"Mjaft më me gënjeshtra - jam homoseksual": Futbollisti i ri në Angli shpreh hapur orientimin seksual të tij - NACIONALE

"Mjaft më me gënjeshtra - jam homoseksual": Futbollisti i ri në Angli shpreh hapur orientimin seksual të tij

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar, që prej vitit 1990, një lojtar 17-vjeç është deklaruar homoseksual. Bëhet fjalë për sulmuesin 17-vjeç të Blackpool, Jake Daniels. Ai nuk ngurroi aspak që ta bëjë të ditur publikisht orientimin e tij seksual.

""E di që ky është momenti i duhur për ta treguar këtë gjë. Jam i gatshëm të jem vetvetja dhe të kem besim në vete. U kam treguar nënës dhe motrës sime. Një ditë më vonë kemi luajtur në Accrington dhe kam shënuar katër gola.

"E kam pyetur veten nëse do të duhej që të tërhiqesha nga futbolli për ta bërë këtë dalje publike. Kam vetëm 17-vjeç, por është e qartë që dua të jem futbollist dhe duke e shprehur hapur diçka të tillë, nëse edhe të tjerët do të mendonin ta bënin të njëjtën gjë pasi të më kenë parë dhe dëgjuar - do të ishte fantastike", u shpreh ai.

Në vazhdim të intervistës për platformën televizive britanike, Sky Sports, foli edhe për kohën se kur e ka zbuluar që i përket këtij orientimi seksual.

"Nuk mund ta them me saktësi datën, por me siguri që prej kohës kur isha 5 apo 6 vjeç. Pra, që atëherë e kam kuptuar që jam homoseksual. Kështu që, ka shumë kohë që unë jetoj me gënjeshtra. Kur je në atë moshë nuk mendon se futbollit dhe të qenurit homoseksual, nuk shkojnë në sikron njëri me tjetrin.

"Mendon vetëm se një ditë, kur do të jesh i rritur, do ta kesh të dashuren, që do të ndryshosh dhe që gjithçka do të shkojë mirë. Mirëpo, kur rritesh në moshë e ke të qartë se nuk mund të ndryshosh aq thjesht. Gjërat nuk funksionojnë ashtu", u shpreh ai.

Ai vazhdoi të rrëfehej duke treguar për shkallën e vështirësisë që ka pasur për ta bërë publik orientimin e tij seksual.

"Në fushë ky sezon për mua ka qenë fantastik. Kam nënshkruar kontratën time të parë si profesionist, kam shënuar 30 gola në grupmoshën e të rinjve, si dhe kam përjetuar shumë suksese.

"Mirëpo, jashtë fushës e kam fshehur personin e vërtetë që gjendet brenda meje dhe kush jam në të vërtetë. Gjatë tërë jetës sime e di që jam homoseksual.

"Ta zbardhi faktin që jam homoseksual dhe të jem ndër të parët, ka qenë një hap drejt të panjohurës, por jam inspiruar nga Josh Cavallo, Matt Morton dhe nga atletët tjerë në degët tjera sportive.

"Kam pasur një përkrahje të madhe nga familja ime, nga klubi dhe agjenti im. Të gjithë kanë menduar para se gjithash për interesin tim. Po ashtu, edhe bashkëlojtarët e mi e kanë pëlqyer vendimin tij për t'iu hapur botës", përfundoi Jake Daniels.

Lojtari i vetëm që kishte bërë publik lajmin se ishte homoseksual, ishte Josh Cavallo, i cili aktualisht luan në Australi me ekipin e Adelaide United. Mesfushori diçka të tillë e kishte shprehur në otobrin e vitit të kaluar, pak javë pas fillimit të sezonit 2021/2022.

Ndërkaq, i vetmi lojtar homoseksual që ka luajtur në kampionatet profesioniste angleze dhe që kishte treguar rreth orientimit të tij seksual - ishte Justin Fashau, në vitin 1990. Mirëpo, i njëjti atëbotë nuk luante në nivele të larta.

Jake para se ta bënte daljen publike, ka biseduar me prindërit e tij, klubin dhe bashkëlojtarët e skuadrës.

Kush është Jake Daniels?

Daniels është vetëm 17-vjeç dhe ka debutuar në Championship përballë Peterborough, duke hyrë në çastet e fundit të ndeshjes.

Në grupmoshat e reja të skuadrës ai kishte lënë gjurmë duke i shënuar 30 gola për grupmoshën U19, me ç'rast u kishte shënuar gola edhe skuadrave si Chelsea dhe Newcastle në FA Youth Cup.


Lajme të ngjashme