Liverpool nuk dorëzohet në luftë për titull, fiton me formacionin e dytë përballë Southampton - NACIONALE

Liverpool nuk dorëzohet në luftë për titull, fiton me formacionin e dytë përballë Southampton

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ekipi i Jurgen Klopp siguroi një fitore tejet të çmuar në stadumin St. Mary, edhe pse trajneri gjerman vendosi që t'i pushojë thuajse të gjithë lojtarët e rëndësishëm, në mënyrë që t'i shmangte lëndimet e mundshme disa ditë para finales të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit. Me energji të reja dhe lojtarë të freskët - Liverpool ishte superior në çdo aspekt, me Southampton që ishte i pafuqishëm që t'i kundërvihej.

Ndeshja filloi me Liverpool që ishte më kërkues, përkundër fakit që shumë lojtarë luajtën pas një kohe të gjatë titullarë, si Firmino apo Minamino.

Në dhjetë minutat e para nuk u regjistrua asnjë rast shënimi. Liverpool vazhdonte që ta kishte mbizotërimin e posedimit të topit.

Nga një situatë që nuk premtonte shumë, Southampton kaloi në epërsi në minutën e 13-të me golin e Redmond, i cili shënoi me goditje me kthesë, i ndihmuar paksa edhe nga një devijim i lehtë i Milner. Kështu që, Alisson nuk mund të bënte asgjë, me topin që përfundoi në cepin e majtë të portës së tij. Sidoqoftë, goli i shënuar nga sulmuesi anglez mbetet i bukur.

Liverpool menjëherë provoi që të këndellej. Dy minuta pas golit të pësuar, Tsimikas ekzekutoi një ndërprerje nga një pozitë anësore në këndin e majtë të gjysmë fushës kundërshtare, ku gjeti Firminon të lirë, i cili shënoi me kokë. Mirëpo, goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Me Southampton të tërhehur mbrapa, Liverpool vazhdoi t'i intensifikonte sulmet. Diçka e tillë u tregua produktive, pasi në minutën e 27-të Minamino në mënyrën më të mirë të mundshme pranoi pasimin nga Jota dhe shënoi me një goditje të fuqishme brenda zonës, për ta barazuar rezultatin 1:1.

Në minutat e mbetura të pjesës së parë ishte sërish skuadra mysafire që përpiqej ta gjente golin e dytë, por pa sukses, pasi Southampton arriti që t'i neutralizojë sulmet e saj.

Kësisoj, pjesa e parë u mbyll me shifrat e barabarta 1:1!

Pjesa e dytë nisi sërish me Liverpool që diktoi tempon e lojës në minutat e para. Jota në minutën e 49-të u shërbye në brendi të zonës për mrekulli nga Tsimikas me një pasim tokazi. Sulmuesi portugez koordinoi të majtën e tij, por topi përfundoi fare pranë shtyllës së djathtë të McCarthy.

Me kalimin e minutave në vijim nuk ndryshoi pasqyra e ndeshjes. Liverpool këmbënguli me qasjen e njëjtë sulmuese. Zhvillohej minuta e 56-të kur Elliott i gjendur fare pak metra larg portës së Southampton nuk ia doli të shënoi nga pozita anësore.

Pritjes për ta gjetur golin e epërsisë i erdhi fundi në minutën e 67-të, ku Matip goditi topin me kokë për ta çuar në rrjetë. Topi mori një kahje të çuditshme, e cila ia bëri të pamundur McCarthyt që ta priste.

Në minutat në vazhdim Liverpool frenoi paksa, duke u tërhequr mbrapa, ruajtur energjitë dhe menaxhuar epërsinë e krijuar.

Redmond në minutën e 88-të të ndeshjes provoi sërish ta befasonte Alissonin nga distanca prej 25 metrave, por kësaj radhe portieri brazilian ia doli që ta kapte topin, edhe pse goditja ishte tejet e fuqishme.

Deri në fund të ndeshjes nuk u veçua ndonjë rast tjetër shënimi, me ndeshjen që u mbyll me rezultat 1:2 në të mirë të mysafirëve.

Kështu, Liverpool arkëtoi tre pikët e radhës, duke shkuar në shifrat e 89 pikëve, vetëm një më pak sesa Manchester City që prinë në renditjen tabelare.

Tashmë është zyrtare që titulli kampion do të vuloset në javën e fundit, respektivisht të dielën. Liverpool pret në Anfield skuadrën e Wolves, kurse, ndërkohë, duhet të shpresojë te ndonjë rezultat pozitiv që Aston Villa e ish-kapitenit të saj, Steven Gerrard, ta korrë në ndeshjen të cilën e luan në Etihad ndaj Manchester Cityt.

Liverpool synon fitimin e katër trofeve, i cili do të ishte sukses historik për një skuadër angleze, pasi askush më herët nuk kishte arritur diçka të tillë.

Në vazhdim ju lëmë me pamjet nga përmbledhja e ndeshjes së sotme!

Lajme të ngjashme