drita, Gjilani dhe Llapi në kualifikime për Europa Conference League.

Në letër, Ballkani dhe Drita do të përballen me kundërshtarë më të fortë nga katër klubet kosovare në këto kualifikime.

Në shortin e hedhur sot në Zvicër, Ballkani, kampion i Kosovës, mësoi se do të përballet me Zalgirisin në rundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, Drita do të takohet me Inter Turku në rundin e parë të Conference League, Gjilani me Liepajan dhe Llapi, si fituese e Kupës së Kosovës, përballet me Buducnostin.

Katër skuadrat kosovare që do të marrin pjesë do të takohen me kundërshtarët që kanë pasur përvoja të mëhershme në kualifikimet për garat evropiane por që asnjëherë nuk kanë arritur të kualifikohen për në fazën e grupeve.

Zalgirisi, kundërshtari i Ballkanit, vitin e kaluar e kaloi këtë rund pa ndonjë problem të theksuar dhe është kampion në fuqi i Lituanisë. Përballë e kishte skuadrën e Linfieldit të cilën nga dy ndeshjet e mposhti me rezultat 5:2, pastaj në rundin e dytë të kualifikimeve humbi nga Ferencvarosi i Hungarisë, me ç’ rast shkuan në rundin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Evropës, në të cilën u eliminuan nga Mura e Sllovenisë. Shpresa e tyre evropiane nuk mbaroi këtu pasi që kjo humbje i dërgoi direkt në rundin e katërt të Conference League ku u eliminua nga Bodo/Glimt në fazën e fundit para fazës së grupeve. Zalgiris sezonin e kaluar u shpall kampion i Lituanisë, ku edhe e fitoi mundësinë që të luaj në fazën e parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve.

Drita në kuadër të kualifikimeve të Conference League do të takohet me skuadrën finlandeze, Inter Turku e cila vitin e kaluar u eliminua pikërisht në këtë rund nga Puskas Akademia. Inter Turku e mbylli sezonin në vendin e tretë në ligën elitare finlandeze sezonin e kaluar.

Gjilani do të takohet me Liepajan e cila vitin e kaluar në rundin e parë të kualifikimeve për Conference League fituan ndaj Strugës së Maqedonisë, për t’u eliminuar më pastaj në rundin e dytë të kualifikimeve nga CSKA Sofia. Kundërshtari i Gjilanit, Liepaja përfundoi sezonin e kaluar në vendin e tretë të ligës së Letonisë.

Llapi do të takohet me skuadrën nga Mali i Zi, Buducnostin e cila vitin e kaluar ishte në fazën e parë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve ku u eliminua nga HJK Helsinki, por që e pati edhe një mundësi në rundin e dytë në kualifikimet për Conference League, por që u mposhtën edhe aty nga skuadra e Ishujve Faroe, Havnar Boltfelag. Buducnosti e zuri vendin e dytë në ligën elitare të Malit të Zi e cila përfundoi në majin e këtij viti.

Lajme të ngjashme