<b></b> “Ndjenjë e papërshkrueshme, lojtarët shumë mikpritës” – Leard Sadriu flet për stërvitjen te Kosova nën urdhrat e Giresse

“Ndjenjë e papërshkrueshme, lojtarët shumë mikpritës” – Leard Sadriu flet për stërvitjen te Kosova nën urdhrat e Giresse

30.05.2022 21:42

Kombëtarja e Kosovës ditën e hënë kreu stërvitjen e radhës në stadiumin “Fadil Vokrri”, por që kishte risi me katër lojtarë të grupmoshave U21 që u ftuan nga përzgjedhësi Alain Giresse.

Leard Sadriu, Valon Zumberi, Qendrim Zyba dhe Ilir Krasniqi u ftuan në stërvitjen e sotme, edhe pse do përfaqësojnë Kosovën U21, për tre ndeshjet e qershorit.

Sadriu, qendërmbrojtësi i Skënderbeut (huazim nga Shkëndija) është ndarë shumë i lumtur me ftesën që i bëri tekniku francez, duke e vlerësuar si ëndërr të bërë realitet, kështu tha në një bisedë për Gazetën Nacionale.

Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, është një ëndërr që bëhet realitet”, tha fillimisht ai.

21-vjeçari vlerësoi lartë edhe yjet e Kosovës, për të cilët tha se ishin shumë të shoqërueshëm dhe e priten në mënyrën më të mirë.

Ishte shumë mirë të stërvitesh me lojtarë që janë në ekipet dhe ligat më të forta në Evropë, që gjithashtu ishin edhe shumë të shoqërueshëm dhe mikpritës”.

Në fund, qendërmbrojtësi foli edhe për ndeshjet e Kosovës U21, duke deklaruar se do të jenë sfida shumë të vështira, por premtoi se do të japin maksimumin.

Synimet me Kombëtaren U21 janë që në këto tre ndeshjet e radhës të marrim rezultate pozitive edhe pse na presin ndeshje jo të lehta, por do mundohemi të marrim maksimumin”, përfundoi Sadriu.

Tre sfida për “Dardanët” e rinj në qershor, sfida më e ‘nxehtë’ në “Fadil Vokrri” ndaj Anglisë

Kombëtarja e Kosovës U21 nën urdhrat e përzgjedhësit Albert Bunjaki do të zhvillojë këtë muaj tre takime shumë interesante.

Fillimisht, “Dardanët” e rinj do kenë një sfidë më të lehtë si mysafir i Andorrës U21, që do të zhvillohet më 4 qershor 2022.

Ndërsa, pas gjashtë ditëve, do të kenë ndeshjen më të vështirë, atë në “Fadil Vokrri” ndaj Anglisë U21, që normalisht shihen si favorit absolut.

Kurse, tre ditë më vonë do të zhvillojnë takimin e fundit, si mysafir i Shqipërisë U21.

Nëse shohim renditjen momentale, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian, Kosova qëndron në pozitën e parafundit në tabelë me tetë pikë të mbledhura, 11 më pak se lideri Republika Çeke me 19 sosh.

Në shtatë ndeshje të zhvilluara në kuadër të këtyre kualifikimeve, djelmoshat tanë kanë regjistruar dy fitore, dy barazime dhe tre humbje.

Tjera nga autori:
1