<b></b> Liga e Kombeve: Zvicra mposhtet nga Çekia, Spanja e Portugalia ndahen baras, Greqia e mund Irlandën Veriore

Liga e Kombeve: Zvicra mposhtet nga Çekia, Spanja e Portugalia ndahen baras, Greqia e mund Irlandën Veriore

02.06.2022 23:07

Zvicra është mposhtur nga Republika e Çekisë, ndërkohë që Spanja ka barazuar me Portugalinë në ndeshjet hapëse të Ligës A në Ligën e Kombeve. Greqia e ka mundur Irlandën Veriore dhe tani ka pikë të njëjta me Kosovën në Grupin 2 të Ligës C.

Në Ligën A të grupit 2 u zhvilluan dy takime. Ishte kryendeshja e natës mes Spanjës e Portugalisë e cila përfundoi me barazim 1:1 në ‘Estadio Benito Villamarin’. Më të mirë gjatë gjithë ndeshjes u treguan spanjollët por që kjo nuk mjaftoi që të marrin tre pikët e para. Golin e parë e shënoi Spanja me Alvaro Moratan në minutën e 25-të e ky gol e mbajti në epërsi furinë e kuqe deri në minutën e 82-të kur në skenë doli Ricardo Horta i cili shënoi golin e barazimit vetëm 10 minuta pasi hyri në fushë. Ndeshja përfundoi me rezultat 1:1 e skuadrat favorite të grupit fitoren duhet t’i kërkojnë në ndeshjet në vazhdim.

Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Çekisë dhe Zvicrës shkaktoi një befasi të vogël, ku skuadra çeke triumfoi mbi atë helvete. Çekia fitoi me rezultat 2:1 ndaj Zvicrës, e golat për çekët i shënuan Jan Kuchta në minutën e 11-të dhe Djibril Soë me një autogol në minutën e 58-të ndërsa për zviceranët shënoi Noah Okafor në minutën e 44-të.

Në Ligën B, ndeshje pati në dy grupe. Në grupin 2 u takua Izraeli e Islanda ndërsa në grupin 4 u zhvilluan dy ndeshje e ato ishin: Serbi – Norvegji dhe Slloveni – Suedi.

Ndeshja mes Izraelit e Islandës ishte dramë golash, ku në fund vendasit arritën ta siguronin një barazim 2:2. Ishte Izraeli që kaloi në epërsi me anë të Liel Abada në minutën e 25-të, por pak minuta para fundit të pjesës së parë islandezi Johann Helgason barazoi rezultatin në 1:1. Me të filluar pjesa e dytë mysafirët shënuan golin e epërsisë me anë të Amor Sigurdsson në minutën e 53-të por që ky gëzim zgjati vetëm deri në minutën e 84-të ku për Izraelin shënoi Shon Ëesimann për rezultatin përfundimtar 2:2.

Në grupin 4, ndeshjet përfunduan kështu: Norvegjia triumfoi si mysafire e Serbisë me rezultat 1:0 me golin e sulmuesit më të ri të Manchester Cityt, Erling Haaland i cili shënoi në minutën e 26-të dhe më që nga ajo minutë nuk ndryshoi asgjë.

Ndeshja tjetër mes Sllovenisë e Suedisë përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 2:0. ishte kapiteni i Suedisë, Emil Forsberg ai që shënoi nga penalltia fillimisht në minutën e 39-të e për dyfishim të epërsisë u përkujdes Dejan Kulusevski në minutën e 88-të për rezultatin përfundimtar 2:0.

Në Ligën C u zhvilluan gjithsejti katër ndeshje, dy nga grupi 2 të cilat ishin Qipro – Kosovë dhe Irlanda veriore e Greqia, ndërsa edhe dy tjera u zhvilluan në grupin 4 ku u takuan: Bullgaria e Maqedonia e veriut dhe Gjeorgjia e Gjibraltari.

Për ndeshjen Qipro – Kosovë mund të lexoni më shumë duke klikuar këtu.

Në ndeshjen tjetër të grupit të Kosovës, Greqia doli fituesi mbi Irlandën veriore si mysafire. Ishte vetëm një gol që vendosi fatin e takimit e atë gol e shënoi Tasos Bakasetas në pjesën e parë teksa po zhvillohej minuta e 39-të. Deri në fund të takimit rezultati nuk ndryshoi e Greqia e mposhti Irlandën veriore 1:0.

Ndeshjet tjera të Ligës C të grupit 4 përfunduan kështu: Bullgaria e Maqedonia e veriut u ndanë në paqe me rezultat 1:1. Ishte Bullgaria që doli në avantazh me golin e Kiril Despodov në minutën e 13-të, ndërsa goli i barazimit erdhi në minutën e 50-të me anë të Milan Ristovskit.

Ndeshja tjetër në këtë grup u zhvillua mes Gjeorgjisë e Gjibraltarit e ku skuadra vendase e demoloi me rezultat 4:0.

E në ligën D u zhvillua vetëm një takim, ai i grupit 2 ndërmjet Estonisë e San Marinos.

Në këtë ndeshje nuk pati befasi dhe si çdo skuadër edhe Estonia triumfoi ndaj San Marinos. Ndeshja përfundoi me rezultat 2:0 për vendasit të cilët të dy golat i shënuan në pjesën e parë. Fillimisht ishte Robert Kirss në minutën e 24-të e pastaj Joonas Tamm në minutën e 32-të e dyfishoi epërsinë.

Tjera nga autori:
1