<b></b>

"Më i dobëti në fushë" - shtypi francez nuk e amniston Edon Zhegrovën për paraqitjen e mbrëmshme

15.05.2022 14:05

Sulmuesi kosovar, Edon Zhegrova, dje u inkuadrua titullar nga trajneri i tij Gourvennec në sfidën ndaj Nice. Mirëpo, ai nuk la fare gjurmë dhe diçka e tillë e detyroi trajnerin francez që ta zëvendësonte që në fillim të pjesës së dytë. Ky ishte vetëm një tregues i një forme që ka filluar të pësojë luhatjet e veta. Për këtë arsye edhe shtypi francez e vlerësoi me nota të ulëta.

Karriera e Edon Zhegrovës është karakterizuar gjithmonë me vështirësinë e ruajturit të një forme pa shënuar luhatje. Vazhdimësia në paraqitje i ka munguar. Shenjat e para kanë filluar të shihen edhe në Ligue 1 gjatë javëve të fundit. Pasiv në fushë, mbajtje e tepërt e topit në pronësi: kështu janë karakterizuar tre ndeshjet e fundit përballë Troyes, Monaco dhe Nice. Kjo bëri që edhe ai të mos luante as një orë lojë në secilën prej ndeshjeve të sipërpermendura. 

Për shtypin francez ai ishte lojtari më i dobët mbrëmë në fushë, në fitoren që këta të fundit e shënuan në udhëtim me rezultat 1:3 përballë Nice. 

Me 46 minuta në lojë, ai vetëm 13 herë u vu në kontakt me topin. Edhe në armën e tij më të fortë, në lojën një kundër një, nuk u vu shumë në pah. Vetëm dy herë u mundua që të krijonte superioritet numerik, mirëpo vetëm njëra prej dy përpjekjeve për driblim i rezultoi e saktë. Shumë i mangët në fushë për të qëndruar më shumë në lojë. Kështu, stafi teknik u përkujdes që ta largonte nga loja. 

"Sado që është përpjekur që ta arsyetojë besimin e trajnerit për ta vendosur titullar, ai rrallëherë ka fituar duelet në fushë dhe pastaj ishte viktimë e zëvendësimit të shpejtë nga stafi teknik", shkruan agjencia e lajmeve franceze, MaxiFoot, e cila paraqitjen e sulmuesit dardan nga shkalla e vlerësimit 1 në 10 e ka notuar me 5.

Me notë akoma më të ulët e vlerësoi paraqitjen e tij shtypi lokal. Për Le Petit Lillois paraqitja e Zhegrovës ishte për notën 4, e cila njëherit ishte edhe më e ulëta nga formacioni i Lille.

"Në një hark kohor gjatë ndeshjes kur Lille nuk kishte shumë posedim të topit, lojtari kosovar nuk arriti t'i shfrytëzojë siç duhej ato pak raste të cilat i pati, si ajo pas një shkëmbimi pasimesh të mira me Burak Yilmaz", nënvizoi media lokale franceze.

Edon Zhegrova tashmë do ta luajë vetëm edhe një ndeshje të këtij sezoni në Ligue 1. Skuadra e tij në të cilën u transferua nga Basel gjatë afatit kalimtar dimëror, Lille, nuk i përmbushi pritshmëritë në këtë kampionat. Si kampionë në fuqi, ata do të mjaftohen me pozitën e 10-të tabelare. 

Megjithatë, pavarësisht këtij dështimi të Lille, Edon Zhegrova ka treguar një formë të mirë, veçanërisht në periudhën nga marsi deri në gjysmën e muajit prill, ku ndër të tjera ka regjistruar dy gola dhe një asist.

Hiç këto ndeshjet e fundit, edhe maturia në lojë ishte vërejtur gjatë periudhës së lartëcekur. Kjo bëri që trajneri Gourvennec të detyrohej që të ndërmerrte një rotacion të trefishtë të vazhdueshëm, i cili prekte lojtarët e krahut si Weha dhe Bamba, në mënyrë për t'u siguruar që t'i gjendej një hapësirë edhe Zhegrovës. 

Në tërësi 23-vjeçari në Ligue 1 është përfshirë 15 herë në organikën e Lille, me ç'rast 4 hërë deri më tani është futur në formacionin bazë, 7 herë ka hyrë nga stoli në pjesët e dyta të ndeshjeve, kurse në 4 raste tjera ka qenë i pranishëm në bankë rezervë, por nuk e ka luajtur asnjë minut në fushë. 

Përgjithësisht mund të konstatohet që kapitulli i karrierës së tij në Francë ka nisur mirë, meqë ambientimi nga liga zvicerane në atë franceze nuk është prej më i lehtëve të mundshëm, aq më shumë kur ky tranzicion vjen gjatë kampionatit në vazhdim.

Sulmuesi prishtinas ka katër vjet kontratë me Lille, ndërsa pas ndeshjes së fundit për këtë edicion të sivjem që do ta luajë gjatë javës së ardhshme përballë Rennes, ai do t'i bashkohet Kosovës në qershor në katër ndeshjet e njëpasnjëshme që kombëtarja dardane do t'i zhvillojë në kuadër të Ligës së Kombeve: Qipron në udhëtim më 2 qershor, Greqinë dhe Irlandën e Veriut më 5 dhe 9 qershor në Fadil Vorri, si dhe Greqinë në Athinë më 12 qershor.

 

 

Tjera nga autori:
1