<b></b> NBA: Warriors duhet ta presin edhe ndeshjen e shtatë mes Miami – Boston

NBA: Warriors duhet ta presin edhe ndeshjen e shtatë mes Miami – Boston

28.05.2022 13:42

Në mëngjesin e sotëm është zhvilluar ndeshja e gjashtë finale e konferencës lindore, ku Miami Heat ka barazuar serinë ndaj Boston Celtics duke e mposhtur në TD Garden me rezultat 111:103.

Pas barazimit të serisë nga Heats, Golden State Warriors do të duhet të presë për ndeshjen e shtatë të finales së konferencës lindore e cila është vendimtare për të mësuar kundërshtarin në finalen e madhe.

Ndeshja e gjashtë mes Heats e Celtics ishte ndeshje mes dy yjeve të skuadrave që patën paraqitje fenomenale, pra Jimmy Butler e Jayson Tatum.

Edhe pse rezultati gjatë gjithë kohës ishte i ngushtë, Miami Heat po udhëhiqte gjatë tërë lojës. Ishte vetëm çereku i dytë që i takoi skuadrës së Bostonit por që mbetën me aq, duke e humbur mundësinë që patën ta përfundonin ndeshjen në arenën e tyre.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 48:46 në të mirë të skuadrës së Eric Spoelstras, e pjesën e dytë e rritën epërsinë, duke fituar në fund me rezultat 111:103.

Më i miri i ndeshjes apo ylli i mbrëmjes ishte Butler që fitoi duelin e pikëve me Tatum. Jimmy ishte thjeshtë i jashtëzakonshëm ku shënoi plotë 47 pikë e kontribuoi me nëntë rebounds, tetë asistime, katër topa të vjedhur si dhe një bllokadë. Efikasiteti i tij ishte 55% në gjuajtjet për dy dhe tre pikë apo thënë ndryshe shënoi 16 nga 29 tentime, kurse nga gjuajtjet e lira ishte 100% i saktë duke i shënuar të gjitha(11 gjuajtje). Ai pati ndihmën edhe te Kyle Lowry i cili kontribuoi me 18 pikë, 10 asistime e katër rebounds.

Në anën tjetër, më i miri tek Boston si gjithnjë ishte Jayson Tatum i cili shënoi 30 pikë e pati edhe nëntë rebounds, katër asistime, dy topa të vjedhur dhe një bllokadë. Edhe Tatum pati efikasitet të lartë ku nga distanca për dy dhe tre pikë shënoi 9 herë nga 12 tentime apo 75%, e në gjuajtjet e lira shënoi tetë nga tetë.

Paraqitje kjo që nuk i ndihmoi të merrte fitoren e katërt të skuadrës së tij e të arrinte finalen.

Ndeshja e shtatë dhe vendimtare zhvillohet të hënën në mëngjes, ku fituesi i kësaj përballje do të luaj në finalen e madhe ndaj Golden State Warriors.

Në anën tjetër Golden State Warriors ashtu edhe siç pritej eliminoi skuadrën e Luka Doncicit, Dallas Mavericks, në pesë ndeshje me rezultat të përgjithshëm 4:1.

Kjo është finalja e gjashtë e Warriorsave në tetë vitet e fundit, ku tri nga to i ka fituar e dy të tjera i ka humbur.

Cila do që të fitojë nga Miami e Boston, përparësinë e të luajturit vendas do ta ketë Golden State Warriors për shkak të rekordit më të mirë të arritur gjatë sezonit të rregullt.

Tjera nga autori:
1