Ndeshja ‘jetike’ mes Malishevës dhe Dukagjinit – Dallku dhe Thaqi besojnë në fitore - NACIONALE

Ndeshja ‘jetike’ mes Malishevës dhe Dukagjinit – Dallku dhe Thaqi besojnë në fitore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nesër padyshim derbi më interesant do jetë ndërmjet Malishevës dhe Dukagjinit, dy skuadrat që janë duke ‘luftuar’ për mbijetesë në Superligën e Kosovës këtë edicion.

Të dy klubet e lartpërmendura matematikisht rrezikojnë të përfundojnë në pozitën e tetë, andaj ditën e diele do bëjnë çmos që të arkëtojnë pikët e plota, me vetëm një synim, t’i ikin zonës së barazhit.

Para ndeshjes, optimist janë shprehur të dy trajnerët, si Arsim Thaqi i Malishevës, ashtu edhe Armend Dallu i Dukagjinit.

Thaqi në një bisedë për Gazetën Nacionale tha se beson në fitore, pasi kanë skuadër më të mirë se kundërshtari.

Besoj në fitore normalisht sepse kemi skuadër më të mirë se Dukagjini dhe jemi përgatitur në mënyrën më të mirë. Nuk kemi frikë nga Dukagjini sepse e kemi dëshmuar se jemi më të mirë dhe djemtë nuk kanë frikë as prej tyre as prej askujt tjetër”.

Tekniku malishevas gjithashtu ftoi tifozët të jenë të pranishëm nëpër tribuna, pasi brohoritjet e tyre i japin motiv shtesë skuadrës vendase.

Djemtë normalisht janë të motivuar më shumë se kurrë dhe besoj që do zhvillojmë më të mirë sidomos pasi jemi vendas dhe Malisheva ka tifozë të vjetër që besoj që do të na ndihmojnë shumë”.

I pyetur lidhur me të ardhmen, Thaqi konfirmoi se do negociojë me klubin, por që synimi momental është vetëm t’i qëndrojnë larg zonës së barazhit.
Të koncentrohemi tek ndeshja pastaj do të shohim, do pushojmë disa ditë dhe pastaj do ulem me bordin që të negociojë”, u shpreh Thaqi.

Ndërkohë, edhe trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku në një bisedë për Gazetën Nacionale bëri të ditur se duan vetëm fitore, që ta mbyllin këtë edicion si pozitë e pestë në tabelë.

Po, sigurisht do jetë ndeshje e vështirë ndaj Malishevës pasi që e dimë sa e rëndësishme do jetë për të dy skuadrat. Malishevën e njohim mirë pasi jemi përballur edhe vitin e kaluar në Ligën e Parë, është mirë për të dy klubet që kanë arritur deri këtu pasi nga Liga e Parë duke luftuar me klubet e Superligës. Besoj që do zhvillojmë ndeshje të mirë, lojë të mençur dhe ne nuk do bëjmë ashtu siç thonë shumë opinionista e gazetarë që thonë se Dukagjinit i nevojitet vetëm një pikë, pasi do luajmë për fitore në mënyrë që të zëmë pozitën e pestë në tabelë”.

Dallku bëri të ditur se lojtarët e njohin mirë kundërshtarin dhe motivimi i tyre është në maksimum.

Motivimi i lojtarët është shumë i madh, siç e thashë e njohin klubin pasi jemi përballur vitin e kaluar, besoj që do t’ia dalim për fitore dhe të ruajmë pozitën e pestë në tabelë”, nënvizoi ai.

Renditja momentale dhe gjasat e dy klubeve për t'i shpëtuar barazhit

Të dy skuadrat matematikisht kanë gjasa t'i shpëtojnë pozitës së tetë, që të dërgon automatikisht në barazh.

Opsioni më i përshtatshëm padyshim është fitorja, pasi me një fitore, dy skuadrat sigurojnë qëndrimin në Superligën e Kosovës.

Por, edhe një barazim matematikisht mund t'iu konvenojë vetëm nëse kryhen disa llogari edhe tek ndeshjet e tjera. Për shembull, Malisheva në rast të barazimit duhet të shpresojë që Drenica të mposhtet nga Feronikeli, ose që Llapi të triumfoi ndaj Prishtinës.

Kurse, Dukagjini me një barazim veç e siguron qëndrimin në Superligë, por i 'rrezikohet' pozita e pestë, pasi me një fitore të Prishtinës ndaj Llapit, ata do renditeshin në vendin e gjashtë.

Me renditjen momentale, Dukagjini ka të arkëtuara 49 pikë në pozitën e pestë, dy më shumë se Malisheva që zë pozitën e tetë me 47 sosh.

Në rast që ndonjëra nga këto skuadra përfundon në barazh, atëherë përballë do kenë Vushtrrinë, e cila fitoi sfidën e vështirë ndaj Lirisë së Prizrenit disa orë më parë.

Për fund, kujtojmë, se takimi mes Malishevës dhe Dukagjinit zhvillohet në "Liman Gegaj" me fillim nga ora 15:00.

Lajme të ngjashme