Pamje: Tifozët pejanë përdorin simbole nacionaliste serbe për t’i fyer tifozët e Trepçës - NACIONALE

Pamje: Tifozët pejanë përdorin simbole nacionaliste serbe për t’i fyer tifozët e Trepçës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tifozët e Pejës janë parë duke përdorur simbole nacionaliste serbe, si ngritja e tre gishtave, në drejtim të tifozëve rivalë të Trepçës, para se ta prishin derbin e basketbollit kosovar duke sulmuar lojtarët me shishe uji dhe gjëra të tjera të dielën në Palestrën Karagaçi.

Peja ia doli ta mundë Trepçën 72:66, duke e ngushtuar në 2:1 epërsinë e mitrovicasve në serinë gjysmëfinale, por pasi ndeshja ishte ndërprerë për rreth gjysmë ore si pasojë e dhunës së tifozëve në palestër.

Para se një tifoz të futej në parket dhe të hidheshin gjësende në drejtim të lojtarëve, tifozët pejanë ua tregonin rivalëve të vet mitrovicas tre gishta.

Përshëndetja serbe me tre gishta është fashiste dhe nacionaliste që është përdorur edhe nga ushtria famëkeqe serbe në Kosovë.

Federata e Basketbollit e Kosovës pritet të vendosë së shpejti për dhunën që ndodhi në këtë ndeshje.

Peja rrezikon ta humbë këtë ndeshje me rezultat zyrtar, për shkak të tifozit që u fut në parket për ta sulmuar basketbollistin vizitor.

Por mundësitë janë që federata të vendosë që dy ndeshjet e radhës në këtë seri gjysmëfinale të zhvillohen pa praninë e tifozëve në palestër.

Calvin Godfray me 15 pikë e 15 kërcime dhe Darius Washington me 19 pikë e pesë asistime ishin dy lojtarët që ia siguruan triumfin Pejës, kurse te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi dhe Rodney Purvis me nga 15 pikë secili.

Pavarësisht fitores së Pejës, Trepça prin me rezultat 2:1 dhe i duhet vetëm edhe një fitore për të kaluar në finale. Edhe ndeshja e katërt do të zhvillohet në Pejë.

Peja duhet të fitojë në ndeshjen e ardhshme për ta çuar serinë në ndeshjen përcaktuese dhe për të shpresuar në finale. Ndeshja e pestë do të luhej në Mitrovicë.

Golden Eagle Ylli është finalist i parë i këtij sezoni, pasi e mundi Prishtinën lehtësisht 3:0 me ndeshje në gjysmëfinalen e parë.

Lajme të ngjashme