<b></b> Në krizë për qendërsulmues, Kosova nis gjuetinë

Në krizë për qendërsulmues, Kosova nis gjuetinë

14.06.2022 21:00

Në të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Kosovës është ngritur një këmbanë alarmi. Kërkohen lojtarë në një rol specifik: në qendër të sulmit.

Kosova U21 e drejtuar nga përzgjedhësi në detyrë, Albert Bunjaki, dje përfundoi fushatën kualifikuese për Euro 2023, duke u renditur në pozitën e katërt me 12 pikë.
Ajo që u vu re nga organika e Kombëtares së shpresave, ishte vështirësia për të gjetur qendërsulmues gjatë gjithë kohës. Një problem i tillë është çdoherë e më i pranishëm në të gjitha grupmoshat e reja të Kosovës. Thelbësisht, situata vijon të jetë e njëjta. Në masë të madhe ka opsione të panumërta nga krahët e sulmit, por "9"-shi tipik mungon. Nëse është, ka problem minutazhi në klubin ku aktivizohet, ose nuk është në shkathtësinë e duhur për të llogaritur te ai për nivele të tilla, ku përfaqësohet një kombëtare.

Kombëtarja A tani e një kohë vazhdon ta ndajë kokëçarjen e njëjtë. Astrit Selmani nuk është në formën më të mirë, meqë gjendet në prag të largimit nga Hammarby dhe opsione tjera për Vedat Muriqin, në cilësinë e tij, nuk shihen në horizont. Si rrjedhojë, sulmuesi prizrenas, Muriqi, ishte i vetmi në listën e Giresse i profilit të tillë.

 

Përpjekjet për t'i bindur lojtarët që luajnë në kampionatet evropiane, në veçanti në akademitë e tyre, gjegjësisht në kampionatet juniore, janë gjithmonë më të theksuara nga ana e njerëzve përgjegjës në Federatën e Futbollit të Kosovës, përfshirë vetë stafet teknike të kombëtareve të grupmoshave. 

Deri më tani, sipas asaj që ka mësuar gazeta Nacionale nga informacionet jo-zyrtare, merret vesh se me disa lojtarë po punohet që marrëveshjet të arrihen sa më shpejt, por pas rastit të Andi Zeqirit dhe mënyrës se si ai përfitoi nga të gjithë në Kosovë, me t'iu lakuar atëbotë emri si sulmuesi i ri potencial dardan - zyrtarët në FFK kanë filluar të frenojnë dhe të mos japin shumë emra në lidhje me lojtarët që synojnë t'i federojnë. 

Nevoja për të rekrutuar dhe gjetur qendërsulmues, është po e njëjtë sikur ajo për mesfushorë shkatërrues dhe mbrojtës të krahut të majtë. Për ironi të fatit, thuajse shumica e stafeve teknike të Kombëtareve të grupmoshave, ndajnë të njëjtin hall si emërues të përbashkët. 

Në dhjetë ndeshja sa i ka luajtur për një vit Kombëtarja e Kosovës U21 në fushatën e saj kualifikuese, vetëm një gol është realizuar nga një qendërsulmues dhe emri i tij është Mark Marleku. Për më tepër, ai ka patur një sezon tejet të varfër me Kriens në ligën e dytë helvete, duke mos qenë në shumicën e rasteve si titullar. 

Pra, përzgjedhësi Alain Giresse në ndonjë hipotezë ku do të mungonte Vedat Muriqi (siç rrezikoi të ndodhte ky skenar në dy ndeshjet e fundit të dardanëve), atëherë do të mund ta kishte një problem enorm për të gjetur qendërsulmues, nëse veç vazhdon mosbesimi ndaj Astrit Selmanit dhe tipareve të tij teknike. 

Për këtë arsye, gjithmonë në bazë të asaj që ka arritur të kuptojë gazeta Nacionale, është vendosur si kryeprioritet gjetja e një zgjidhje në të gjitha grupmoshat për një sulmues "9"-sh, i cili është shndërruar në problem të gjithanshëm. 

Vetë fakti që Kombëtarja U21 do të duhej t'i shërbente asaj A dhe në këtë rast, edhe pas fushatës së tretë që e përfundon nuk ia del të prodhojë ndonjë qendërsulmues premtues për Kombëtaren seniore - është aq brengosëse, sa arsye e fortë për të filluar gjuetinë e plotë për ta mbuluar këtë boshllëk.

Për korrektësi, duhet thënë se edhe qendërsulmuesve nga Superliga e Kosovës u është dhënë hapësirë në këtë fushatë kualifikuese të shpresave, siç ishte rasti me Ardit Tahirin dhe Baton Zabërgjen, por asnjëherë nuk janë treguar shpërthyes dhe klinikë në minutat që u janë dhënë.

 

Ata të dy kanë luajtur 355 minuta në ndeshje kualifikuese, pa lënë gjurmë të konsiderueshme, duke mos shënuar asnjë gol. Me kaq bie poshtë edhe teza që Superliga e Kosovës po anashkalohet kudo dhe se gjithë ky ngërç nuk mund të ngushtohet në këtë arsyetim të paqëndrueshëm. 

 

 

Tjera nga autori:
1