"Nuk është aspak e kënaqshme - dua të luaj": Astrit Selmani në formë të dobët para grumbullimit me Kosovën - NACIONALE

"Nuk është aspak e kënaqshme - dua të luaj": Astrit Selmani në formë të dobët para grumbullimit me Kosovën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Astrit Selmani është njëri prej personaliteteve më kokëforta në futbollin skandinav. Ai nuk bën llogari me asgjë dhe si i tillë është i shumëkërkuar nga mediat suedeze për të dhënë intervista. Në javën e fundit, në derbin ndaj AIK ai u la jashtë formacionit titullar për herë të parë. Sulmuesi kosovar nuk e kapërdiju aspak një vendim të tillë, duke thënë publikisht se dëshiron të luajë. Tetë ndeshje në kampionat, asnjë gol - fillimi më i keq i tij i sezonit ndër vite.

Po të gjurmosh në mediat suedeze, vëren një koncentrim të madh të tyre te sulmuesi dardan, Selmani. Duhet saktësuar fakti që një gjë e tillë nuk derivon vetëm për shkak të cilësive të tij si lojtar, por edhe për anën tjetër të medaljes që e karakterizon atë: çiltërsia, daljet publike me intervista të shpeshta, ku prononcohet troç, pa bërë lojëra fjalësh.

Kështu u tregua edhe gjatë ditës së djeshme, kur assesi nuk e gëlltiti vendimin e trajnerit spanjoll Cifuentes për të mos e përfshirë titullar në derbin e zjarrët ndaj AIK. Pak ditë më herët ai kishte shprehur gatishmërinë dhe lumturinë e tij që erdhi koha të luante në një përballje kaq të ndjerë për tifozët dhe ambientin futbollistik suedez.

Mirëpo, trajneri spanjoll Cifuentes vendosi të ndryshojë qasje në lojë dhe, si rrjedhojë, të mos llogarisë në shërbimet e mitrovicasit për ndeshjen e djeshme, e cila përfundoi me rezultat 3:3.

"Vendim shumë i vështirë", kështu e komentoi trajneri Cifuentes lënien jashtë formacionit bazë të Selmanit.

"Ishte vendim shumë i vështirë, sepse Astriti është një lojtar i mirë, njësoj siç kemi shumë të tillë në skuadër. Për këtë ndeshje kemi menduar që ishte më mirë ta nisnim me një qasje ndryshe, me disa lojtarë tjerë që do të mundnin ta kryenin detyrën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme", shtoi ndër të tjera trajneri i Hammarby.

I menjëhershëm ishte reagimi i Astrit Selmanit, i cili la të nënkuptohet që edhe prononcimet e tij për shtypin suedez, përveç faktit që po kalon në një formë të zbehtë sa i përket mos shënimit të golave, kanë bërë të mundur që të arrihej deri në këtë përfundim.

"Nuk është aspak e kënaqshme. Dua të luaj!
Por, trajneri i merr vendimet e tij.

"Sa i përket shpjegimeve se pse ndodhi diçka e tillë, po besoj që ato i keni marrë vetë ju [gazetarët] nga trajneri. Kemi folur gjatë javës me të. Nganjëherë futbolli është kështu.

"A është e vështirë të thuash atë që mendon? Shikoni, ai dëshiron që të thuhen gjërat ashtu siç mendon, ndërsa unë i them ashtu siç i mendoj vet.

"Mund të mos jemi dakord në të gjitha gjërat. Kështu është në çdo lloj profesioni.

"Të shohim se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim", u shpreh troç Selmani.

Dje, Selmani u inkuadrua vetëm në minutën e 76-të. Mediat suedeze e vlerësuan me notë të ulët paraqitjen e tij. Për ta nota nga shkalla 1 deri në 5, ishte 2. Sulmuesi 25-vjeç nuk po ia del në asnjë mënyrë të zhbllokohet. Në tetë ndeshjet e para në kampionat, përveç mungesës së golave, mungon edhe përfshirja e tij në golat e realizuar nga skuadra e tij. Ai ka regjistruar vetëm një asist deri më tani.

Edhe kjo gjë e ka detyruar trajnerin Cifuentes që të mendojë për ta lënë në stol, duke e zhvendosur si qendërsulmues Ludwigson, i cili edhe shënoi një gol dje përballë AIK. Ndërkaq, Selmani u la jashtë 11-shes së parë, për t'i lënë vend talentit ti ri, 19-vjeçarit Mayckel Lahdo.

Ngërrçi i tij në konkretizimin e rasteve të shënimit nuk është aspak një ogur i mirë për kombëtaren dardane, të cilën e presin katër ndeshje të rëndësishme në qershor në Ligën e Kombeve.

Lajme të ngjashme