<b>Manchester City</b> ka zyrtarizuar transferimin e Haalandit nga BVB: Gjithçka që vlen të ceket rreth ‘makinerisë së golave’

Manchester City ka zyrtarizuar transferimin e Haalandit nga BVB: Gjithçka që vlen të ceket rreth ‘makinerisë së golave’

13.06.2022 17:19

Erling Haaland, 21-vjeçar, i bashkohet Manchester Cityt më 1 korrik, pasi nënshkroi kontratë pesë-vjeçare që e mban atë në "Etihad" deri në vitin 2027.

Biri i ish lojtarit të Cityt, Alfie, i cili kishte nënshkruar gati 22 vite më parë për "Qytetarët", Haalandi i ri gjërësisht konsiderohet si një prej sulmuesve më të mirë në Evropë dhe vjen në klub pas disa aventurave impresive me klube si Molde FK, Red Bull Salzburg dhe Dortmund.

Reprezentuesi norvegjez, i cili ka 21 paraqitje mbi supe me Kombëtaren, ka shënuar 86 gola në 89 ndeshje me Dortmundin, duke fituar Kupën e Gjermanisë dhe duke u shpallur "Lojtari i Sezonit" në Bundesligë më 2020/21, në proces.

"Kjo është një ditë krenare për mua dhe familjen time", tha ai për "mancity.com", pasi kompletoi marrëveshjen.

"Gjithmonë e kam shikuar Cityn dhe më ka pëlqyer duke e bërë këtë në sezonet e fundit. Ju nuk mund të bëni gjë tjetër, veç ta admironi stilin e tyre të lojës, është ngazëllyese dhe krijojnë shumë shanse, gjë që është perfekte për një lojtar si unë.

"Ka kaq shumë lojtarë të klasit botëror në këtë skuadër dhe Pep është një prej trajnerëve më të mirë të të gjitha kohëve, kështu që besoj se jam në vendin e duhur për t'i përmbushur ambiciet.

"Dua të shënoj gola, të fitoj trofe dhe të përmirësohem si futbollist - dhe jam optimist se mund ta arrij këtu. Kjo është një lëvizje e madhe për mua dhe mezi pres të filloj parasezona".

Drejtori i Cityt, Txiki Begiristain shtoi: "Kemi qenë duke e monitoruar Erlingun tash e disa vite, kështu që jemi të ngazllyer ta sjellim atë këtu te Manchester City.

"Ai është talent i madh dhe ka qenë një prej sulmuesve më të mirë në Evropë në disa sezonet e fundit. Bilanci i golave të tij është i jashtëzakonshëm dhe paraqitjet me Borussia Dortmundin në veçanti në Ligën e Kampionëve, kanë dëshmuar se ai mund të ketë sukses në nivelin më të lart.

"Erling ka gjithçka që ne duam te një sulmues dhe jemi të sigurtë se ai do të shkëlqejë në skuadër dhe në këtë sistem.

"Ngritja e tij ka qenë e jashtëzakonshme, por ai është ende vetëm 21-vjeç. Vitet e tij më të mira janë përpara dhe jemi optimistë se mund të bëhet edhe më i mirë nga puna me Pep.

"Ky është një transferim shumë ngazëllyes për klubin tonë, dhe jam i sigurt se fansat tanë do ta shijojnë aktivizimin e Erling në këtë skuadër."

Fanellat e Haalandit do të dalin në shitje posa të kuptohet numri që do ta bartë, njofton faqja e Cityt.

Haaland: Makineria e golave

Karriera e Haalandit deri tash është karakterizuar nga një gjë e vetme: golat.

Ai ka shënuar gola në numra drithërues përgjatë gjashtë viteve karrierë si futbollist profesionist dhe atributet e tij e bëjnë atë qendërsulmues në çdo kuptim të fjalës.

I fuqishëm, i gjatë, i shpejtë, i mirë në ajër dhe i aftë të shënojë shumë gola me secilën këmbë, ai do t'i ofrojë mundësi Cityt të një sulmuesi tipik, që nuk ka ekzistuar në skuadër prej kur u largua Sergio Aguero verën e kaluar.

I lindur në Leeds, ku babai Alfie atëherë po luante në Premier Ligë, familja u shpërngul në Bryne, jug të Norvegjisë, kur Haalandi junior ishte vetëm 3-vjeçar.

Ai iu bashkua klubit nga qyteti ku jetonte në moshën 10-vjeçare dhe kaloi nëpër grupmoshat zinxhirë për të debutuar në Ligën e Dytë norvegjeze, pak pasi mbushi 16-vjet.

