<b></b> Mërgim Vojvoda po ushtrohet me përgatitësin fizik të Benzema dhe Alexander-Arnold

Mërgim Vojvoda po ushtrohet me përgatitësin fizik të Benzema dhe Alexander-Arnold

21.06.2022 18:17

Mërgim Vojvoda është duke u ushtruar me intensitet të lartë, në mënyrë që të jetë gati për t'iu bashkuar skuadrës së Torino në fazën parapërgatitore më 4 korrik. Ai është në përkujdesje të një përgatitësi fizik me renome në botën e futbollit.

Qëkur u lëndua në kyçin e këmbës gjatë pjesës së dytë të sfidës ndaj Veronës në Bentegodi më 14 maj, Vojvoda më nuk ia doli të ishte protagonist në fushën e blertë. Ai nuk arriti të grumbullohej në ndeshjen e fundit të kampionatit përballë Romës. Me Kosovën fillimisht u grumbullua, ndonëse pa e ndjekur këshillën e stafit mjekësor të Torinos që të mos rrezikonte, por pavarësisht vullnetit të madh, ai u largua nga kampi dardan para se të niste maratona e katër ndeshjeve të Kombëtares dardane, meqë kyçi i këmbës nuk ishte shëruar akoma.

Ndërkohë, Vojvoda me tu kthyer në Torino, pas disa ditë qëndrimi pranë familjarëve të tij në Skenderaj, vazhdoi trajtimin e posaçëm për t'u rekuperuar nga lëndimi. Fillimisht i është nënshtruar disa kontrolleve shtesë mjekësore te klubi italian, ndërkaq më vonë ka vazhduar periudhën e pushimit. 

FOTO I - Mërgim Vojvoda duke i kaluar pushimet në Dubai

Ai gjatë ditëve të fundit po kalon pushimet verore në shoqërimin e më të dashurve të tij në Dubai. Mirëpo, jo të gjithë kohën ka vendosur t'ia dedikojë relaksit dhe pushimit në përgjithësi. Mbrojtësi dardan është duke u ushtruar nën përkujdesjen e një përgatitësi fizik me renome në futbollin botëror dhe sportin në përgjithësi. 

Po flasim për kanadezin Nicolas St. Maurice. Në qendrën stërvitore të tij defilojnë emra të mëdhenj të sportit në përgjithësi, nga ata të NBA, NFL e deri te ata të futbollit. Në mesin e futbollistëve që ushtrohen nën vëzhgimin e trajnerit kanadez janë edhe yjet e futbollit si Karim Benzema dhe Trent Alanxander-Arnold. 

Ky është treguesi i radhës më i mirë për shkallën e mentalitetit që ka instaluar gjatë këtyre viteve Vojvoda, duke sfiduar vështirësi, barriera, limite dhe etapa, për të arritur deri në këtë nivel të lojtarit. 

Merret vesh se Vojvoda tashmë është rekuperuar në tërësi nga lëndimi në kyçin e këmbës. Për fatin e tij të keq, ai nuk ia doli të kontribuojë për Kosovën dhe javët e fundit i kaloi me trajtime mjekësore prej më të ndryshmeve. 

Në qendër të projektit të Torinos

Me Ansaldin e larguar, Ainan pa shumë stabilitet në paraqitje dhe Vojvodën e transformuar nga fundviti i kaluar në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë, Ivan Juric çdo ditë e më shumë ka rritur simpatinë për mbrojtësin kosovar, falë edhe paraqitjeve të tij të mira, duke dëshmuar edhe konstantshmëri gjatë tërë sezonit të kaluar.

I gjithë shtypi italian që përcjell nga afër zhvillimet te kampi i Torinos, bën të ditur se ka një pajtueshmëri të plotë nga drejtori sportiv, Davide Vagnati, e deri te trajneri kroat, Ivan Juric, që të bëjnë çmos për ta renditur sa më lart në shkallën e hierarkisë së lojtarëve mbrojtësin 27-vjeç, rreth të cilëve do të koncentrohet edhe projekti i skuadrës, si shpërblim për atë çfarë ka dëshmuar në fushë, me 5 asiste në kampionat dhe një prirje për tu sakrifikuar kudo, në secilën pozitë, në interes të skuadrës. 

Gazeta Nacionale është munduar të kontaktojë me përfaqësuesit e Vojvodës, por ata për momentin nuk kanë treguar gatishmëri të prononcohen rreth të ardhmes së lojtarit. Nga ajo që merr vesh gazeta, Torino ia ka bërë të qartë se llogarit shumë tek ai dhe se nuk ka vullnet të privohet nga shërbimet e tij gjatë këtij afati kalimtar veror, aq më shumë pasi në atë pozitë për momentin te skuadra ka një mungesë të konkurrencës solide. Prandaj, është çështje kohe deri kur ata do t'ia paraqesin ofertën për ta rinovuar kontratën, e cila skadon pas dy vitesh.

FOTO II - Mërgim Vojvoda në fushë përballë Napolit më 7 maj

Para se të sqarohet kjo çështje, Vojvoda po punon fort që të jetë gati për datën 4 korrik, kur skuadra e tij do të grumbullohet në qendrën stërvitore të saj në Filadelfia, në fazën parapërgatitore për sezonin e ri të Serie A 2022/2023, e cili do të nisë nga gjysma e muajit gusht.

 

 

Tjera nga autori:
1