<b></b> Messi, biznes i madh për PSG-në: Shiti fanella më shumë se Mbappe e Neymar së bashku

Messi, biznes i madh për PSG-në: Shiti fanella më shumë se Mbappe e Neymar së bashku

17.05.2022 13:10

Kontributi i Lionel Messit në Paris Saint-Germain ka qenë shumë më i madh se çfarë është parë në fushë. Nga pikëpamja ekonomike, pa e derdhur asnjë pikë djerse, Messi i ka kënaqur arkat e klubit parisien.

Falë emrit të tij dhe të drejtave të imazhit, PSG-ja i ka mbledhur disa të ardhura të majme. Sipas gazetës franceze L’Equipe, të hyrat e Parisit nga shitjet e fanellave të lojtarëve janë rritur për 40 për qind, krahasuar me sezonin e kaluar.

Më shumë se një milionë fanella janë shitur dhe 60% të fanellave të shitura kanë qenë me emrin e argjentinasin në shpinë. Pra më shumë se e tërë pjesa tjetër e skuadrës, pavarësisht se aty bëjnë pjesë Kylian Mbappe dhe Neymar.

Në përgjithësi, të hyrat e PSG-së këtë sezon janë rreth 700 milionë euro. Prej tyre 310 milionë euro vetëm nga sponsorët. Një shumë e paparë deri tani për klubin dhe për vetë kampionatin francez.

Messi iu bashkua PSG-së në verë, pasi u largua nga Barcelona për shkak se klubi katalonas nuk ishte në gjendje t’i ofronte marrëveshje të re për vazhdimin e kontratës, si pasojë e krizës financiare.

Sezoni i tij i parë në Ligue 1 nuk ka qenë më i miri, pasi 34-vjeçari ka hasur në vështirësi të përshtatet me kulturën dhe futbollin francez.

Ai i ka shënuar gjashtë gola dhe i ka dhuruar 13 asiste në 25 paraqitje për PSG-në në ligë.   

Fati i keq është një arsyeje tjetër pse Messi ka shënuar kaq pak gola në ligë. Në fund të fundit, asnjë lojtar në pesë ligat kryesore evropiane nuk e ka goditur shtyllën më shumë se Messi, plot 8 herë, gati dyfish më shumë se numri i golave të tij.

Duke e pasur parasysh rolin e tij të ri dhe telashet që PSG-ja i ka pasur në lojën ekipore, vështirësitë e Messit janë nxjerrë nga konteksti, edhe pse nuk mund të mohohet fakti se askush nuk e ka pritur që ai të shënonte kaq pak gola në një sezon.

“Kjo është një ligë më fizike, me futboll shumë të ashpër. Lojtarët janë të fuqishëm dhe të shpejtë. Fizikisht, kjo ndryshon shumë”, kishte thënë Messi disa javë pas mbërritjes në Paris.

Tjera nga autori:
1