<b></b> Lionel Messi: Karim Benzema duhet ta fitojë Topin e Artë, pa asnjë dyshim

Lionel Messi: Karim Benzema duhet ta fitojë Topin e Artë, pa asnjë dyshim

31.05.2022 10:35

Ylli i Paris Saint-Germainit, Lionel Messi, thotë se rivali i tij i moçëm në Real Madrid, Karim Benzema, duhet ta fitojë Topin e Artë këtë vit pa asnjë dyshim, pas triumfit në finale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit të shtunën.

Messi e kaloi shumicën e karrierës në Barcelonë duke u shtyrë kokë më kokë me Benzeman në La Liga, megjithatë ai i njeh dhe i vlerëson arritjet e sulmuesit francez.

Për më të tepër, Messi foli edhe për garën e vitit të kaluar për Topin e Artë dhe komente e Robert Lewandowskit, i cili kishte thënë se argjentinasi nuk ishte i sinqertë gjatë fjalimit pas pranimit të çmimit, megjithëse sulmuesi polak këmbënguli më vonë se komentet e tij ishin keqinterpretuar.

Çfarë tha Messi për Benzeman?

“Nuk ka dyshim se Benzema duhet ta fitojë Topin e Artë”, tha Messi për TyC Sports.

“Është shumë e qartë se Benzema e kishte një vit shkëlqyer dhe ia ngriti vetes vlerat duke e fituar Ligën e Kampionëve, duke qenë lojtar kyç nga rrethi i 1/8 së finales e tutje në të gjitha ndeshjet. Mendoj se këtë vit nuk ka dyshime (se kush duhet të jetë fituesi)”, nënvizoi ai.

Benzema i shënoi 15 gola në Ligën e Kampionëve, përfshirë golat e triumfit në fazën e eliminimit kundër PSG-së, Chelseat dhe Manchester Cityt.

Ai po ashtu e fitoi La Ligën duke i shënuar 27 gola dhe duke i dhënë 12 asiste.

Sulmuesi francez është tani favorit kryesor për ta fituar Topin e Artë këtë vit, i cili do të ndahet për herë të parë në verë.

“Nuk më bën çfarë thotë Lewandowski”

Kur e pranoi çmimin vitin e kaluar, Messi e përmendi Lewandowskin menjëherë duke thënë se ylli i Bayern Munich e meritonte të paktën një Top të Artë.

Lewandowski ishte cituar të ketë thënë fillimisht se në fjalimin e Messit kishte fjalë boshe, por më vonë polaku këmbënguli se ishte keqinterpretuar dhe qartësoi se fjalimi i Messit e kishte prekur vërtet.

Sidoqoftë, Messi tha për TyC Sports se nuk i interesuan aspak komentet e Lewandowskit.

“Secili njeri mund të thotë çfarë të dojë dhe natyrisht ai mund të shprehet dhe të thotë çfarë të dojë. Sinqerisht, nuk pajtohem me atë që thotë ai, por nuk i jap aq rëndësi. Kaq, ai mund të thotë çfarë të dojë, mua nuk më bën”, tha Messi. 

Tjera nga autori:
1