<b></b> Leart Paqarada lë pezull të ardhmen në St. Pauli, ndërsa klubi ka nevojë për të përfituar para nga shitja e tij

Leart Paqarada lë pezull të ardhmen në St. Pauli, ndërsa klubi ka nevojë për të përfituar para nga shitja e tij

13.05.2022 21:59

Mbrojtësi 27-vjeç kosovar, Leart Paqarada, ka qenë protagonist i një sezoni pozitiv me St. Pauli në Bundesliga II. Pa mëdyshje më i miri sezon që ai ka luajtur nga petku i lojtarit profesionist. Diçka të tillë e konfirmon edhe ai vetë, por duke lënë të nënkuptohet se ende është më se e hapur mundësia për t'u larguar nga skuadra veriore në fund të kampionatit.

Pavarësisht se ai ka qenë në lartësinë e duhur në këtë sezon, St. Pauli nuk ia doli ta administroi siç duhet kryesimin në kampionat që e pati deri në prill, pasi në gjashtë javët e fundit ka regjistruar paraqitje të dobëta, të cilat janë reflektuar edhe me lëshim të shumë pikëve, gjë e cila ia bëri të pamundur ngjitjen në kampionatin elitar gjerman. 

Paqarada shënoi një rekord personal, duke regjistruar 10 asiste deri më tani në 33 paraqitje në Bundesliga II. Shifra të tilla nuk i kishte arritur asnjëherë. Përveç këtyre numrave me asiste, ai arriti t'i shënojë edhe 2 gola në këtë kampionat.

Për njohësit e futbollit gjerman dhe vetë ambientin lokal në Hamburg, qytet në të cilin ka selinë edhe klubi i St. Pauli, Paqarada ka qenë prej më të dalluarve jo vetëm te skuadra e tij, por edhe në kampionat. 

Sido që të jetë, tani çështja e tij kontraktuale bën që të shndërrohet në temë të ditës, pasi raporti i tij me St. Pauli ka vlefshmëri deri në qershor të vitit të ardhshëm. St. Pauli nuk e ka bilancin vjetor prej më të mirëve, ashtu siç edhe të hyrat financiare si klub. Nga këtu prevalvon edhe nevoja për të thithur sa më shumë të hyra, qoftë edhe nga shitja e lojtarëve. Në këtë këndvështrim shitja e Paqaradës do të mund të ishte një mundësi e artë, veçmas tani kur gjendet një vit nga skadimi i kontratës. 

Skenari ku Paqarada do të shkonte në përfundim të kontratës, për të qenë pastaj lojtar i lirë, nuk i konvenon askujt. Paqaradës jo, për shkak të faktorit moshë dhe asnjëherë më shumë sesa tani nuk do të mund të përfitonte nga ky momentum pozitiv, në mënyrë që ekipi i tij i agjentëve të trokisni në dyert e klubeve më të konsoliduara. Ndërkaq, klubit nuk i lëverdisë në asnjë lloj forme, pasi rreziku i largimit me parametro zero do të ishte fatal për të, kur kemi parasysh faktin që mund të përfitojë një shumë parash nga shitja e kartonit të tij gjatë afatit kalimtar veror që po vjen. Edhe mediat kryesore gjermane e përmendin këtë aspekt, duke raportuar gjithashtu se ka një numër skuadrash që po shprehin interesim për mbrojtësin dardan.

Në lidhje me të ardhmen e tij, Leart Paqarada është përgjigjur fare shkurt për mediumin Regionalsport.

"Ndihem shumë mirë këtu në St. Pauli, por në futboll nuk duhet të bësh premtime", deklaroi ai, duke lënë të hapur mundësinë e largimit.

Së fundmi, trajneri i St. Pauli, Timo Schultz, për mediat gjermane ka njoftuar se Leart Paqarada në fillim të javës ka pranuar një goditje në gju, e cila ka bërë që ai të ketë vështirë edhe të ecën në mënyrën e duhur, por gjatë tani ai u është rikthyer stërvitjeve. 

Leart Paqarada mban një rekord impresionues, duke luajtur vazhdimisht si titullar i rregullt në të gjitha ndeshjet e kampionatit të sivjem. Të dielën skuadra e tij e luan ndeshjen e fundit përballë Dusseldorf në terrenin vendas dhe rekordi i tij në fjalë mund të dëmtohet, për shkak të lëndimit të sipërpermendur. St. Pauli ani se zhvilloi një sezon pozitiv, në fund do të duhet të kënaqet me pozitën e pestë tabelare, e cila vlen pak ose asgjë, meqë nuk mundëson futjen në play off për t'u ngjitur në Bundesliga I. 

 

Tjera nga autori:
1