<b></b> La Liga bën ankesë zyrtare në UEFA ndaj Paris Saint-Germainit dhe Manchester Cityt

La Liga bën ankesë zyrtare në UEFA ndaj Paris Saint-Germainit dhe Manchester Cityt

15.06.2022 15:21

La Liga i ka rritur sulmet ndaj Paris Saint-Germainit dhe Manchester Cityt duke bërë ankesë zyrtare në UEFA për, siç beson, shkelje të mëdha të rregullave financiare nga këto dy klube.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i ka sulmuar vazhdimisht këto dy klube, të cilët i përshkruan si klube shtetërore, dhe së fundmi e ka kritikuar ashpër PSG-në për marrëveshje shumëmilionëshe me yllin francez Kylian Mbappe.

Që prej atëherë, kampioni i Premierligës City e bleu Erling Haalandin nga Borussia Dortmundi për rreth 60 milionë euro.

Real Madridi ishte shumë i interesuar për të nënshkruar me këta dy lojtarë.

“La Liga ka kuptuar se këto dy klube po bëjnë shkelje financiare, qoftë drejtpërdrejt përmes  parave të majme apo përmes sponsorëve dhe kontratave të tjera të cilat nuk përputhen me kushtet e tregut dhe nuk kanë kuptim në aspektin ekonomik”, thuhet në ankesën e La Ligës në UEFA.

“La Liga vlerëson se këto praktika e alarmojnë ekosistemin dhe qëndrueshmërinë e futbollit, i dëmtojnë të gjitha klubet dhe ligat evropiane dhe shërbejnë vetëm sa për ta fryrë artificialisht tregun me para që nuk gjenerohen në futboll”.

City dhe PSG-ja janë mbrojtur fuqishëm kundër ankesave të La Ligës në të kaluarën.

Në korrik të vitit 2020, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e hodhi poshtë një dënim me pezullim dyvjeçar nga Liga e Kampionëve për Manchester Cityn, të cilin e kishte marrë vetë UEFA ndaj klubit të Premierligës për shkelje të rregullave financiare.

Muajin e kaluar, Tebas tha se La Liga do të ndërmerrte veprime ligjore kundër PSG-së pasi Mbappe e refuzoi kalimin në Real Madrid.

Përfaqësuesi i Francës vendosi ta vazhdojë marrëveshjen me PSG-në deri në vitin 2025 dhe Tebas dhe La Liga thanë se vazhdimi i kontratës së tij ishte sulm ndaj qëndrueshmërisë ekonomike të futbollit evropian.

Tebas pritet të flasë gjerësisht për këtë temë gjatë takimit të ligave evropiane në Amsterdam të enjten.  

Tjera nga autori:
1