<b></b> NBA: Luftë shumë e barabartë dhe dramatike në play-off

NBA: Luftë shumë e barabartë dhe dramatike në play-off

12.05.2022 15:15

Në dy ditët janë zhvilluar ndeshjet e pesta gjysmëfinale dhe në të gjitha ndeshjet rezultati i serisë është i njëjtë, pra 3:2 në katër përballjet.

Në mëngjesin e së mërkurës u zhvilluan dy ndeshje, Philadelphia 76ers kundër Miami Heat dhe Dallas Mavericks kundër Phoenix Suns.

Të dy këto ndeshje përfunduan me fitore të thellë për skuadrat vendase të cilat ishin të pamëshirshme, dhe dukej se po shfryheshin për ndeshjet e kaluara.

Miami Heat e mposhti Philadelphia 76ers me rezultat 120:85, pra plot 35 pikë epërsi e duke e barazuar rezultatin më të thellë këtë sezon në play-off, të cilën e mbante vet Philadelphia në ndeshjen e gjashtë dhe të fundit ndaj Toronto Raptors.

Më i miri në këtë ndeshje për Miamin si gjithnjë ishte Jimmy Butler me 23 pikë, gjashtë asistime dhe nëntë rebounds, i ndihmuar edhe nga Max Strus e Gabe Vincent që realizuan nga 19 dhe 15 pikë respektivisht. Joel Embiid dhe James Harden ishin jashtë forme dhe të pafuqishëm për të bërë diçka në këtë ndeshje.

Në ndeshjen tjetër Phoenix Suns demoluan skuadrën e Luka Doncicit me një fitore prej 30 pikë epërsi, me rezultat 110:80.

Devin Booker ishte në natën e tij, duke shënuar 28 pikë me një saktësi prej gjuajtjeve 55% apo 11 nga 20 tentime, në anën tjetër slloveni Doncic edhe pse shënoi po ashtu 28 pikë, ai po çalon nga distanca për tre pikë në çdo ndeshje. Në këtë ndeshje nga ajo distancë qëlloi vetëm dy herë nga tetë tentime apo 25% saktësi.

Ndërsa në ndeshjet e mëngjesit të së enjtes u zhvilluan edhe dy ndeshjet tjera për të përmbyllur serinë e pesë ndeshjeve.

Milwaukee Bucks u takua me Boston Celtics dhe në anën tjetër Golden State Warriors kundër Memphis Grizzlies.

Milwaukee si mysafire fitoi ndaj Bostonit me rezultat të ngushtë 110:107, pra vetëm tre pikë epërsi. Ishte ndeshje me rivalitet të madh me dy skuadrat të cilësohen me mbrojtje shumë të fortë zonale, por ishte edhe ndeshje e individëve, ku katër lojtarë nga dy skuadrat shënuan mbi 20 pikë.

I pandalshëm si gjithnjë ishte Giannis Antetokounmpo i cili shënoi plotë 40 pikë, 11 rebounds e tri asistime me një saktësi në gjuajtje prej 59%. Ai u ndihmua edhe nga Jrue Holiday i cili edhe pse nuk ishte në formë nga distanca për dy pikë, ai shënoi 24 pikë, tetë rebounds dhe tetë asistime. Në anën tjetër dyshja e Bostonit,  Jayson Tatum dhe Jaylen Brown shënuan plotë 60 pikë por ishin të pamjaftueshme. Edhe pse Tatum shënoi 34 pikë, ai ishte krejtësisht jashtë forme në distancën 7.25 metër, duke shënuar vetëm dy nga 11 tentime apo 18%.

Ndeshja tjetër mes Memphis Grizzlies e Golden State Warriors ishte ndeshje që theu rekordin e këtij sezoni për epërsinë më të lartë. Teksa rekordi i Philas u barazua nga kundërshtari i saj Miami, sot në mëngjes Grizzlies e thyen këtë rekord duke i shkatërruar Warriorsat me rezultat 134:95 apo 39 pikë epërsi. Tre lojtarë nga Grizzlies shënuan nga 21 pikë ndërsa katër lojtarë nga banka rezervë shënuan mbi 10 pikë. Tek Warriors, Stephen Curry dhe Klay Thompson dështuan të paraqiteshin denjësisht, duke treguar formë të dobët me vetëm 33 pikë së bashku të shënuara, thënë ndryshe paraqitje për t’u harruar nga ‘Splash Brothers’.

Rezultatet e serive nga pesë ndeshjet e zhvilluara në të gjitha takimet janë:

Philadelphia 76ers (2:3) Miami Heat; Dallas Mavericks (2:3) Phoenix Suns; Milwaukee Bucks (3:2) Boston Celtics; Golden State Warriors (3:2) Memphis Grizzlies.

Luftë e ashpër deri në fund të serive me rezultate të njëjta në të gjitha ndeshjet.

Ndeshjet e gjashta mund të jenë përcaktuese për finalistët e konferencave por edhe mund të shkojnë në ndeshjen e shtatë e cila medoemos përcakton finalistët.

Përgatiti: Vivianit Gërguri

Tjera nga autori:
1