Legjenda e Boksit, Christy Martin: Për 20 vite me radhë burri më tha se do të më vriste - NACIONALE

Legjenda e Boksit, Christy Martin: Për 20 vite me radhë burri më tha se do të më vriste

1 vit më parë

nga NACIONALE

Christy Martin, boksierja legjendare nga Amerika, ka treguar historinë e saj nga largimi i shtëpisë për një karrierë të jashtëzakonshme në boks e deri te kërcënimet me vdekje nga burri i vet.

Një vajzë e re nga Virxhinia perëndimore që iku nga shtëpia e saj për ta ndjekur ëndrrën e saj në boksin profesionist. Karriera e saj profesionale në ring filloi në vitin 1989, dhe përfundoi në tapetin e dhomës së saj në moshën 42-vjeçare.

Martin ishte gruaja e parë që nënshkruante me promotorin më të madh të asaj kohe, Don King, dhe e vetmja deri më tani që doli në ballinën e Sports Illustrated.

Historitë e saj shërbyen si narrativë e motivim për të dobëtit që iu nënshtrohen dhunës. Tregimet e saja thyen shumë barriera dhe rekorde që kishte vendosur vet në boks.

Christy ishte homoseksuale por e martuar me trajnerin e saj, Jim Martin, martesë e dhunshme që përfundoi me tragjedi. Ai gjatë tërë kohës e keqtrajtonte dhe fuste nën ndikimin e drogave deri në momentin më të keq të vitit 2010, kur ai e goditi tri herë me thikë dhe e qëlloi në gjoks.

12 vite pas sulmit që pësoi nga burri i saj, ajo u fut në Hall of Fame të boksit ndërkombëtar dhe ishte kjo ngjarje kur Christy Martin vendosi të flasë për jetën e saj dhe të kaluarat e hidhura.

Në intervistën për Guardian, Martin thotë se kishte ngjarje të bukura në jetën e saj, duke treguar për nënshkrimin me promotorin e famshëm.

“Momenti më i mirë në jetë është ky tani, që hyra në Hall of Fame, por gjithçka filloi me nënshkrimin e parë dhe të vetëm për gra me promotorin e famshëm, Don King. Pastaj arrita që në vitin 1996 të futem në Grand Marshall Hall of Fame, për një grua që futet në mesin e figurave historike të boksit dhe si e vetmja grua në këtë listë është ndjesi e jashtëzakonshme. Është listë e gjatë e arritjeve të mia dhe mendoj se nuk mund t’i radhit sipas rëndësisë asnjërën.”

Kampionia e peshave të lehta në boksin e grave aso kohe foli edhe për punën e saj duke thënë se regjimi i saj nuk ndryshoi kurrë sa ishte profesioniste.

“Regjimi im në ushtrime nuk ndërroi asnjëherë. Ndonjëherë ishte më intensive por gjithmonë u zgjoja herët, vrapoja pesë kilometra, bëja vrapime të shpejta, shkoja në palestër dhe në fund në sparring. Kjo ishte çfarë bëja për tërë javën ose ndonjëherë në gjashtë ditë kur merrja të dielën pushim. E doja boksin, e doja punën time.”

Për ngjarjen më të hidhur në jetë, Chrisyt Martin thotë se nuk ka folur publikisht kurrë dhe deri në momentin e arrestimin të burrit të saj nuk iu kishte treguar as prindërve.

“Asnjëherë deri më tani nuk kam folur publikisht për dhunën seksuale, abuzimet me droga që bënte burri në mua, madje për goditjen që më dha Jimi në moshën 42-vjeçare nuk e dinin as prindërit deri në arrestimin e tij, kisha frikë për ta se mos Jimi mund të bëjë gjëra të çmendura edhe ndaj prindërve të mi.”

Martesa e saj me Jim Martin ishte e dhunshme sepse Christy kishte tjetër orientim seksual por nuk kishte mundësi tjetër sipas kampiones së peshave të lehta.

“Jimi ishte ai që më dhunonte seksualisht e fizikisht, më fuste nën ndikimin e drogave, të gjitha këto që nga mosha e re. Ai njëkohësisht ishte trajneri im, dhe nuk kisha mundësi si të ikja nga duart e tij."

“Jimi për 20 vite më radhë më kërconte se do të më vriste, dhe si po shkonin gjërat unë e dija se kjo do vinte një ditë. Ishte ditë e premte, 23 nëntori i 2010 ajo ditë e tmerrshme kur unë veç se e mora vesh se ai do të më sulmonte, hyra në shtëpi dhe më goditi tri herë me thikë dhe më qëlloi në gjoks. Po gjakosja e tëra por sërish tentoja të ngrihem e të ikja për të shpëtuar. Jam shumë me fat që jam gjallë.”

Christy Martin, kishte menduar se asnjëherë nuk do të fliste më me Jimin pas atij rasti, por thotë se nuk mund të mos ia kujtojë atë ditë.

“Mendoja se asnjëherë nuk do të mund të flisja me të më, por çdo vit më 23 nëntor unë i dërgoj mesazh atij për t’ia kujtuar se çfarë më bëri mua.”

Ish-kampionia botërore e peshave të lehta, tani 53-vjeçare, është në gjendje të mirë fizike dhe nuk ka asnjë problem për të jetuar mirë tani e tutje.

“Jam mirë fizikisht dhe mentalisht. Mendoj ndonjëherë t’i kthehem stërvitjeve por puna nuk më jep kohë, ndoshta ndonjë ditë rikthehem në palestër por në sparring jo më.”

Lajme të ngjashme