Ekskluzive: Megjithëse ia dha fjalën, Kurtulus po mendon ta braktisë Kosovën për Suedinë  - NACIONALE

Ekskluzive: Megjithëse ia dha fjalën, Kurtulus po mendon ta braktisë Kosovën për Suedinë 

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zhvillime të papritura po ndodhin në kampin e dardanëve. Sipas informatave të siguruara nga burime të ndryshme, kapiteni i Kosovës U21, Edvin Kurtulus, i cili së fundmi u ftua nga Alain Giresse për ndeshjet e qershorit, e ka njoftuar atë dhe stafin teknik të tij se po mendon t'i bashkohet Suedisë. Një histori e hidhur, e cila po përsëritet, ku pas Ardian Ismajlit edhe Edvin Kurtulus është kapiteni i dytë i Kombëtares U21 që është fare pranë dezertimit nga dardanët.

Gojëhapur, mosbesues dhe të mërzitur i ka lënë trajnerët e stafit teknik të Kosovës lajmi se Edvin Kurtulus po mendon t'i bashkohet kombëtares suedeze. Gjithçka ka marrë formë gjatë ditëve të fundit, pasi Kosova e ka publikuar listën e saj ku ishte i përfshirë edhe ai.

Alain Giresse e kishte futur në planet e tij mbrojtësin e shpresave dardane. Meqë këto ishin tri ndeshjet e fundit të këtij cikli eliminator që për shkak të moshës Kurtulus mund t'i luante me shpresat e drejtuara nga Albert Bunjaki, Kosova mendoi që ta ftonte në gjirin e kombëtares seniore, në mënyrë që ta përfshinte në skemat e Giresse që tani.

Një zgjedhje e tillë iu kushtëzua përzgjedhësit Giresse marrë parasysh faktin që forma në ngritje e Kurtulusit nuk ofronte alternativa tjera. Ai është shndërruar në pikë referimi për ekipin e Hammarbyt qëkur iu bashkua atij gjatë këtij sezoni që sapo ka nisur në Suedi. Atij iu deshën vetëm tri ndeshje fillestare me Hammarbyn për ta bindur trajnerin e tij, Cifuentes, që ta inkuadronte si titullar të paprekshëm në vijim të kampionatit.

Kur e dimë që Hammarby për momentin udhëheq kampionatin suedez, atëherë nuk është e çuditshme pse Suedia i ka intensifikuar kontaktet me Kurtulusin. Për më tepër, edhe vetë Kurtulus sipas disa burimeve ka treguar se është tunduar nga mundësia që të luajë për ngjyrat e kombëtares nordike. Kësisoj, ai ka shprehur dëshirë ta përfaqësojë vendin ku ka lindur vetë, Suedinë. Mbase, nuk mund të konsiderohet rastësore e gjitha, meqë kombëtarja suedeze akoma nuk e ka publikuar listën për ndeshjet e radhës që do t'i luajë. Kështu, Kurtulus mund të jetë shumë shpejt pjesë e listës suedeze.

Kosova tanimë është para aktit të kryer. Gjithnjë sipas burimeve ai nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të Kosovës, i cili fillon sot. Në kushte normale mosprania e tij sot në Prishtinë mund edhe të tolerohej, për arsye se dje ishte i zënë me ndeshjen e Kupës suedeze, ku Hammarby pësoi humbje përballë Malmos pas ekzekutimit të penaltive. Mirëpo, mungesa e tij nuk do të jetë vetëm sot. Ai do të mungojë edhe në ditët tjera. Me pak fjalë, ai nuk pritet të shkelë këmbë në Kosovë gjatë kësaj periudhe.

I njëjti, Kurtulus, për mediumin suedez Hallandposten në korrik të 2021-ës kishte deklaruar që një muaj më herët, konkretisht para 13 muajsh, kishte refuzuar ftesën e kombëtares suedeze U21 për të qëndruar te Kosova.

Në krejt këtë situatë, Kosova do të duhej të mësonte. Bashkëlojtari i Kurtulus te Hammarby, Selmani, është lënë jashtë listës pa i dhënë asnjë arsye sipas burimeve afër lojtarit. Dikush në Kosovë po e argumenton me nivelin e dobët të kampionatit suedez. Megjithatë, një kombëtare tejet solide si ajo nordike e Suedisë, vazhdon të llogarisë te kampionati i saj. Dhe, ja dëshmia konkrete: peshkuan te Kurtulus.

Jo, Selmani nuk mund të largohet, sepse ai tashmë veç është paraqitur me fanellën e Kosovës në ndeshje kualifikuese, por nuk duhet të tregojmë nonshalancë ndaj disa lojtarëve për t'i trajtuar jo siç duhet.

Në rastin e Kurtulusit dhe vendosjes së tij për të mos vazhduar më të luajë për Kosovën, zyrtarëve të federatës dhe vetë stafit teknik, mund t'i atribuohet faji që nuk kanë instaluar kontakte profesionale dhe të shëndosha me lojtarët. Në esencë nuk është e rëndësishme sa herë flet, por përmbajtësisht dhe cilësisht si flet. Një pjesë e stafit të Kosovës nuk është se shquhen për profesionalizëm të një shkalle të veçantë.

Gjesti dhe sjellja e Kurtulusit nuk arsyetohen. E vërtetë që është zgjedhje e lirë e lojtarit, por kapiteni nuk mund të ikën në një periudhë të tillë.

Tani pritet të shihet se si do të sillet Federata e Futbollit të Kosovës. Në kushte normale ajo do të duhej që t'ia përgatiste dokumentet e fletëlëshimit për kombëtaren suedeze, ku Kurtulus do të mund të federohej dhe pranohej si lojtar i ri i saj.

Mbrojtësi 22-vjeç me Kombëtaren e Kosovës U21 kishte zhvilluar 12 paraqitje. Me ish-përzgjedhësin Rafet Prekazi kishte luajtur si mbrojtës i krahut të djajthtë, siç luante edhe te Halmstadts para se t'i bashkohej Hammarbyt. Ndërkaq, në ciklin e fundit kualifikues ai ka qenë lideri i qendërmbrojtjes dardane.

Gjithsesi, ky grumbullim filloi keq e më keq: afrime të reja që nuk diheshin nuk pamë, mungesa me peshë patëm dhe në fund një lojtar na rrëshqiti nga duart. Bilanc i keq!

Lajme të ngjashme