<b></b> Loshaj flet për Nacionalen: Dikur shikoja ndeshjet para ekranit si tifoz i madh, tani jam shumë i lumtur që përfaqësoj vendlindjen time

Loshaj flet për Nacionalen: Dikur shikoja ndeshjet para ekranit si tifoz i madh, tani jam shumë i lumtur që përfaqësoj vendlindjen time

14.05.2022 10:00

Florian Loshaj ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës U-21 nën drejtimin e ish-përzgjedhësit Rafet Prekazi. Nuk zhvilloi shumë paraqitje me shpresat, tërësisht tre sosh. Atij iu deshën tre vjet që të rikthehej për ta veshur fanellën e Kosovës në një ndeshje kualifikuese, veçse kësaj me ekipin kombëtar A. Mesfushori dardan zgjodhi gazetën Nacionale për ta zhvilluar një intervistë, ku ai flet për sezonin e zbehtë në të cilin po kalon me Cracovian, emocionet që ia transmeton përfaqësimi i Kosovës dhe shumëçka tjetër. 

Futbolli është një shkencë në vete, ku gjatë kohës shumë lojtarë shënojnë rënie dhe ngritje. Kështu mund të përkufizohet edhe karriera e Florian Loshajt. Mesfushori 25-vjeç ka pasur luhatjet e tij në formë, por Kosovës i ka sjellur freskinë e nevojitur, duke bërë paraqitje të mira dhe me një vazhdimësi të pëlqyeshme. 

Në raport me Kombëtaren e Kosovës, Loshajn e ka shoqëruar një ironi e fatit, pasi është grumbulluar në të shumtën e rasteve në periudha të caktuara kohore kur shkëlqimin nuk e ka pasur në pikun e tij më të lartë, ndërsa në mënyrë të diskutueshme është lënë jashtë listës kur ishte protagonist në suksese dhe triumfe të ndryshme te ekipet ku luante, siç ishte rasti në verën e 2020-ës, ku fitoi Kupën e Polonisë me Cracovian. 

Sido që të jetë, me ekipin polak gjatë sezonit të fundit e ka humbur pozitën e titullarit, të cilën e kishte blinduar pa asnjë problem në dy sezonet paraprake. Për momentin ai ka një mesatare prej 30 minutave për ndeshje. Madje, në ndeshjet e gjysmë sezonit të dytë është akoma më e ulët. Floriani dha versionin e tij për këtë se çfarë po ngjan.

"Po, ky sezon nuk ka qenë ideali. Nuk kam pasur shumë minutazh. Nuk e di si dhe çfarë ndodhi. Por, unë do të përpiqem që çdo ditë të punoj më shumë e më shumë", shtoi Loshaj.


Duke ditur që në Kombëtaren e Kosovës ka shkëndija që çojnë deri në rritjen e konkurrencës çdoherë e më shumë në mesfushë dhe marrë parasysh faktin që Loshaj ka vetëm një vit tjetër kontratë me klubin e Cracovia, ai u përgjigj nëse po mendon të bëjë ndonjë lëvizje, për t'u transferuar në ndonjë kampionat tjetër.


"Momentalisht jam i fokusuar këtu në Cracovia. Pastaj, se çfarë do të bëhet mbetet për t'u parë. Tani nuk mund të them diçka konkrete", u përgjigj Loshaj.


Te Kombëtarja e Kosovës ka pasur thuajse gjithmonë paraqitje solide dhe të kënaqshme. E kemi parë duke luajtur në shumë module të lojës, nga 4-4-2 deri në 4-2-3-1, 4-3-3 dhe 3-5-2. Ai ka treguar se në cilat skema taktikisht është më i prirë të luajë.


"Po, unë kam luajtur me të gjitha këto module të lojës me Kombëtaren e Kosovës dhe kemi pasur shumë paraqitje të mira. Unë thuajse përgjatë të gjithë karrierës sime kam luajtur me modulin 4-3-3 ose 4-2-3-1. Mirëpo, mund të luaj në të gjitha skemat", theksoi ai.


Në vazhdim mesfushori drenicas u shpreh edhe rreth emocionit dhe ndjesisë që përjeton kur luan për Kosovën. 