Pastaj erdhi transferimi te Molde, ku realizoi gol në debutim pasi u inkuadrua nga banka rezervë. Ai i dha fund sezonit të vitit 2018 si top golashënuesi i klubit, duke shënuar 12 herë në 25 paraqitje në ligë, derisa ishte ende vetëm 18-vjeçar.

Forma e tij në Norvegji tërhoqi interesimin e kampionit austriak, Red Bull Salzburg, ku u transferua në janar të vitit 2019. Ai bëri pesë paraqitje në pjesën e dytë të fushatës, por ishte fillimi i sezonit pasues kur karriera e tij filloi njëmend dhe bota nisi të kuptonte kush ishte.

Mes gushtit 2019 dhe shtatorit 2019, sulmuesi shënoi 17 gola në nëntë ndeshje - tre hat-tricka, një treshe në debutimin në Ligën e Kampionëve kundër Genk.

Deri në kohën kur iu bashkua Dortmundit në janarin e ardhshëm, ai kishte shënuar 28 gola në 22 paraqitje për Salzburgun dhe nuk tregoi shenja ngadalësimi në Bundesligë.

Një hat-trick brenda 23 minutave në fitoren 5-3 kundër Augsburgut ia stabilizoi vendin norvegjezit te "milionerët" dhe, me nga dy gola në dy ndeshjet e ardhshme, ai u shndërrua në lojtarin e parë në histori të Bundesligës që shënon pesë gola në dy ndeshjet e para dhe shtatë në tri të parat.

Haaland përfundoi sezonin 2019/20 me 44 gola në 40 paraqitje për Salzburgun dhe Dortmundin dhe e përcolli këtë sezon me 41 gola në edicionin 2020/21.

Aty u përfshinë katër gola kundër Hertha Berlinit, dy gola kundër Sevillas, të cilat e bënë lojtarin më të ri që arrin më së shpejti në kuotën e 20 golave në Ligën e Kampionëve.

Dortmundi do të përfundonte prapa Red Bull Leipzigut dhe Bayern Munichut, por Haaland shënoi dy gola në finalen e Kupës Gjermane, për t'ia siguruar skuadrës një trofe.

Paraqitjet e tij përgjatë asaj sezone mjaftuan për t'ia siguruar çmimin e "Lojtarit të Sezonit" në Bundesligë, derisa ai gjithashtu përfundoi si top golashënues në Ligën e Kampionëve, për ta fituar trofeun e "Sulmuesit të Sezonit".

Haaland u kufizua në 30 paraqitje në sezonin 2021/22 kur pati probleme me lëndime, por prapë arriti të shënonte 29 gola dhe, në nëntor, ai shënoi golin e 50 në Bundesligë për t'u bërë lojtari më i ri dhe më i shpejti që arrin këtë kuotë shënimesh.

Ka qenë një storie e ngjashme me Kombëtaren, ku ai ka shënuar 20 gola në 22 paraqitje për Norvegjinë.

Ai bëri debutimin e tij si 19-vjeçar në fitoren 2-0 kundër Maltës në shtator të vitit 2019, dhe shënoi golin e parë derisa fitoi ftesën e tretë kundër Austrisë, 12 muaj më vonë.

Muajin pasues, ai shënoi hat-trickun e parë për Norvegjinë, në fitoren 4-0 kundër Rumanisë.

Goli i tij i fundit m Kombëtaren erdhi të dielën, kur shënoi dy herë në fitoren 3-2 kundër Suedisë, në Ligëne  Kombeve.

Një sulmues natyral i lindur, Haaland do të shikojë të replikojë suksesin te City.

Statistikat sezon pas sezoni

2017/18: Molde 

Ndeshje: 14
Gola: 2
Asistime: 1

2018/19: Molde dheRed Bull Salzburg

Ndeshje: 27
Molde: 25
Eliteserien gola: 12
Eliteserien asistime: 4
Red Bull Salzburg: 2
Austrian Bundesliga gola: 1

2019/20: Red Bull Salzburg dhe Borussia Dortmund

Ndeshje: 29
Red Bull Salzburg: 14
Bundesliga Austriake gola: 16
Bundesliga Austriake asistime: 4
Borussia Dortmund: 15
Bundesliga Gjermane gola: 13
Bundesliga gjermane asistime: 2

2020/21: Borussia Dortmund

Ndeshje: 28
Gola: 27
Asistime: 6

2021/22: Borussia Dortmund 

Ndeshje: 24
Gola: 22
Asistime: 7

*Vetëm ndeshjet e ligës

Tjera nga autori:
1