Ka përfunduar njëra prej gjysmëfinaleve më të mira në histori të Ligës së Kampionëve!
Manchester City ka fituar me rezultat të ngushtë prej 4:3 përballë Real Madridit (De Bruyne 2', Gabriel Jesus 11', Phil Foden 53', Bernardo Silva 74'; Karim Benzema 33' 82', Vinicius JR 55').
Ekipi i Pep Guardiola kaloi shumè shpejt nè epèrsi me De Bruyne 2' dhe pastaj pas nèntè minutash e dyfishoi epèrsinè me Jesus 11'.
Pastaj Manchester City kishte një mori rastesh shënimi në pjesë të parë, por nuk arriten të jenë pragmatikë para portës. Para portës dështoi veçanërisht Mahrez.
Karim Benzema u përkujdes që ta ndëshkojë Manchester Cityn, duke shënuar një gol të bukur nga hiçi në minutën e 33-të të takimit.
Manchester City pati edhe disa aksione në minutat e mbetura, por që nuk arrinte t'i finalizonte.
Pjesa e parë u përmbyll me rezultatin 2:1 në të mirë të skuadrës kampione në fuqi të Premierligës angleze.
Pjesa e dytë filloi me një tryesni të madhe të ekipit vendas. Mahrez sërish dështoi para portës kur u gjend në afërsi të saj, duke goditur shtyllën. Nga i njëjti aksion topi iu kthye Fodenit, por as ky i fundit nuk arriti ta fusë topin në rrjetë, meqë goditjen e tij nga vija e portës e devijoi Carvajal.
Sidoqoftë, Manchester City e gjeti golin pak minuta më vonë, gjegjësisht në minutën e 53-të të ndeshjes me Phil Foden, i cili shënoi me kokë.
Gjithsesi, nuk vonoi shumë deliri për ekipin nikoqir, pasi Vinicius JR me një solo-aksion impresionues, me 60 metra sprint, shkoi në brendi të zonës dhe mposhti Edersonin për ta rikthyer skuadrën e tij në lojë, me rezultatin që shënonte 3:2.
Manchester City vazhdoi të insistonte në sulmet e saj, por nuk arrinte të vertikalizonte me rrezikshmërinë që dëshironte. U dashtë të vinte një moment, ku Zinchenko kërkoi një gjuajtje të lirë në afërsi të zonës, por gjyqtari i ndeshjes nuk e akordoi, duke vendosur që të japë përparësi. Topi shkoi te Bernardo Silva 74', i cili pa u menduar gjatë, i gjendur brenda zonës, koordinoi një goditje të majtë të furishme, duke lërë të shtangur portierin belg Courtois.
Në fund, për ta bërë këtë gjysmëfinale të pafund sa i përket dramaticitetit, u përkujdes mbrojtësi Laporte, i cili në mënyrë të pafalshme preku topin me dorë brenda 16 metërshit të tij. Gjyqtari nuk kishte asnjë mëdyshje dhe akordoi menjëherë penalti.
Nga pika e bardhë shënoi ylli francez, Karim Benzema, me një gjest teknik të shkëlqyer, duke shënuar me 'panenka' në minutën e 82-të të lojës.
Në minutat e mbetur Manchester City u mundua të sulmojë, por pa sukses.
Ndeshja e parë gjysmëfinale ndërmjet të dy ekipeve përfundoi me rezultat 4:3 në të mirë të skuadrës angleze.
Në vazhdim ju lëmë me pamjet nga përmbledhja e ndeshjes së sontme!