"Për mua ka qenë një ëndërr që u bë realitet. Unë para se të ftohesha, i kam shikuar të gjitha ndeshjet si tifoz i madh i Kosovës. Kur më ka ardhur ftesa, ka qenë ëndërr për mua. Ende jam shumë i lumtur që mund ta përfaqësoj vendlindjen time.

"Herën e parë që u ftova ishte për ndeshjen miqësore të zhvilluar në Doha përballë Suedisë. Mandej, pranova ftesën për ndeshjet kualifikuese të tetorit 2020 dhe ndihem tejet i lumtur që tash e dy vite po arrij ta përfaqësoj atdheun tim", nënvizoi Loshaj.

 

Ai nuk ka ngurruar që të flasë në superlativ për ish-përzgjedhësin e kombëtares dardane, Bernard Challandes, ndërkaq ka dhënë mendimin e tij edhe për Alain Giresse që mori drejtimin e Kosovës nga fillimi i këtij viti.

"Në fillim Bernard Challandes ka pasur shumë suksese me kombëtaren tonë. Në dy ndeshjet e para me Alain Giresse kemi treguar paraqitje shumë të mira, duke arkëtuar fitore bindëse kundër Burkina Fasos dhe gjithashtu duke zhvilluar një lojë shumë të bukur përballë Zvicrës. Tani në qershor kemi katër ndeshje shumë me rëndësi dhe shpresoj ta kemi fatin që të grumbullojmë sa më shumë fitojmë.

"Të gjithë lojtarët kemi shumë cilësi dhe është kënaqësi të luaj me të gjithë. Të gjithë kemi kualitetin e nevojshëm për t'i mbuluar pozitat që na jepen", deklaroi Loshaj.

Për fund nuk mund të mungonte edhe pyetja rreth asaj që në Poloni, vendin ku luan ai, është temë e ditës më shumë sesa në shumicën e vendeve të Evropës perëndimore: lufta në Ukrainë dhe ndikimi që ka pezmatuar në shoqërinë polake. Kjo e fundit ka një kufi me shtetin ukrainas që shtrihet në 535 km territor dhe emergjenca e refugjatëve dhe gjithçka tjetër, reflektohet tej mase shumë. Federata polake ka qenë shumë e ashpër ndaj Rusisë, duke i bërë thirrje UEFA-s që t'i shqiptojë dënimet më të ashpra të mundshme. Në lidhje me këtë temë të ndjeshme edhe Loshaj shprehi ndjesitë e tij që ka në të jetuarit në një klimë të tensionuar. 

"Besoj që e gjithë bota ishte shumë e shokuar pas asaj çfarë nisi të ndodhte. Polonia hapi menjëherë dyert për refugjatët. Unë mbetem me shpresë që sa më shpejt do të përfundojë kjo luftë, për t'iu kthyer jetës normale", përfundoi Florian Loshaj.

Mesfushori 25-vjeçar kosovar ka lindur në Kosovë, në qytetin e Skenderajt, por është rritur në shtetin belg, aty ku ka filluar t'i bëjë hapat e para si lojtar junior në Genk, për ta vazhduar karrierën profesionale në ekipet tjera, si: MVV, RodaPolitehnica dhe së fundmi Cracovia. Përvoja në Rumani e ka ndihmuar shumë që të rikëndellej dhe të luftonte për ta fituar statusin e lojtarit të kombëtares kosovare. 

Me Kosovën ka krijuar një kimi të konsoliduar me Ibrahim Dreshevic. Barra e tij e vetme gjatë muajve të fundit mund të jetë mungesa e minutazhit të dëshiruar në nivel klubi, e cila mund t'i shkaktojë probleme edhe te kombëtarja. 

Megjithatë, njësoj siç ka treguar historiku i tij si lojtar, në momente të ndryshme ku është dukur se po bie në formë dhe si lojtar, ai ka gjetur forcën e duhur për t'u ringritur. Diçka e ngjajshme mund të ndodhë edhe tani, për t'u rikthyer në elementin e dëshiruar.

 

 

 

Tjera nga autori:
1